4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

104 vjet nga vrasja e Isa Boletinit në Podgoricë

Isa Boletini, udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u copëtua në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Boletinin, e ka kujtuar edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.

“Emri i Isa Boletinit është skalitur përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve. Mbrojtësi i pavarësisë, komandant çetash, Isa nuk është vetëm prijës popullor, por edhe frymëzues për të dashur e vlerësuar lirinë dhe Atdheun. Sot në 104 vjetorin e rënies së tij, jeta e vepra e tij, janë më madhështore se asnjëherë. Lavdi!”, shkruan Haradinaj, transmeton Koha.net.

Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të vitit 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Prishtinë më 1912.

Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.

Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë.

Më Shumë

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Vetaksident i rëndë trafiku në Prizren (video)

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në qytetin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali. Sinjalizues të Sinjalit...

Lajmet e Fundit