14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

A flet Fishta ende?

Shoqëria jonë demokratike për dallim nga primitivja ka filluar të ngjasojë me turbullirë dhe mjegullnajë të paparë më parë. Është ky një fakt real që po na mbyt ne, njerëzit e një vendi të vogël, të cilët, ndonëse çdo ditë luftojmë me jetën për një kafshatë goje (përfshirë kohës së fundit edhe luftën me pandeminë), duhet të luftojmë edhe me frymën, në mënyrë që të mos na zihet e atë që armiku e synonte gjithmonë, në pamundësi për ta ruajtur t’ia lejojmë ta marrë.

Përderisa në të kaluarën qeniet mbi tokë luftonin për një vend të qetë dhe për një ekzistencë me çdo gjë që u dilte përpara, në shoqërinë e sotme demokratike vetë fakti që tjetri (shqiptari) ka në duar diçka që ti (shqiptar) nuk e ke, të bën të ndihesh lakmitar, uzurpues e të marrësh shumë epitete tjera negative me prapashtesa e mbaresa.

Përderisa atë kohë çdo gjë ndahej në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa bërë dallime racore e gjinore, sot këto të dyja përpos që kanë dallime të shfaqura dendur, shoqërohen edhe nga lakmia që tjetrit t’i merret gjëja që posedon, të lihet vetëm nën ngrohje dielli ose heshtje nate e të mos i jepet dora për një të ardhme më të ndritur.
Pse kjo është e theksuar në shoqërinë tonë shqiptare? Sa shkrimtarë janë marrë me këtë çështje?

Për përgjigjet e së njëjtave është mirë t’i rilexojmë veprat e Fishtës (këtë herë ta bëjmë jo të detyruar nga mësuesi/profesori që me çdo kusht mundohet të mbjellë te ne dashurinë ndaj atdheut dhe ndaj shqiptarit, me të cilin dikur na mjaftonte vetëm buka, kripa dhe zemra, por për ta mësuar se si kemi rrugëtuar dhe për çfarë gjëra do të pendohemi më vonë, gjithmonë për raportin dhe padrejtësinë ndaj tonit), letrarit të njohur që pati të drejtë kur tha se: Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

Veprave të tij sa t’ua hapësh faqen e parë ua ndien erën e rëndë të atdheut (edhe kur qe në robëri e nën thundër të armikut), ua ndien patriotizmin, dëshirën për liri, për atdhedashuri, për arsimim, ëndrrën për bashkim etj. Po të ndalemi në fjalën “bashkim” të këtij shkrimi, menjëherë shohim se kemi të bëjmë me një fjalë që përpos në fjalorë, vlerë nuk i jepet në përditshmëri, gjithë kjo nga fakti se ne jemi ata që kemi harruar se “bashkimi bën fuqi”, duke mos dashur ta mbështesim tonin e duke ia dhënë dorën njeriut me të cilin nuk na lidh asgjë, as gjaku, as gjuha.

Se pse kjo dhe sa do e ketë e njëjta jetën, varet nga vetë qenia jonë. Sepse ne jemi ata që njeriun tonë kemi qejf ta shohim të thyer e me lot në sy për mos realizimin e dëshirave, kemi qejf ta shohim të dëshpëruar ose edhe më keq, për të gjitha këto të jemi ne fajtorë, por para pasqyrës të mburremi se sa “të fortë” jemi e sa shpirtra kemi bërë ta urrejnë jetën dhe veten. Sepse ne jemi ata “mburracakët” që me vetëdije harrojmë misionin e periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare (himnizimin e vendit dhe bashkimin e shqiptarëve) dhe sytë ia lëshojmë një modernizmi që pa dashur na e imponon tjetri, i cili shumë lehtë e ka të na hyjë nën lëkurën e të shohë se sa e urrejmë njeriun tonë kur ai fiton një çmim, një certifikatë, kur zë një vend pune me shpresë se do të ndihmojë për ndërtimin e një të nesërmeje më të mirë, ose edhe më keq, kur e tallim për fjalën që thotë, jo se është diçka që s’do e thoshte secili nga ne, por vetëm nga arsyeja se e kemi të pamundur ta shohim atë në vendin që do të duhej të ishim ne, por që, nuk e bëjmë të njëjtën kur e shohim një joshqiptar ndaj të cilit kemi duartrokitje të panumërta.

Nëse të gjitha këto i gjejmë në veprën e Fishtës dhe shohim se në mes vargjesh ai tregon se si shqiptari shitej (shitet) te i huaji, se si në vendin e shqiptarëve mik ka qenë (është) vetëm kuleta, se si e kishim (kemi) më të lehtë ta mësonim (mësojmë) gjuhën e huaj pa ditur gjërat elementare për gjuhën tonë, se si fëmijën e çonim (çojmë) të mësonte (mësojë) te një i huaj me shpresë se ai do ia mësonte (mësojë) historinë më mirë se ne, duke harruar se ai na e ka shtrembëruar e do vazhdojë ta bëjë të njëjtën, se si e flaknim (flakim) tutje femrën shqiptare që guxoi (guxon) të fliste (flasë) hapur për mbrojtjen e vetes dhe çdo femre tjetër etj, e kemi shumë të lehtë të themi se Fishta flet ende dhe se kurrë s’do të jetë i kënaqur me ne. Jo për faktin se nuk e pranojmë të renë, por për faktin që ende vazhdojmë të mos e përkrahim e të mos e mbrojmë njeriun tonë kur ai e meriton dhe ka nevojë për ne, kur ai ecën në rrugën e rilindësve, por, mbetet pa shokë, goditet nga fatkeqësitë dhe pengohet nga ata që duhet me çdo kusht ta bëjnë rrugën e njëjtë.
Fishta dhe shumë shkrimtarë tjerë u munduan ta bëjnë bashkë shqiptarin kur armikun e kishin mbi kokë e u rrezikohej jeta, por sot kur ne jemi të lirë përse nuk bashkohemi të gjithë si shqiptarë, për t’u treguar të tjerëve se sa të fortë e të lashtë jemi? Përse sot nuk ia japim dorën dikujt që është si ne, por shumë më lehtë ia japim vendin dikujt që çdo ditë lufton kundër nesh?

Ndoshta e meritojmë që edhe një herë të na shajë e të na dënojë Fishta, ndoshta vetëm atëherë do të mbushemi me mend.

Ndoshta vetëm atëherë do të mësojmë se më e rëndësishme është çështja shqiptare, mbrojtja e njeriut me të njëjtin gjak dhe jo fjala që atë do e ulë më poshtë në sy të armikut, e për këtë sërish ne (unë, ti e të gjithë) do jemi fajtorë. Le të mos e harrojmë se shqiptari i kohës së Fishtës ka ende vëllezër në kohën tonë, që amanetin assesi ta çojnë në vend, e që ky amanet nesër të mbushet le ta pohojmë zëshëm se për shqiptarin tonë e japim jetën dhe se kurrë nuk lejojmë që i forti me një “dhuratë simbolike” të na hesht ose të na urdhërojë që të vazhdojmë ta godasim shqiptarin me të cilin nëna na uroi të ardhmen.

Shkroi- Adelina XHAFERI

Më Shumë

Lajmet e Fundit