16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Ariu sulmoi delet, e ndoqi edhe FSK’ja, tash po e kërkojnë ta vrasin

Ka më se një muaj që ariu më i famshëm i Kosovës është bërë temë e gjerë diskutimi. Ky ari, i cili jeton në rrethinën e qytetit të Prizrenit, sa po konsiderohet problematik nga dikush, aq po mbrohet nga të tjerët, madje kjo e fundit edhe më shumë. Mbrëmjen e djeshme, dy institucione të rëndësishme vendimmarrëse për faunën e Kosovës, ranë në kundërshtim me njëra tjetrën. Në njërën anë Inspektoriati i Agjencisë së Pyjeve kishte marrë vendim për vrasjen e kafshës, në anën tjetër Ministria e Mjedisit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit kërcënonte se vrasja e ariut do t’i detyroj ata të ngrinin padi ndaj tyre. Por si erdhi puna deri në një polemikë mes institucioneve të shtetit për një ari?

Me datën 8 prill të këtij viti, Gazeta Express kishte raportuar për një incident që kishte ndodhur në fshatin Pouskë të Prizrenit, ku një ari kishte mbytur 28 dele të një fermeri, e që atij kjo i kushtoi dëm material prej 3000 eurove. Lajmi u bë kryetemë e ditës, për shkak se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur ndonjë herë.

Por cilat ishin arsyet e një sulmi të ariut, dhe pse pikërisht në këtë fshat?

Ariu i Murrmë nuk konsiderohet kafshë e rrezikshme për qytetarët, për faktin se ajo jeton larg vendbanimeve dhe se nuk sulmon pa e sulmuar.

Por ariu në fjalë ishte mjaft fatkeq, për faktin se asaj i ishin vrarë katër këlyshët e saj nga disa gjuetarë të së njëjtës zonë. Ndoshta kjo është arsyeja se pse pikërisht ky fshat ishte shënjestër nga kafsha.

Ariu sipas raportimeve, nuk sulmoi delet për ushqim, por i sulmoi ato për hakmarrje ndaj gjuetarëve të cilët asaj ia kishin vrarë të vegjlit. Gjuetarët, të cilët ende nuk dihet se kush janë saktësisht, përveç që e kishin nervozuar ariun, ata e kishin thyer ligjin, për faktin se ato janë të mbrojtura nga ligjet e Republikës së Kosovës.

Ditë më vonë, u raportua se po i njëjti ari, kishte sulmuar edhe disa dele të tjera, duke e dërguar numrin e deleve të ngordhura në 38 sosh.

E pasi që shihej se ky ari, i cili po e kërkonte hakun e të vegjëlve të tij, nuk e kishte ndërmend të ndalej, filluan edhe reagimet e institucioneve shtetërore.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, kishte folur mbi mundësinë e kapjes së saj, por asnjëherë nuk nuk e kishte përmendur opsionin e vrasjes së saj.

“Kemi biseduar me inspektorët dhe ministrinë e kemi shqyrtuar mundësinë e kapjes… Edhe kafshët e mbrojtura mund të kapen në rast se e rrezikojnë ambientin” kishte thënë Shala.

E kështu kur u kuptua se ariu s’kishte të ndalur, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, kishte kërkuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, që të mbrojë qytetarët dhe të dalë në aksion për kapjen e tij.

FSK’ja i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së AMMK’së, dhe kishte dalë në aksion për ta kapur ariun, i cili e për gardian të jetës së tij, i ka ligjet e Republikës së Kosovës.

E kështu Forcat e Sigurisë kishin për mision kapjen e kafshës dhe dërgimin atë në një lokacion tjetër, ku nuk do të kishte rrezik për njerëzit.

Gjithsesi, ariu nuk u kap sot e asaj dite.

Por gjatë mbrëmjes së djeshme, mediumi Klan Kosova, kishte raportuar se Inspektoriati i Agjencisë së Pyjeve kishte vendosur që ky ari të vritet.

E në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Egzon Elshani, kishte thënë se pritet që brenda 15 ditëve, aq sa edhe ishte afati i caktuar nga inspektoriati, se ky ari do të vritet.

Me publikimin e lajmit në Gazetën Express, i shpejtë kishte qenë edhe reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti, i cili shkroi në rrjetin social Facebook, se vrasja e ariut nuk do të lejohet të ndodhë, për faktin se është i mbrojtur me ligj.

“Ariu është i mbrojtur me ligj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të vritet. Pa dilema Ariu nuk do të mbytet” shkroi Sahiti në Facebook.

E me të marrë lajmin, kishte reaguar edhe kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, i cili kërcënoi se kushdo që e vret ariun do të paditet, e do përballet me ligjin.

“Ariu është kafshë nën mbrojtjen e ligjit të natyrës, dhe nuk guxon të vritet… Do të padisim çdo institucion i cili vret kafshë të mbrojtur me ligj” kishte paralajmëruar Morina në rrjetin social Facebook.

E kur tashmë u kuptua se Agjencia shtetërore e Kosovës, kishte marrë vendim të jashtëligjshëm, Gazeta Express, kishte kontaktuar edhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën, për të marrë edhe mendimin e tij mbi këtë çështje, dhe si do të vendoste komuna e tij, të mos e zbatonte vendimin apo ta thyente ligjin.

Haskuka për Express kishte thënë se ata ende nuk kanë vendosur se a do ta vrasin ariun apo jo.

Ai kishte thënë se komuna të cilën e drejton, kishte kërkuar që ariu të vendosej në gjumë, por atyre i ishin përgjigjur negativisht për faktin se mungojnë mjetet për një veprim të tillë, andaj ishte vendosur “dënimi me vdekje”.

“Ne si komunë jemi kundër vrasjes së këtij ariu. Vendimi për vrasjen nuk është i yni. Ne kemi thënë se ai mund të futet në gjumë me anë të disa pushkëve, por është thënë se ato mungojnë dhe ai duhet të vritet”, kishte thënë Haskuka për Express.

Ndërkohë, burimet e Expressit, kishin siguruar edhe vendimin, të cilin Inspektoriati i Agjencisë së Pyjeve ia kishte dërguar komunës së Prizrenit.

E kur nuk kishte si të bëhej më skandaloze situata, në vendim ariu konsiderohej si individ.

Aty shkruhej se ariu konsiderohet “individ i cili vazhdon të shkaktoj dëme”.https://www.gazetaexpress.com/ekskluzive-ky-eshte-vendimi-skandaloz-i-ministrise-se-bujqesise-ku-ariu-denohet-me-vrasje/

Ndërsa si arsyetim, ata kishin marrë për bazë ankesat e fshatarëve të fshatit Pouskë, të cilët kishin kërkuar vrasjen e tij, për shkak që i rrezikohej jeta.

Ndërsa sot, vendimi mbetet ende në zyrat e komunës së Prizrenit, ajo nuk ka vendosur, ta vrasë ariun e ta thyej ligjin apo ta gjejë një zgjidhje alternative për kafshën e mbrojtur. /GazetaExpress/

Më Shumë

Totaj priti kryetarin e PDAK-së, Qazim Rahmani

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot kryetarin e subjektit politik PDAK, Qazim Rahmani, nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Danush Ademi dhe bashkëpunëtorët e...

Konfiskohet drogë në vlerë rreth 70 mijë euro në Suharekë, arrstohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe prokurorinë, kanë arrit të realizojnë identifikimin e katër personave të...

Lajmet e Fundit