22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ata lindën në trazirat e 1997, por tani kanë nisur të marrin hak për të afërmit e vrarë (DETAJE)

Kur Shqipëria ishte në luftë, ata që sot janë rritur dhe po bëhen pjesë e krimeve të rënda me motive hakmarrje, ose nuk kishin ardhur ende në jetë, ose ishin shumë të vegjël për të kuptuar se çfarë po ndodhte dhe me kë po luftonin shqiptarët.

Por, pas shumë vitesh, ata ndoshta janë rritur me mungesën e njerëzve të afërm të familjes në shtëpi. Dhe padyshim që kanë mësuar, sesi ata janë larguar nga kjo jetë. Padyshim, që u është treguar e vërteta e vrasjeve mes shqiptarësh e mes bandash, edhe për firmat piramidale që prodhuan gjithë këtë.

Por, sot, ata që atëherë nuk kishin lindur, ose ishin të mitur janë kthyer në protagonistët e krimeve të rënda, që zënë fill atëherë. Djali i një babai të vrarë në atë kohë nuk mund të përtypë “turpin” e shokëve, teksa çdo ditë mbase i thonë se filani i ka vrarë të atin. Ekspertë të policisë thonë se ky fenomen për fat të keq është gjithnjë e në rritje.

Krimet kryesisht në Lushnjë dhe Vlorë janë me protagonistë këta të rinj, që në emër të hakmarrjes vrasin. Në emër të babait, vëllait, apo ndonjë të afërmi tjetër përshihen në listën e atyre që tashmë kanë moshën “për armë” dhe marrin hakun e së kaluarës.

Baballarët, apo të afërm të tjerë janë vrarë atëherë për përfshirje në banda kriminale, apo në akte paligjshmërie. Por, kjo nuk i step ata të rilindin jo më bandat, por aktivitetin kriminal, thonë ekspertë të Policisë të kontaktuar nga Gazeta Shqip dhe të pyetur për moshën e re të krimeve mafioze sidomos në Lushnje, Vlorë, apo Tiranë.

Lushnja prej kohësh, nuk po gjen qetësi. Trashëgimtarë të bandave rivale që u fuqizuan jashtëzakonisht shumë gjatë vitit 1997, janë rizgjuar, rigrupuar dhe sot po lajnë hesapet e vjetra dhe të reja me njëri tjetrin.

Vrasja e Enver Boriçit, një prej njerëzve më të afërt të Aldo Bares është në vazhdën e shumë atentateve të tjera me të vdekur, gjatë këtyre 2 viteve të fundit. Shënjestra ka qenë nipi i Alfred Shkurtit (Aldo Bare), familjarë të pjesëtarëve të ish organizatës kriminale të njohur dhe madje nuk janë kursyer as të pafajshëm, “krimi” i vetëm i të cilëve ka qenë lidhja e gjakut me protagonistë të këtyre bandave. Por këta ‘trashëgimtarë’ nuk janë riaktivizuar vetëm në Lushnje.

Fijet e disa vrasjeve dhe të shumë “personave të zhdukur” në Vlorë, të çojnë në burgun e sigurisë së lartë ku vuajnë dëmin e përjetshëm Zani Çaushi, Gaxhai e eksponentë të tjerë.

Edhe qyteti i Elbasanit nuk gjen qetësi, pasi ndarja e territorit që ndodhi në vitin 1997 mes grupeve të fuqishme kriminale vazhdon edhe sot. Shumë vrasje në zonën e Burrelit, Durrësit, Shkodrës dhe Tiranës nëse investigohen në thellësi të çojnë te veprimtaria e bandave, që lulëzuan nga vitin 1997, deri në vitin 2000.

Edhe pse shumica e krerëve të tyre u arrestuan dhe morën dënime të rënda apo janë larguar jashtë vendit, mbetjet e tyre “shoqërore” dhe “farefisnore” mbijetuan duke trashëguar bizneset kriminale të drogës dhe ato të “ligjshme” që shteti nuk i preku.

Lufta mes trashëgimtarëve të bandave të vitit 1997 nuk ka të bëjë vetëm me hakmarrjen, por edhe me biznesin e drogës dhe kontrollin e territorit këtu në Shqipëri, Holandë, Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe Spanjë.

Sipas statistikave në atë vit të mbrapshtë për Shqipërinë në vend vepronin qindra grupe të armatosur, por vetëm 15 prej tyre ishin shumë të organizuara dhe vazhdojnë nëpërmjet trashëgimtarëve të veprojnë edhe sot.

Më Shumë

Lajmet e Fundit