13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Bashkimi me mund fiton ndaj Trepçës, Ylli i revanshohet Pontes

Mojeed Ewuosho dështoi në aksionin e fundit të Trepçës për t’i mundësuar skuadrës së Bashkimit që edicionin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll ta nisë me fitore të ngushtë. Në ndeshjen e xhiros së parë, që u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi triumfoi me rezultatin 73:72. Për Bashkimin, që u mposht në finalen e Superkupës së Kosovës vikendin e shkuar nga Sigal Prishtina, fitorja në xhiron e parë të sezonit të ri ishte shumë e rëndësishme pasi luante në shtëpi.

Basketbollisti nga Mali i Zi, Nikola Vukçeviq, ka udhëhequr ekipin nga Prizreni drejt këtij triumfi ndaj Trepçës. Ai ndeshjen e mbylli me 22 pikë të shënuara derisa në këtë fitore kontribuuan edhe Shaq Carter (16), Ujkan Karanezi (13) e Musab Mala (12 pikë).

Edhe pse në pjesën e parë Bashkimi ishte ekip më i mirë dhe kishte vazhdimisht epërsinë, skuadra e Trepçës u rikthye në pjesën e dytë. Çerekun e tretë mitrovicasit e mbyllën në favor të vetin (56:55) por në fund e humbën ndeshjen për një pikë, ndonëse e patën aksionin e fundit. Ewuosho që dështoi në këtë aksion, ishte më efikasi te Trepça. Ndeshjen e mbylli me 21 pikë të shënuara. Pikë dyshifrore për ekipin e drejtuar nga Neven Plantak regjistruan edhe Burim Zekiqi (14) e Kalin Fisher (13), por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen në start të edicionit.

Ndërkohë Golden Eagle Ylli i është hakmarrë skuadrës së Ponte Prizrenit për humbjen e shkaktuar në çerekfinale të Superkupës së Kosovës. Skuadra nga Suhareka në duelin e luajtur të enjten në Prizren triumfoi me rezultatin 85:77. Golden Eagle Ylli e siguroi fitoren në çerekun e katërt, të cilin e fitoi me rezultatin 24:16 pasi Ponte Prizreni gjatë tre çerekëve të mëparshëm ishte në epërsi. Vetëm tre basketbollistë te ekipi mysafir shënuan pikë dyshifrore në këtë fitore ndaj Ponte Prizrenit, që po ashtu në radhët e veta ka tre lojtarë të huaj.

Samir Zekiqi ishte më efikasi me 26 pikë të shënuara te Ylli, derisa me lojë të mirë u veçuan edhe Cody John (24) dhe Valon Bunjaku (16). Te Ponte Prizreni amerikanët Justin Jones e Ty Nichols shënuan me shumë se gjysmën e pikëve që nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Që të dy amerikanët ndeshjen e mbyllën me nga 22 pikë të shënuara derisa Arti Hajdari shtoi 19 pikë.

Edicioni i ri në elitën e basketbollit kosovar ka startuar të mërkurën me dy ndeshje dhe në xhiron e parë, fitore krahas Bashkimit e Yllit, kanë shënuar edhe Peja e Rahoveci. Xhiroja e dytë do të luhet këtë vikend.

Më Shumë

AAK merr iniciativë për shkarkimin e Qeverisë Kurti, përgatit mocion mosbesimi dhe Rezolutë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rastin e 3 vjetori të Qeverisë Kurti, ka prezantuar një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë se Kosovës. shkruan...

Malishevë: Dorëzohen çelësat e 10-të shtëpive për familjet në nevojë

10 familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike në komunën e Malishevës, janë bërë me shtëpi banimi. Lajmi u bë i ditur nga kryetari...

Lajmet e Fundit