16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Erdogan: Incidenti me avionin rus, më ka trishtuar

Presidenti i Turqisë, Erdogan, deklaroi dje se ndihet i trishtuar për rrëzimin e avionit luftarak rus nga forcat turke në kufirin sirian. Erdogan tha se do të donte që incidenti të mos kishte ndodhur dhe shpreson që të mos përsëritet më. Deri tani, lideri turk ka refuzuar që t’i kërkojë ndjesë Rusisë e madje ka paralajmëruar Moskën “të mos luajë me zjarrin” në operacionet e saj në Siri. Deklaratat e Erdogan u bënë ndërsa Turqia lajmëroi qytetarët e saj që të shmangnin udhëtimet e panevojshme në Rusi. Erdogan ka kërkuar ndërkohë një takim me homologun e tij rus, por Putin ka deklaruar se, para se të zhvillohet një takim i tillë, Turqia duhet të kërkojë ndjesë. “Ne do të donim që kjo të mos kishte ndodhur, por ndodhi. Shpresoj që diçka e tillë të mos ndodhë më”, deklaroi Erdogan. Analistët thonë se shprehja e trishtimit nga Ankaraja, është një degë ulliri që i zgjatet Moskës.

Sipas ekspertëve, kjo ftohje mes palëve shkon vetëm në favor të Shtetit Islamik, pasi këto dy vende, duhet të jenë të bashkuara kundër tij, pa llogaritur humbjet ekonomike dypalëshe, nëse masat reciproke vazhdojnë. Ndërkaq, Rusia po forcon mbrojtjen e asaj antiajrore në Siri me afrimin e kryqëzorit “Moskva” në brigjet e Latakias dhe dërgimin e raketave të reja në bazën e saj kryesore ushtarake në këtë vend. Sistemi ajror me rreze të gjatë veprimi i “Moskva”-s, do të jetë mbështetje e madhe për bombarduesit rusë, si dhe raketat S-400 të dërguara të enjten në Hmeimim, vetëm 50 km larg kufirit me Turqinë. Baza në fjalë përdoret rregullisht nga avionët rusë që prej 30 shtatorit për sulmet e tyre ajrore kundër rebelëve që luftojnë regjimin e Bashar Al-Assad-it. Përplasjet mes dy vendeve që prej rrëzimit të avionit rus të martën, vazhdojnë me luftën e deklaratave e paralajmërimeve.

“Rusia t’i mbështesë me prova akuzat e saj, ashtu siç bëri Turqia me regjistrimet audio apo pamjet e radarit”, tha Presidenti turk dy ditë më parë. Ministria ruse e Mbrojtjes përmes pohimeve të kreut të aeronautikës, Viktor Bondarev, reagoi duke pohuar se dy F16-tat turq që rrëzuan Su-24-tën e Moskës, kanë qenë duke fluturuar mbi zonë për një orë e 15 minuta në lartësinë e 2.400 metrave, çka tregon sipas tij, se goditja e turqve ishte e paramenduar, me pak fjalë, një pritë e vërtetë. Të premten, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, njoftoi anulimin e udhëtimeve pa viza me argumentin se qeveria e Turqisë i kishte “kaluar caqet e asaj që mund të konsiderohet ‘e pranueshme’”. Po ashtu, një sërë masash me karakter ekonomik e tregtar, u njoftuan dy ditë më parë nga Kremlini, duke sjellë frikë të motivuar për anulimin edhe të projekteve madhore mes dy vendeve në fushën e energjetikës, të cilat u vulosën vetëm pak kohë më parë gjatë vizitës së cilësuar “shumë të suksesshme” të kreut të Kremlinit në Ankara.

Më Shumë

Moti sot, temperaturat deri në 23 gardë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot i ngrohtë dhe me diell. Kështu bën të ditur Meteo Kosova. Sipas njoftimit të MK-së, do të fryjë erë...

Bruce Springsteen bashkohet në skenë me Zach Bryan dhe Maggie Rogers (Video)

Legjenda e folk-rokut, Bruce Springsteen, iu është bashkuar dy yjeve të reja të muzikës, Zach Bryan dhe Maggie Rogers. Bosi gjeti kohë për t’u shkëputur...

Dhimbja

Lajmet e Fundit