6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

“Kam parë masakra, por videon se si vdes miku im s’mund ta shoh”

James_Foley_Alice_Martins_991027618_nnnnPuna e tij është publikuar në organet mediatike më të njohura në botë. Fotografitë e tij i gjejmë të publikuara në U.S. Time, Der Spiegel, The New York Times, Swiss ‘Sunday Times’, Paris Match, Foreign Policy, Die Presse, Die Welt, The Guardian, The Sun, The Daily Telegraph and Bloomberg, etj. Ai është shqiptari Vedat Xhymshiti. Të gjithë e njohin si Vudi. Kështu e njihte edhe James Foley, gazetari që vetëm pak ditë më parë u nda nga jeta në mënyrë makabre. Vudi dhe Jimmy, siç e thërrisnin miqtë në sheshin e luftës kanë ndarë bashkë momente të vështira, por më i vështiri ishte humbja, për botën mediatike humbja e një gazetari si James Foley, ndërsa për Vudin një mik i mirë që e donte punën aq sa dha jetën për të. Sot, “Shekulli” ju përcjell një rrëfim ndryshe. Vedat Xhymshiti do të rrëfejë përmes kujtimit të Jimmy-t edhe punën e tij, mes rrezikut për të mos u kthyer më kurrë.

Si ju vjen sot imazhi i kolegut dhe mikut tuaj?

Si një njeri të cilin e kam pasur shumë afër. Me një njeri si ai, gjithnjë do të konsultohej gjithkush për veprimet e mëtutjeshme. Sepse ai ishte mbështetës, njerëzor dhe gjithnjë i hapur e një mendimtar i thellë në kuptimin profesional. Gabimet nuk i trajtonte si tragjedi, por si një mundësi për të mësuar. Sigurisht duke u frikësuar nga tragjeditë, ai edhe kishte nisur rrugëtimin e tij prej një gazetari për të dokumentuar të keqen dhe për t’u munduar që ta transmetojë atë tek bota mbarë.

Keni parë dhe ndjekur pamje makabre në Siri, bashkë me të. Madje, keni qenë edhe vetë pjesë ngjarjeve të tilla. Si e pritët këtë të fundit, ndarjen me një mik si James?

Nuk kam mundur t’i bëj ballë e ta shoh videon. Jam munduar t’i ndjek raportimet. Ajo çfarë më ka shqetësuar dhe ende më rëndon është pse askush nuk e trajtoi profesionalisht atë çfarë Jimmy e tha në porosinë e tij. Ne e shohim luftën përditë në televizione, të shkruar në gazeta përmes shkronjave, por nëse lufta nuk ju ka prekur në dashurinë për shokun, shoqen, vëllanë, motrën apo prindërit, sigurisht që nuk keni për ta kuptuar asnjëherë se sa e rëndë është! Unë po ju drejtohem juve me këto fjalë, por këto vlenin edhe për mua deri në momentin kur fillova të numëroj shokët e humbur në luftë. Shoku i luftës, është me shumë se familje, pasi me të je ‘bashkëluftëtar’ i luftës për jetë nga vdekja.

Cili është momenti më i bukur mes jush? Ai moment me të cilin do ta kujtoni gjithnjë Jimmy-n?

Momentet tona më të mira kanë qenë momentet kur ne mund të shkaktonim sadopak ndryshim në të mirë të refugjatëve në luftë, atëherë kur shkrimet, fotografitë dhe thirrjet tona rezultonin mbështetje për njerëzit. Sigurisht, jo pak herë e sheh mundësinë për të vdekur në luftë. Të gjitha tragjeditë, përmes të cilave ishim gati t’i pësonim me jetë, i kthenim në komedi duke i diskutuar se çfarë na kishte ndodhur dhe se si do të mund të rezultonte nëse nuk do të kishim bërë ashtu ose kështu, sigurisht me shaka e të qeshura, provojmë që ta mundim traumën psikologjike nëpërmjet së cilës jetonim. Një ndër shakatë e zeza që ne shpesh kishim dhe kemi ende me kolegët e tjerë janë çastet kur fotografojmë njëritjetrin dhe themi: “Nuk i dihet çfarë mund të ndodhë pas pak minutash”.

Sa i mbështesni ju fjalët e tij të fundit?

Nuk çuditem pse mediat korporative janë përfshirë në një fushatë të klasifikimit të fjalëve të tij si ‘propagandë e Shtetit Islamik’. Të njëjtat media flisnin për trimërinë e Jimmy-t. A nuk tingëllon kjo kontradiktore nga larg? Ka diçka që nuk shkon këtu. Unë e di dhe jam i sigurt në guximin e Jimmy-t për ta thënë të vërtetën, kudo dhe kurdo. Ai e tha edhe aty, “i bëj thirrje familjes, shokëve që të ngrihen kundër vrasësve të mi të vërtetë” Jimmy tha mes tjerash. Kush është vrasës i vërtetë i civilëve të pafajshëm në një lufte pos agjendat politike të shteteve të fuqishme të cilat janë të përfshira në zhvillimin e luftërave? Është një fjalë “të duhet një pushkë për ta zhvilluar një luftë! Të duhet një luftë për ta mbajtur në treg një pushkë!”. Kush po i prodhon ato pushkë? Pra, janë shtetet e fuqishme, ato të cilat janë shtëpi për korporatat e prodhimit të armëve, të cilat gjithnjë rezultojnë të përfshira në luftërat që po i shohim përditë. Armët nuk ecin vetë, ato nuk fluturojnë vetë. Ato kanë kufij për të kaluar dhe si ka mundësi që kalojnë pa u vënë re? Pra, djallëzia qëndron pikërisht tek shtetet e fuqishme, të cilat janë të ndikuara nga korporatat me apo pa fajin e tyre. Edhe për vdekjen e Jimmy-t, si për qindra e miliona vdekje të tjera mendoj se duhen persekutuar ata që tërheqin këmbëzën pushkës për ta shkrepur, duhen persekutuar edhe ata që e kanë lejuar që ajo pushkë të shkojë deri në atë dorë vrastare.

Sa e donte punën që bënte Jimmy?

Aq sa sakrifikoi jetën për punën që bënte. Kur shkojmë në luftë, e dimë se kur shkojmë, por nuk e dimë kur dhe nëse mund të kthehemi. Edhe nëse kthehemi nuk e dimë se si, të gjallë apo të vdekur. Mund edhe të mos kthehemi fare, siç mund të ndodhë edhe me Jimmy-n, duke qenë se në rrethanat që ai është ekzekutuar trupi i tij i pajetë është vështirë të tërhiqet.

Të raportosh nga vija e vdekjes

Vudi e do të vërtetën, ndaj edhe përballet me vdekjen. Të paktën këtë përshtypje të jep kur rrëfen jo vetëm nëpërmjet fotografive, por edhe p ermes historive, ngjarja të tmerrshme të cilat veshi njërëzor nuk do të donte t’i dëgjonte e mendja nuk od të donte t’i pranonte. E megjithatë ai vazhdon i bindur në rrugën e tij, sepse e do të vërtetën, edhe nëse ajo kushton shumë.

Si është gjendja në Siri?

Kam qenë dëshmitar i mëpastajshëm i disa masakrave të bëra nga civilët. Kam bashkëbiseduar me shumë civilë, që ishin torturuar deri në prerje të organeve të ndryshme të trupit, të cilët janë liruar më pas për t’u kthyer në vendet ku kanë jetuar më parë. Dhe kjo me qëllim që ata të rrëfenin tregimet e tyre të trishtueshme për t’i terrorizuar civilët. Zëri i viktimave asnjëherë nuk është dëgjuar. Ne jemi dëshmitar të kësaj epoke, e cila gjithnjë na është premtuar se do të jetë më e mirë dhe me paqësore, por fatkeqësisht nuk po ndodh kështu. Jemi duke jetuar në një luftë për paqe, e cila po sjell vetëm luftë. Duket se në këtë detaj po fshihet djalli. Solidariteti njerëzor është nevojë e domosdoshme në ditët e sotme, sepse qeveritë, me përjashtime, janë shumë solidare me njëra-tjetrën, derisa po mundohen ta prishin solidaritetin njerëzor për qenien njerëzore në nivel global. Është e domosdoshme që njerëzit të bashkohen për qëllime njerëzore.

Sa mendoni ju për rrezikun që ju kanoset?

Të mendosh për të qenë reporter lufte dhe të mos e mendosh vdekjen është sikur të bombardosh për demokracinë, gjë që po ndodh. Këto janë gjëra të ditura. Duke pasur frikë nga vdekja, bëhemi bashkë dhe shkojmë për të luftuar kundër saj. Sa më pranë vdekjes, aq më larg saj mund të jesh, por ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun, të cilin e trajtojmë me kujdes dhe seriozitet deri aty ku është në dorën tonë.

Nuk keni menduar të tërhiqeni ndonjëherë? Nuk keni frikë nga ata që vrasin pa iu dridhur qerpiku?

E, për kusarët e çmendur që vrasin njerëz të pafajshëm të fshehur prapa besimeve të ndryshme fetare, apo edhe prapa ‘demokracisë’ dhe rendit ligjor, do të mund t’i vrasin trupat tanë, por të vërtetën për përfshirjen e tyre në krime kundër njerëzimit nuk do të mund ta fshehin asnjëherë. Jimmy dhe të gjithë kolegët e tjerë gazetarë do të rrojnë në historinë njerëzore, në piedestal të respektit, e kriminelët nuk do të kenë vend asnjëherë në faqet e bardha të historisë tonë të zezë! Ne do të jemi gjithnjë atje, për t’ju dhënë zë, atyre që nuk kanë, për të qenë dëshmitarë dhe për të vënë në dukje gënjeshtrat e atyre të mbuluara me një maskë të keqe. Ne do të jemi gjithnjë aty për të raportuar!

Fushata

Ne shokët, kolegët e Jimmy-t kemi nisur një fushatë për ta kujtuar atë. Ju lutem shqiptarëve që të na mbështesin për të na e lehtësuar dhembjen për Jimmy-n, duke mbajtur një letër të bardhë të shkruar ‘Në Kujtim të Jimmy-t, ose Remembering Jimmy’ dhe t’i dergojnë opinionet e tyre në shkronja për Jimmy tek faqja www.rememberingjim.org — këtë akt mbështetës njerëzor ia bëj si thirrje edhe redaksive të medieve shqiptare që ta bëjnë dhe t’i dërgojnë fotografitë në e-mail adresën time [email protected]

Më Shumë

Tre ndeshje interesante luhen sot në Superligë, sytë te Ballkani dhe Drita

Tre ndeshje interesante do të zhvillohen sot, në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida kryesore e ditës së shtune...

Moti sot: I vranët e me shi, rikthehet pluhuri saharian

Këtë të martë në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe me intervale të shkurtra me diell, ku pasdite dhe në...

Lajmet e Fundit