11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Ku janë zhdukur fëmijët e refugjatëve?

Askush nuk mund të thotë saktësisht se sa është numri i refugjatëve të mitur në Evropë që janë zhdukur, ose ku janë këta fëmijë. Është e qartë se gjatë regjistrimit janë bërë lëshime dhe gabime.

Pse për refugjatë të cilët janë ende fëmijë ose adoleshentë pas regjistrimit nuk është ndërmarrë kujdesi i duhur? Sa të mitur konkretisht mungojnë apo janë zhdukur? Në kërkim të një përgjigjeje për këtë pyetje zbulohen deficite të mëdha të krijuara gjatë regjistrimit të refugjatëve.

EUROPOL dhe Policia gjermane kundër kriminalitetit BKA (Bundeskriminalamt), paraqitën shifrat që vërtet nuk mund të quhen si të sakta për shkak se çdo ditë po ndryshojnë. Përveç kësaj, mënyra në të cilën janë mbledhur të dhënat ngre shumë dyshime. Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve dhe të refugjatëve flasin për shifra mjaft shqetësuese, por në fakte, edhe ata nuk mund të bazohen. Kështu BKA supozon se më 1 janar 2016 në Gjermani kishin ardhur 4,749 refugjatë të mitur dhe të pashoqëruar nga të rriturit. Ata janë të ndarë në dy grupe. 431 prej këtyre refugjatëve, sipas të dhënave zyrtare, kanë qenë më të rinj se 13 vjeç, kurse 4287 prej tyre ishin më të vjetër, në mes moshës 14 dhe 17 vjeç.

Megjithatë, këto janë vetëm të dhënat që janë mbledhur në një moment të caktuar, sepse shifrat janë vazhdimisht në ndryshim e sipër, tha në një intervistë për “Deutsche Welle”, një zëdhënëse e BKA-së, dhe shtoi se shifrat brenda një dite mund të ndryshojnë dhe shkojnë nga 200 deri në 300 raste.

“Nuk e dimë se ku janë ata”

Janë shënuar regjistrime të shumta në disa shtete federale gjermane, thotë zëdhënësja e sipërpërmendur, e cila më tej thekson se disa prej këtyre fëmijëve të zhdukur pas një kohe të shkurtër rishfaqen: “Por ne nuk mund të përjashtojmë që një pjesë e kësaj kategorie të refugjatëve, të cilët janë zhdukur në fillim të vitit të shkuar, kanë rënë në duart e kriminelëve”. Informacion të saktë në lidhje me këtë, BKA, megjithatë, ende nuk posedon, tha ajo.

Shefi i EUROPOL-it, Brian Donald, në një intervistë për gazetën britanike, “The Observer”, ka pranuar se mijëra refugjatë të mitur të regjistruar në vendet e ndryshme evropiane, më pas humbën pa lënë asnjë gjurmë. Donald paralajmëroi se disa nga këta fëmijë mund të kenë rënë në duart e kriminelëve. Në të njëjtën kohë ai shtoi: “Jo të gjithë janë viktima të kriminelëve, disa prej tyre ndoshta janë nën kujdesin e familjarëve të tyre. Por thjesht, nuk e dimë se ku janë ata, çfarë bëjnë ata, ose te kush po qëndrojnë”.

EUROPOL-i thotë shefi i kësaj policie, ka mbledhur prova që dëshmojnë se disa nga këta fëmijë dhe të rinj gjatë ikjes së tyre për në Evropë janë abuzuar seksualisht. Është formuar një infrastrukturë kriminale, e cila përfiton nga fluksi i emigrantëve, thotë Brian Donald.

Kontrabandistët, shpjegon ai, po përdorin refugjatët që të shfrytëzohen për punë që kanë të bëjnë me industrinë e seksit dhe si skllevër. Por kjo nuk është diçka e re, thotë Donald, sepse gjatë çdo fluksi refugjatësh në histori, është ushtruar dhunë ndaj të dobëtit. Megjithatë, në këtë pikë tani për tani ka më shumë spekulime sesa fakte, transmeton “Zëri”

Shifrat më të qarta janë në dispozicion të qyteteve dhe komunave gjermane. Sipas Zyrës Gjermane të Rinisë, në Gjermani, kujdesi aktual është për rreth 60,000 refugjatë të mitur të cilët arritën të pashoqëruar nga të rriturit apo familjet e tyre. Pretendohet se shumë prej këtyre fëmijëve minorenë rrëfyen për përvojat e këqija me të cilat ishin përballur gjatë arratisjes së tyre.

Autoritetet në këtë mënyrë, theksojnë se numri i përgjithshëm ende nuk dihet dhe se do të mbetet kështu. Sepse, ende nuk mund të thuhet se cili është në të vërtetë numri i atyre fëmijëve të pa regjistruar që vijnë me të afërmit apo njerëz të tjerë, dhe sa prej atyre u bënë viktima të trafikimit.

Gabimet në sistemin e regjistrimit

Situata e pasigurt statistikore edhe organizatave të fëmijëve ua bën më të vështirë punën në këtë drejtim. Kështu, UNICEF deklaroi: “Shifrat e publikuara nga EUROPOL i marrim shumë seriozisht, por këto të dhëna nuk mund të vërtetohen. Një nga problemet është se ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve refugjatë”. Sipas UNICEF-it, një e treta e refugjatëve, të cilët nga vera e vitit 2015, erdhën në Gjermani, janë fëmijë dhe adoleshentë.

Këto të dhëna janë të bazuara në të dhënat jo të plota të qeverisë, thotë kjo organizatë, duke shtuar se për shkak të gabimeve në sistemin e regjistrimit, ende nuk ka një ekzaminim të detajuar. UNICEF kritikon faktin se në këtë sistem nuk përfshihet mosha e refugjatëve dhe për këtë arsye kërkon që refugjatët e mitur të regjistrohen në të gjitha vendet e tranzitit dhe pritëse, dhe se gjendja e tyre të monitorohet vazhdimisht.

Aleanca gjermane për mbrojtjen e fëmijëve konsideron se janë bërë lëshime dramatike në mbrojtjen e refugjatëve të mitur. Kriminelët e shfrytëzojnë një situatë të tillë në të cilën fëmijët e vetmuar dhe të pashoqëruar kanë ikur për në Evropë, tha në një deklaratë për transmetuesin e shërbimit publik të Gjermanisë “SWR”, kryetari i kësaj organizate, Heinz Hilgers. Refugjatët nën moshë, shton ai, mund të mbrohen në mënyrë efektive në qoftë se ata përkujdesen nga një zyrë për të rinjtë ose nëse mund të jenë në gjendje të lidhën përsëri me familjet e tyre. /Zëri/

Më Shumë

Moti sot me vranësira dhe intervale me diell

Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku ndonjë rajon mund të ketë reshje të izoluara shiu. Në orët...

Konfiskohet drogë në vlerë rreth 70 mijë euro në Suharekë, arrstohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe prokurorinë, kanë arrit të realizojnë identifikimin e katër personave të...

Lajmet e Fundit