10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Masakra e Elbasanit, për drogë

Masakra e Elbasanit që tronditi opinionin publik për shkak të sipërmarrjes së atentatorëve për të shuar gjithë burrat e një fisi, po shkon drejt misterit. Hetimi është shpërndarë në disa pista tashmë, meqë fiset në hasmëri me Çapjajt kanë nisur të përjashtohen një e nga një. Policia e Prokuroria kanë në duar një mori të dhënash kontradiktore në lidhje me dyshimet e para që u demonstruan edhe me kontrolle banesash, ndërsa bëhet me dije se në fokus është edhe pista e prishjes së pazareve të drogës.

Grupi hetimor është konfuz për sa iu përket të dhënave që bëjnë publike, paçka se ende nuk janë përcaktuar elementët kryesor që duhen për të vijuar hetimin e asaj masakre me tre të vdekur dhe me 8 të plagosur. Policia ka në duar, veç të tjerave, edhe historitë personale të të gjithë personave që kanë qenë shënjestra e atij atentati, ndërsa bëhet me dije se familjet me konflikte të njohura me fisin Çapja, nuk janë gjendur të dyshuar në asnjë lloj drejtimi për masakrën. Sipas informacioneve, bëhet me dije se janë hetuar intensivisht të gjithë të dyshuarit, anëtarë të familjeve Mema dhe Meta dhe ka rezultuar se asnjë nuk është gjendur i dyshimtë në lidhje me vrasjen. Për këtë shkak, policia ka shtuar pistën e përplasjeve për pazare të prishur në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe në disa shtete të Europës.

Pazaret e prishura

Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se janë një sërë informacionesh që lidhin disa persona nga pala e dëmtuar edhe me trafikun ndërkombëtar të drogës. Madje policia ka sjellë në dosje edhe një dënim të viktimës Eno Bedalli, djalit që u vra në sulmin e së martës, ndërsa ai rezultonte të ishte një prej personave të skeduar dhe të dënuar nga policia italiane për trafik kokaine ku ishte edhe arrestuar në veri të Italisë. Njëkohësisht bëhet me dije se është prokuroria që ka hapur një sërë dosjesh që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike ku janë të përfshirë edhe elementë kriminalë nga Elbasani. Grupi hetimor ka kërkuar tabulatet telefonikë të të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm në lokalin e viktimës, Agron Çapja, për të verifikuar nëse kanë patur ndonjë kërcënim kohëve të fundit, pasi të mbijetuarit nuk kanë dhënë asnjë detaj për të ndihmuar vijimin e hetimeve.

Njëkohësisht, një tjetër ndihmë e madhe në favor të atentatorëve janë edhe mosfunksionimi i kamerave te lokali dhe te shtylla që gjendet përballë lokalit. Policia saktëson se kanë qenë plumbat që kanë nxjerrë jashtë funksioni serverin e për pasojë nuk është bërë e mundur të mbetet asnjë shenjë nga autorët e masakrës. Megjithatë policia dhe prokuroria kanë krijuar një ide për mjetin e tyre dhe mësohet se edhe përgjatë së djeshmes kanë vijuar kontrollet nëpër garazhe, banesa dhe biznese private.

Trafiku i drogës

Grupi i hetimit mësohet se ka kërkuar informacion edhe nga policitë e vendeve fqinje ku shqiptarët vijojnë të kenë influencë të madhe në trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht atyre të forta. Duke patur parasysh faktin se Elbasani është edhe një pikë kryqëzuese, ku jo më lart po një vit më parë u bë edhe një prej zbulimeve më të mëdha të posedimit të kokainës, grupi hetimor nuk ka përjashtuar nga hetimi as këtë pistë, ku dyshimet shkojnë deri në një rivalitet mes bandash për ndonjë zotërim linjeje të re apo edhe të vjetër. Policia mohon në mënyrë kategorike të bëhet fjalë për trafik droge dhe prishje pazaresh në këtë linjë për shkak të luftës që policia i ka shpallur këtij fenomeni në të gjithë vendin. Burimet policore tregojnë se gjithçka që është e dyshuar në historinë e frikshme të asaj ngjarjeje lidhet vetëm me hasmëritë e shumta që ka ajo familje. Policia, në fakt, ka të listuar vetëm pak ngjarje si të zbardhura, pasi të gjitha vrasjet pa autor që iu vihen si autorësi e dyshuar familjes Çapja, asnjëherë nuk janë vërtetuar me fakte dhe prova.

Kontrollet dhe shoqërimet, qytetarët refuzojnë policinë

Atentati me 3 të vdekur dhe me 8 të plagosur vijon të mbajë mbërthyer për këtë ngjarje ekspertët më të mirë të Krimeve të Rënda, ndërsa RENEA dhe FNSH-ja vijojnë kontrollet në terren në bazë të urdhrave që lëshon grupi hetimor. Sipas të dhënave zyrtare saktësohet se qytetarët, si rrallë në ngjarje të rënda, nuk kanë bërë telefonata dhe as nuk kanë qenë fare bashkëpunues, ndonëse shifra e hedhur për informacion të saktë është jo e vogël. Bashkëpunimi i vetëm që është bërë i mundur të arrihet deri më tani ka qenë se në asnjë banesë, biznes apo garazhe ku ka mbërritur [policia për kontrolle, banorët e Elbasanit dhe të rrethinave nuk kanë hezituar t`iu hapin dyert dhe t’u vënë në dispozicion të gjitha hapësirat e mundshme për të kryer kontrolle. Vijojnë kërkimet në terren, ndërsa një sërë strukturash, pretendohet se janë futur në punë për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, edhe pse deri më tani, nuk ka asgjë konkrete./shekulli/

Më Shumë

Lajmet e Fundit