10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Busti i Huniadit në Prizren – shenjë e miqësisë midis dy popujve

Në kompleksin e Kishës Katolike në Prizren, të mërkurën është zbuluar busti i Janosh Huniadit, guvernatorit të Mbretërisë së Hungarisë, që prej historianëve konsiderohet aleat i afërt i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë, diplomatë e ushtarakë nga Hungaria. Folësit, si nga ana e Kosovës ashtu edhe ajo hungareze, kanë vënë në spikamë miqësinë mes Huniadit dhe Gjergj Kastriotit, që, sipas tyre, është dëshmi e miqësisë së hershme midis dy popujve.

Historiografia e njeh Huniadin si prijës të Betejës së Dytë të Kosovës më 1448, të cilit synoi t’i bashkohej edhe Skënderbeu, por dështoi. Edhe vonesa e tij ende nuk është zbardhur në tërësi.

Zbulimin e bustit të Huniadit në Katedralen “Zonja Ndihmëtare” vikari Gjeneral i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Don Shan Zefi e ka cilësuar ditë e madhe, sidomos nëse merret parasysh fakti që me shekuj janë ruajtur në Katedralen e Prizrenit pikturat që paraqesin Gjergj Kastriotin e Janosh Huniadin.

István Balogh, drejtor politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, ka shprehur mirënjohjen për autoritetet qeveritare dhe komunale, si dhe atyre të Kishës Katolike për mundësimin e vendosjes së “kësaj vepre të bukur arti”.

Para të pranishmëve ai ka theksuar se emri Huniadi për hungarezët është shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh kontributin historik të kësaj familjeje, me ç’rast ka shpjeguar se Janosh Huniadi ka qenë edhe babai i mbretit të madh hungarez, Matyas, që ka investuar shumë në kulturë, armatë dhe në vetë shtetësi.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, ka pohuar se trashëgimia e miqësisë mes Huniadit dhe Gjergj Kastriotit është ruajtur me kujdes përgjatë historisë nga kleri katolik në Prizren.

Zbulimi i bustit të Huniadit është bërë në kuadër të “Javëve Kulturore Hungareze në Kosovë”, organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, aktivitet që ka nisur më 20 shtator dhe do të zgjasë deri në fund të vitit.

Më Shumë

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Lajmet e Fundit