10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin e të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor në Zaplluxhë të Dragashit

Në gjykimin ndaj të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, Hatmir Myrtezani, në seancën e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar kirurgu i përgjithshëm në spitalin e Prizrenit, Shpend Zajmi.

I njëjti ka deklaruar se si kirurg kujdestar ka hospitalizuar të dëmtuarin Ymer Ibrahimi dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme, pasi tek ai ka vënë re shenja vitale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zajmi tha se me të parë atë, ka konstatuar tek ai se ka plagë shpuese në të dy anët e shpinës (pjesës së epërme të dy shpatullave), plagë shpuese në regjionin e veshkave, me frymëzënie, e cila tha se ka rrezikuar jetën për shkak të kolabimit të mushkërive.

Në pyetjen e prokurorit  Ramadan Koro, se a ka mundur të konstatoj se me çfarë mjeti janë shkaktuar këto plage, dëshmitari Zajmi ka thënë se lëndimet të cilat i ka marrë pacienti janë shkaktuar me armë të ftohtë.

“Si profesionist shëndetësor, nuk kam shkollim akademik për llojin e armëve, por si kirurg, lloji i plagëve të pacientit ka qenë ky: plagë shpuese në mushkërinë e djathtë, në regjionin e abdomenit, plagë shpuese në regjionin e shpretkës dhe vazhdon me një plagë shqyese të murit të pasmë të lukthit, i cili ka rezultuar me një gjakderdhje intra abdominale, brenda kavitetit të abdomenit, në sasi prej një litër gjak, e cila ka qenë edhe indikacion vital për një operacion urgjent kirurgjik. Nga kjo që thashë më lart, ka mundësi që lëndimet e përshkruara nga jashtë, e jo nga brenda, të jenë të shkaktuara nga armë të ftohta”, ka deklaruar dëshmitari Zajmi.

Në seancën e së mërkurës, ka dhënë deklaratën e tij edhe dëshmitari Esaf Ibrahimi, i cili ka thënë se ditën kritike e ka parë të dëmtuarin në gjendje shumë të keqe, të humbur, të lodhur dhe të pavetëdijshëm.

Dëshmitari Ibrahimi deklaroi se ai e ka shoqëruar në spital të dëmtuarin, tek i cili, me të dërguar në emergjencë, ka vënë re se ka pasur shtatë plagë të shkaktuara nga i pandehuri Myrtezani.

“Ymeri nuk ka pasur probleme asnjëherë me Hatmirin, por një natë me herët, Hatmiri ka shkuar në kolibe, në bjeshkë, e ka rrahur djalin tim dhe djalin e shokut tim si dhe qenin tonë. Ymeri për këtë ngjarje me ka njoftuar mua. Unë atëherë kam biseduar me axhallarët e Hatmirit, Shpendin dhe Myrtezanin dhe ata me kanë siguruar duke me thënë se nuk është bërë punë e mirë, por nuk do të ndodhë më”, ka deklaruar ndër të tjera dëshmitari Ibrahimi.

Në seancën e së mërkurës, nuk ka prezantuar dëshmitari Samir Asotiq, për të cilën gjyqtarja Sabaheta Kurteshi tha se gjykata nuk ka fakte se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me 30 tetor 2020, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës, më 20 korrik 2016, rreth orës 10:30, në vendin e quajtur “Tek Limthi”, në bjeshkët e fshatit Zaplluxhë, i akuzuari i shkakton lëndime trupore të dëmtuarit Ymer Ibrahimi.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke biseduar me dy persona, te cilët ishin duke mbledhur kërpudha, i dëmtuari ndalet me automjetin e tij dhe fillon me sharje “ti q***robt, a e din kush jam unë” dhe pas konfliktit verbal i pandehuri e nxjerr thikën, ku siç thuhet në aktakuzë, ai e godet dy herë në shpinë dhe një herë në pjesën e abdomenit, për të cilat lëndime është lëshuar raport nga spitali regjional i Prizrenit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, e paraparë me nenin 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 pika 1.1 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Antidroga me aksion të madh në Prizren dhe Gjakovë, sekuestrohen kokainë e armë

Njësia e Antidrogës së Policisë së Kosovës është duke zhvilluar sot një aksion në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës, raporton Gazeta Sinjali. Mëson se gjatë...

MKRS ndan Çmimet Vjetore për Teatër

Në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë në Ditën Botërore të Teatrit u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore...

Lajmet e Fundit