14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Deputetja e LDK’së: As ne s’e pranojmë kushtëzimin e Vetëvendosjes për Presidentin

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova nuk e pranon kushtëzimin e Vetëvendosjes që mos ta propozojnë kandidatin për President në koalicion me VV’në.

Ajo ka thënë se një parti që s’i ka fituar 51 për qind të votave s’mund të bëjë kushtëzime të tilla.

“Kushtëzimi i Vetëvendosjes se nuk e pranojmë Presidentin nga LDK-ja është i papranueshëm. Kushtëzime të tilla s’mund të vendosin partitë që s’kanë fituar 51 për qind të votave”, ka reaguar Bajrami në Fb.

Reagimi i deputetes së LDK’së ka ardhur pasi Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes tha se s’e pranojnë që LDK të propozojë kandidatin për President. Paralajmëroi zgjedhje nëse LDK vazhdon të barrikadohet për këtë pozitë.

Ndërkaq, Hykmete Bajrami ka thënë se Vetëvendosje duhet t’i ndalë kushtëzimet dhe luftën speciale kundër LDK’së nëse dëshiron koalicion për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve.

“Propagandën dhe luftën speciale duhet ta ndalë Vetëvendosje nëse ka vendosur të ndërtojë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK po punon për ndërtimin e një Qeverie që do të ofrojë zgjidhje për secilin problem të qytetarëve. E jo Qeveri e cila rrëzohet pas një viti. Qeveri e cila nuk e përfundon mandatin. T’i lëmë deklaratat e të merremi vesh para se të prishet çdo urë bashkëpunimi”, ka shkruar Bajrami.

Express ka shkruar sot se pikërisht pozita e Presidentit ka shkaktuar problemin në ndërtimin e partneritetit të ri ndërmjet dy partive të para, VV’së dhe LDK’së, të cilat gjatë gjithë fushatës zgjedhore zotoheshin se do të bënin marrëveshje posa të përfundonin zgjedhjet. Deklaronin në secilën paraqitje publike se s’do të bllokohen për pozita qysh ka ndodhur prej pasluftës kur janë ndërtuar koalicionet. Megjithëse, pikërisht pozita e Shefit të Shtetit po i ndanë nga nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Qeverisë së re nga zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor.

Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca, të shtunën mbrëma, pas takimit të Kurtit me Mustafën, thanë se janë pajtuar për vazhdimin e dialogut. Konfirmuan se dështuan të arrinin një pajtim.

Sot, Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka konfirmoi se sot s’do të ketë takime të reja.

Ndërsa, Lutfi Haziri, Nënkryetar i LDK’së, që paralajmëroi dje “Marrëveshjen e Madhe”, ka thënë se marrëveshja do të ndodhë por ende është procesi i negociatave.

Burime të Express kanë thënë se Isa Mustafa mund ta rihap çështjen e Kryeministrit nëse Albin Kurti vazhdon të mos pranojë që LDK të propozojë Presidentin kur t’i përfundon mandati Hashim Thaçit.

LDK, prej se kanë përfunduar zgjedhjet, e ka bërë të qartë se pozita e Shefit të Qeverisë i takon partisë fituese. Në këtë rast, Vetëvendosjes, e cila ka 29 deputetë.

Ndërkaq, Isa Mustafa po vazhdon të kërkojë pozitën e Presidentit, Kryeparlamentarit dhe janë pajtuar me VV që të kenë pesë Ministri dhe Zëvendëskryeministrin e Parë.

Megjithëkëtë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë pajtuar të ndajnë pozitat qeveritare, megjithëse, lideri i VV’së u tall publikisht, në një intervistë televizive, me idenë e Kryetarit të LDK’së që gjithqysh të merrte Ministrinë e Punëve të Brendshme. LDK, bazuar në raportimet për marrëveshje, do të marrë edhe , Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Infrastrukturës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe sektorin e arsimit.

Albin Kurti është pajtuar të marrë financat, diplomacinë, shëndetësinë, drejtësinë, ambientin dhe bujqësinë.

Kulturën dhe Kthimin ua kanë lënë minoriteteve.

Pavarësisht se po vazhdojnë bisedimet për Qeverinë e re, zyrtarë të dy partive kanë vazhduar të lëshojnë akuza për njëri-tjetrin.

Para disa ditësh, Kurti provokoi Mustafën nga Tirana kur tha se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak.

Lumir Abdixhiku tha se i kanë kërkuar sqarime Albin Kurtit për këtë deklaratë. Por, nuk ka sqaruar se cila ka qenë përgjigja e pretendentit për Kryeministër të ri.

Sidoqoftë, hija e Vetëvendosjes e kishte ndjekur Isa Mustafën edhe kur ishte ngjitur në krye të Qeverisë. Zyrtarët e Vetëvendosjes përpos se e kishin akuzuar si njeri të Serbisë, i kishin organizuar edhe protesta para shtëpisë.

Gjuha e Isa Mustafës dhe Albin Kurtit kishte degraduar deri në atë masë sa njëri-tjetrin e përshkruanin me emra kafshës.

Nuk dihet pse Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë të VV’së janë treguar të matur dhe kurrë nuk e kanë sulmuar Kryeministrin në largim qysh kishin vepruar në raport me Kryetarin e LDK’së.

Më Shumë

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe dhe në tri fshatrat e Rahovecit

25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa...

Lajmet e Fundit