6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

“DokuFest” me grant si “infuzion” për t’i mbështetur krijuesit

“DokuFesti” këtë vit ka qenë i shpejtë për t’u përshtatur me pandeminë. Organizatorët e tij kanë mbledhur stafin dhe e kanë kthyer edicionin e 19-të në format online. Programi i pasur i tij është menduar për t’i afruar filmbërësit dhe publikun edhe gjatë një kohe të paprecedentë. Por, të mërkurën, krijuesit kanë pasur edhe një sihariq të mirë.

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, në bashkëpunim me festivalin zviceran “Internationale Kurzfilmtage Winterthur”, ka hapur thirrjen për grantin për produksionin e filmave të shkurtër.

Në rrethanat e pandemisë, organizatorët veç e kanë të qartë se pse po bëjnë diçka të tillë.

Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab”, ka thënë se nisma e tyre vjen si një infuzion në mbështetje të krijuesve që mund të kenë projekte filmike deri në 30 minuta. Ato mund të jenë të zhanrit dokumentar, fiksion, eksperimental dhe animacion.

Aplikimi është i hapur për filmbërësit e rinj të të gjitha etnive në Kosovë, të lindur pas vitit 1990. Filmi i përfunduar do ta ketë të garantuar shfaqjen në “Internationale Kurzfilmtage Winterthu” në vitin 2021 dhe në “DokuFest” më 2022.

Aplikuesit fillimisht duhet të dorëzojnë një aplikacion për grant, i cili plotësohet online dhe gjendet në ueb-faqen e Festivalit.

Në të duhet të jepen hollësi për zhanrin, temën, fabulën, strukturën, ambientin dhe personazhet e filmit të shkurtër origjinal (artistik apo dokumentar).

Projekti më i suksesshëm do të shpërblehet me shumën prej më së shumti 8 mijë franga zvicerane. Përveç shpërblimit monetar, projekti i përzgjedhur do të plotësohet me pajisje nga Qendra për Produksion të Filmit pranë “DokuFestit”. Kjo pasi që buxheti për pajisje, siç janë kamerat, incizuesit e zërit dhe ndriçimi bazik nuk duhet të jenë pjesë e procesit të planifikimit të buxhetit.

“DokuFest”, po ashtu, do të ofrojë hapësirë për montim dhe pajisje, si dhe versionin “DCP” për testim në kinema. Versioni përfundimtar i filmit duhet të përfundojë më së voni deri më 30 qershor 2021 për premierë në “Internationale Kurzfilmtage Winterthur”, nëse nuk përzgjidhet nga ndonjë festival tjetër i listës A.

Ndryshe, “Internationale Kurzfilmtage Winterthur” mbahet çdo vit në nëntor. Konsiderohet si festivali më i madh i filmit të shkurtër në Zvicër.

Nën rrethana normale, filmat që garojnë në Festival kualifikohen për t’u marrë në konsideratë për nominim për “OSCAR” e “BAFTA”. Ndërkaq “DokuFest”, që mbahet në Prizren të Kosovës, konsiderohet si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit dokumentar në Evropën Juglindore.

Më Shumë

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Lajmet e Fundit