8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Dragash: Dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari që e kishte rrahur një përson derisa po prisnin në radhë për t’i rregulluar veturat

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, në seancën fillestare që është mbajtur të mërkurën, e ka dënuar me 200 euro gjobë të pandehurin Elmedin Bojaxhi, i cili akuzoheh se ka kryer veprën penale të sulmit.

Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, pasi që i pandehuri ka pranuar paraprakisht fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Kurteshi, e ka obliguar atë që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale, 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të fondit për viktimat e krimit.

Kurse, të dëmtuarin Visar Skeraj, gjyqtarja e ka udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Pasi që është njoftuar me të drejtat e tij procedurale, nga ana e gjykatës, i pandehuri Bojaxhi, ka deklaruar se me vullnet, pa forcë dhe pa presion nga askush e pranon fajësinë për veprën penale.

Pranimin e fajit  nga ana e të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar as prokurori Musli Gashi, pasi që siç ka thënë ai, i njëjti është bërë me vullnet dhe është në përputhje me provat dhe faktet në të cilat mbështet edhe aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur me datën 28 shkurt 2020, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Elmedin Bojaxhi, akuzohet se me datën 18 janar 2020, rreth orës 13:30, në fshatin Pllavë, Komuna e Dragashit, saktësisht në hapësirën e automekanikut “Liridoni” i pandehuri pasi që fjaloset paraprakisht me të dëmtuarin Visar Skeraj, lidhur me rendin për rregullimin e automjetit, me pas me dashje përdor forcë, duke e sulmuar dhe goditur me grusht në syrin e majtë.

Me këto veprime, ai i shkakton të dëmtuarit lëndime, si pasojë e të cilave i njëjti ka kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dragash, me pas edhe në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Si rrjedhojë e kësaj, ai dyshohet të ketë kryer veprën penale “sulm” e paraparë në nenin 184, paragrafi 1, i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit