Papunësia, konsiderohet si njëra prej problemeve kryesore në ekonominë e vendit tonë dhe sektori që mund të ndikojë më së shumti në zbutjen e saj vlerësohet të jetë sektori i bujqësisë. Ky sektor, që për shumë vite ishte i lënë anash, ka filluar të ketë trajtim ndryshe, si nga niveli qendror i qeverisjes, ashtu edhe nga ai lokal. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në përputhje me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së, ka filluar që nga viti 2008 të ofrojë përkrahje të drejtpërdrejtë financiare përmes granteve investive dhe subvencioneve, e cila ka pësuar rritje të ndjeshme nga viti në vit.
Por, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, kjo rritje vazhdon të jetë ende e ulët krahasuar me nevojat zhvillimore të bujqësisë në Kosovë.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, thotë se përmes granteve investive, gjatë viteve 2008-2011 kanë krijuar 2175 vende të reja pune, në vitin 2012 kanë krijuar 1863 vende, ndërsa në këtë vit parashihet një rritje më e madhe e punësimit, në rreth 3034 vende pune, duke marrë për bazë rritjen e nivelit të granteve investive.
“Në procesin e vlerësimit, ekspertët bazohen në njësinë FTE, pra me orar të plotë dhe bazuar në këto standarde, vlerësohet se një punëtor angazhohet në rreth 3.33 hektarë pemë të reja, në rreth 0.40 hektarë serrë të re ose në rreth 4 hektarë vreshta të rinj. Shprehur në vlerë monetare, investimet për angazhimin e një punëtori të ri arrijnë deri në 10 mijë euro, të cilat me grante investive, deri në vitin e kaluar janë mbështetur në shkallë prej 50 për qind nga Ministria e Bujqësisë”, thotë zëdhënësi Behramaj, transmeton Orainfo.
Sipas raportit të vlerësimit afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili është hartuar bashkë me ekspertë ndërkombëtar të projektit të binjakëzimit me BE-në, këto 4038 vende të reja të punës deri në vitin 2012 janë krijuar me grante investive në vlerë prej 17,701,572 eurove në masën II, që ndërlidhet me ristrukturimin e potencialit fizik dhe në masën IV të këtij plani, që ndërlidhet me agropërpunimin, sepse jo të gjitha investimet gjenerojnë punësim.
“Përmes subvencioneve ndikojmë në uljen e kostos së prodhimit, ato kanë efekt stimulues për fermerë dhe me to mbështesim vendet ekzistuese të punës, që sipas raportit vlerësues, brenda vitit përmes subvencioneve mbështesim mbi 10 mijë vende ekzistuese të punës, që kalkuluar me 6 vite, nënkuptohet që kemi mbështetur mbi 60 mijë vende ekzistuese”, thotë Behramaj, i cili sqaron se as grantet investive nuk kanë gjithmonë efekte të drejtpërdrejta në punësim, veçanërisht ato që ndahen për sistemet e ujitjes.
Përgjatë vlerësimit, ekspertët ndërkombëtar nuk kanë marrë parasysh efektet e përkohshme që ndërlidhen me ndërtimin e një projekti investues, por efektet më afatgjata që vazhdojnë nga operimi me investimin, p.sh. fuqia punëtore plotëson investimin kapital, duke u llogaritur si input në prodhimtari.
Ministria e Bujqësisë është duke e zhvilluar sistemin e IT-së për monitorimin e treguesve që kanë të bëjnë me programin e saj, bazuar në inpute, outpute, rezultate dhe ndikim. Pas finalizimit të këtij sistemi, ky institucion do të jetë në gjendje të prodhojë edhe raporte të sakta mbi buxhetin publik të alokuar për grante rurale në drejtim të rritjes së prodhimit, standardeve të përmirësuara, vlerës shtesë të produkteve të sjella në treg dhe krijimit të vendeve të reja të punës.