Këtë javë në Malishevë fillon aplikimi i bujqve për ndërtimin e serrave. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e ka drejtuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Në këtë mbledhje drejtorët e drejtorive komunale kanë raportuar për aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar dhe për planifikimet për këtë javë.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, tashmë fillon edhe realizimi i projektit të parë për këtë vit në sektorin e bujqësisë, e që ka të bëjë me ndërtimin e serrave. Fillimisht bujqit do të aplikojnë për ndërtimin e serrave, e më pas, në bazë të numrit të aplikuesve dhe atyre që i plotësojnë kriteret, do të bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve. Drejtori Hoxha, gjithashtu tha se janë në përfundim të procedurave edhe për subvencione në bletari.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, ka njoftuar për aktivitetet e inspektoratit, që ka të bëjë me disa inspektime gjatë javës së kaluar, dhe si rezultat janë ndaluar punimet në ndërtimet pa leje, pastaj janë kontrolluar lokalet-kafiteritë, ku kanë hasur në moszbatim të ligjeve dhe aktivitete tjera të inspektoratit. “Inspektimet do të vazhdojnë edhe këtë javë dhe këto inspektime do të jenë të vazhdueshme”, tha drejtori Kastrati.
Drejtori i arsimit, Blerim Thaçi, ka njoftuar se gjatë këtij viti pritet që MASHT ta përkrahë Malishevën me disa investime në shkolla.
Ndërsa drejtori i Emergjencave, Valon Gashi, ka bërë të ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, është duke e monitoruar situatën nga reshjet atmosferike, si dhe rastet tjera emergjente, e që sipas tij, në disa raste ka rrëshqitje të dheut, si në fshatin Turjakë, dhe kjo rrëshqitje po paraqet problem, pasi dheu po bie në rrugë.