Pulat5-22Komuna e Fushë Kosovës ka investuar në “kultivimin” e pulave vojse. Në fillim të javës së ardhshme kjo komunë do t’i blejë nga kompania “Jazi 1” rreth 9 mijë zogj pule. Merret vesh se ajo ka planifikuar fillimisht t’i rrisë në kompaninë ku i ka blerë dhe pastaj do t’ua shpërndajë fermerëve të kësaj komune. Ende nuk dihet se nga sa të tilla do të fitojë secili fermerë, por në tenderin për furnizim komuna ka paguar për këtë punë rreth 40 mijë euro, apo pesë euro për një kokë pule, shkruan Tribuna.

Tenderi mes komunës dhe kompanisë fituese pritet të nënshkruhet më 27 maj.

Në Komunën e Fushë Kosovës nuk kanë dashur të thonë asnjë fjalë për këtë punë, edhe pse gazeta ka pritur për dy ditë përgjigje.

Ndërsa, në Ministrinë e Bujqësisë e shohin si jopraktike dhe të paarsyeshme këtë formë të blerjes së pulave, derisa ministria i subvencionon të gjithë fermerët në Kosovë për këtë çështje.
Fushë Kosova hesht

Përfaqësuesit e kompanisë që do ta furnizojë komunën e Fushë Kosovës me pula vojse shpjegojnë se nuk do ta dorëzojnë menjëherë mallin me rastin e nënshkrimit të kontratës.

Bashkim Gashi, përfaqësues i kompanisë “Jazi 1” nga Gjakova, ka thënë se tenderin nga komuna e kanë fituar për t’i rritur këto pula.

Pastaj, sipas tij, ato do t’i marrë komuna dhe do t’i shpërndajë për fermerët e kësaj ane.

“Sipas tenderit, me këto para parashihen të kultivohen rreth 9 mijë pula vojse”, ka thënë Gashi.

E, zëdhënësi i komunës se Fushë Kosovës, Ali Topalli, pavarësisht insistimit të gazetës dhe premtimit se do të japë informacione rreth kësaj blerjeje, nuk është përgjigjur fare.

Ai përmes telefonit ka thënë se bëhet fjalë për disa pula dhe kjo çështje, sipas tij, nuk është diçka më madhore.