7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Erdogan: Qeveria siriane do ta “paguajë shtrenjtë” vrasjen e ushtarëve turq

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të martën se Qeveria siriane do të paguajë “çmim shumë të lartë” shkaku që i sulmoi trupat turke në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, ku la të vrarë 13 ushtarë gjatë javës së shkuar, duke nxitur veprime hakmarrëse.

Pas kërcënimit të Erdoganit, Turqia ka njoftuar për vrasjen e 51 ushtarëve sirianë në verilindje, në kuadër të kundërpërgjigjes së rebelëve të mbështetur nga Ankaraja ndaj forcave qeveritare të përkrahura prej Rusisë, të cilat shënuan një përparim të rëndësishëm të martën në fushatën për eliminimin e bastioneve të fundit kryengritëse në vend, shkruan sot Koha Ditore.

“Ia kemi dhënë përgjigjen e duhur palës siriane. Sidomos në Idlib e morën atë që e merituan. Por kjo nuk mjafton, do të ketë vazhdim”, ka thënë Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara, duke shtuar se do ta shpalosë të mërkurën një plan të hollësishëm për mënyrën e menaxhimit të zhvillimeve në Idlib.

“Nuk do të ketë paqe në Turqi derisa Assadi të mos rrëzohet nga pushteti. Turqia duhet t’i nisë planet për të hyrë në Damask që tani dhe t’i asgjësojë mizorët”, ka thënë Devlet Bahçeli, shefi i partisë nacionaliste turke, partner i koalicionit qeverisës të Erdoganit.

Ndërkohë, forcat qeveritare të presidentit, Bashar al-Assad, e morën nën kontroll autostradën kryesore në qytetin Idlib, për të parën herë që prej 2012-s. Organizatat humanitare kanë raportuar ndërkaq se eksodi i qindra mijëra civilëve nga zonat e prekura është më i madhi që prej fillimit të luftimeve nëntë vjet më parë, ndërsa paralajmëruan për një krizë të re humanitare. Observatori sirian i të Drejtave të Njeriut, me seli në Britani të Madhe, ka njoftuar se forcat qeveritare kanë marrë nën kontroll gjithë autostradën M5, pasi që i dëbuan forcat rebele nga pozicionet e tyre përgjatë kësaj rrugë.

Autostrada M5 lidh Halepin në veri me kryeqytetin Damask, për t’u lidhur më pas me qytetin jugor Dera. Avancimet më të fundit të forcave të Assad u bën teksa në Ankara, bisedimet midis Turqisë dhe Rusisë për Sirinë kanë përfunduar pa një marrëveshje për ndalimin e përleshjeve që rezultuan javën e shkuar me vrasjen e 13 ushtarëve turq. Delegacioni rus kishte arritur në Ankara për këto bisedime gjatë së shtunës, por u largua të hënën vonë pa ndonjë marrëveshje.

Operacionet e ditëve të fundit kanë nxitur të paktën 700 mijë sirianë që t’i braktisin shtëpitë e tyre në zonat e prekura, për ta vërshuar kufirin e mbyllur me Turqinë. Shumica e të zhvendosurve janë gra dhe fëmijë.

“Ky, bazuar në analizën tonë fillestare, është numri më i madh i të zhvendosur brenda një periudhe të shkurtër qysh nga nisja e krizës siriane rreth nëntë vjet më parë”, ka thënë Jens Laerke, zëdhënës i agjencisë humanitare të OKB-së, OCHA.

“Pra, kemi të bëjmë me rritjen më të shpejtë ndonjëherë të të zhvendosurve”. Beteja për Idlibin është vendimtare për luftën në Siri, e cila ka lënë të vdekur deri më tani me qindra e mijëra luftëtarë dhe civilë, ka nxitur me miliona qytetarë që të zhvendosen përgjatë kufijve të shtetit apo gjetkë, dhe ka shkaktuar përçarje të mëdha në Lindjen e Mesme.

Më Shumë

Akil Gjakova lë pas problemet jashtë sportit, përfaqëson Kosovën në Evropianin e xhudos

Xhudisti Akil Gjakova do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian për Senior që do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë nga 25-27 prill. Ky muaj...

Ballkani në finale të Kupës

Skuadra e Ballkanit luajti baras me Suharekën në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës (2-2), por e ka siguruar kualifikimin në finalen e madhe...

Lajmet e Fundit