19.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Futet në mbrojtje të shtetit shtëpia prej guri e familjes Hoxhaj në Zhur të Prizrenit

Fshatrat e rajonit të Prizrenit janë unike, i till është edhe fshati Zhur. Ky fshat është njëri prej vendbanimeve më të mëdha të rajonit të Prizrenit, shtrihet rreth 10 km në jugperëndim të këtij qyteti.

Historikisht si vendbanim fshati Zhur përmendet që në shek. II-III të erës sonë. Ishte pjesë e rrugës së njohur Lissus-Naissus e cila lidhte Nishin-Prizrenin-Lezhën. Dëshmi e mbetur e periudhës romake është edhe stela prej gurit në oborrin e xhamisë së madhe të Zhurit, në të cilën është gdhendur hardhia me kalaveshin e rrushit, veçori e epigrafisë dardane.

Sipas prof. Zef Mirditës, Zhuri ka qenë ndër vatrat e kryengritjeve të pandërprera ndaj Perandorisë Romake në viset e Dardanisë, kryengritje që kanë vazhduar gjatë tërë historisë së fshatit deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pozita e përshtatshme natyrore u ka mundësuar që nga kohërat e lashta, banorëve të Zhurit të merren me blegtori, bletari e vreshtari. Ky fshat kishte edhe gurin, të cilin e përdorte për ndërtimin e shtëpive.

Një shtëpi e tillë që i ka mbijetuar kohës është shtëpia e familjes Hoxhaj.

Kjo shtëpi është e ndërtuar në qendër të fshatit, në një parcelë jo të rregullt, dhe në terren të pjerrtë. Ndërtesa është e vendosur skaj të rrugës, ku në pjesën e brendshme gjendet oborri dhe më parë kanë ekzistuar hambari, koshi, muret rrethuese dhe dy shtëpi tjera.

Duke u bazuar në të dhënat e familjarëve, shtëpia banohet nga gjenerata e tetë e familjes, duke u trashëguar nga i ati në bijtë, gjeneratë pas gjenerate. Në bazë të teknikës së ndërtimit dhe stilit, supozojmë që shtëpia mund të datojë nga shek. XVIII – XIX.

Ka planimetri drejtkëndore, e ndërtuar në përdhes dhe kat. Qasja në shtëpi në gjendjen fillestare bëhej nga ana lindore, nëpërmjet portës nga druri, prej nga vazhdonin shkallët e drurit që shpienin në kat. Kjo qasje është mbyllur dhe është zhvendosur në anën veriore.

Sa i përket trajtimit të jashtëm, ndërtesa ka një trajtim të thjeshtë linear, ku veçohet ndërtimi masiv nga gurët me formë të parregullt, me kënde të gdhendura në formë drejtkëndore. Hapjet e dritareve, të vendosura në mënyrë të parregullt, me formë dhe madhësi të ndryshueshme, krijojnë dinamikën e vetme në fasadat lineare. Në këndin juglindor të ndërtesës, vërehen disa dekorime me motive florale dhe rrethore, të gdhendur në gurët këndor.

Në enterier, në veçanti në dy dhomat e katit janë ruajtur elemente origjinale, që shquhen për një trajtim të pasur artistik.

Vlen të theksohet dhoma verilindore, ku janë ruajtur elementet e enterierit, sikurse pjesa e parahyrjes e kufizuar me shtyllë druri, parmakë dhe dollapët që përfundojnë me qymlekllëkun dhe hamamgjikun në kënd. Oxhaku me bazë rrethore, i dekoruar me motive florale gjendet në ballin verior të dhomës. Në thellësi të mureve janë hapur kamaret që shërbenin si jyklyk, të mbyllur me kapakë druri të dekoruar. Tavani është punuar nga druri, në stilin shishe tavan, me rozetën shumëkëndore në mes, dhe punimet në trajtë trekëndëshi në kënde.

Është ndërtuar me muret nga guri në trajtë të parregullt, kurse këndet janë punuar nga gurë të gdhendur në formë drejtkëndore. Hapjet e dritareve kanë ndryshuar madhësi dhe formë, pas adaptimeve të bëra gjatë kohës. Muret masive nga guri përfundojnë me kulmin katërujor, i cili deri në vitet 1980’ ka qenë i mbuluar me rrasa guri. Tani mbulesa është zëvendësuar me tjegulla të rrafshta nga argjila.

Nga koha kur është ndërtuar e deri më sot, shfrytëzohet për banim.

Shtëpia e gurit e familjes Hoxhaj paraqet një shembull unik të një shtëpie guri të ndërtuar në zonë rurale, ku enterieri është trajtuar me elemente të pasura dekorative, ngjashëm me trajtimin artistik të shtëpive qytetare.

Më Shumë

Urimi i Selmanajt për festën e Fitër Bajramit

Kryetari i LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj ka vizituar Bashkësin Islame. Ai ka uruar të gjithë besimtarët Islam për festën Fitër Bajramit. "Dashuria për atdheun dhe...

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Lajmet e Fundit