16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Gjashtë kompani në rrethin e ngushtë për ndërtimin e stadiumit Kombëtar të Kosovës në Drenas

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci vizituan lokacionin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar i Kosovës.

Gashi njoftoi se MKRS-ja ka zhvilluar procedurat për përzgjedhjen e kompanive për fizibilitet. Ministri tregoi se janë përzgjedhur gjashtë kompani në rrethin e ngushtë dhe do të merren me këtë proces, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“19 kompani prestigjioze që kanë hartuar projekte të stadiumeve ndërkombëtare kanë konkurruar, janë kompani me renome dhe është një fat i mirë që në thirrjen tonë për hartim të projektit kemi pasur kompani të këtilla”, ka thënë Gashi, transmeton Koha.net.

“Ne së shpejti do të përzgjedhim njërin nga projektet më të mira që do ta hartojnë këto kompani dhe të njëjtin do ta prezantojmë para publikut se si do të duket Stadiumi Kombëtar i cili do të ndërtohet në Komunën e Drenasit”, tha thënë ministri Gashi, duke shtuar se për herë të parë Kosova do të bëhet me një stadium të nivelit të lartë me një kapacitet nga 25 – 30 mijë ulëse dhe do të jetë investimi më i madh i shtetit të Kosovës në infrastrukturën sportive.

Veseli ka shprehur bindjen e tij se stadiumi që do të ndërtohet në Drenas do të jetë më i bukuri në rajon.

“Ky stadium, në këtë vend, i cili do të ndërtohet në Drenas, në qendër të Kosovës, do të jetë një nga stadiumet më të bukura që do ta ketë jo vetëm Republika e Kosovës, por jam shumë i sigurt edhe në regjion do të jetë më i bukuri. Do të jetë një stadium me standardet më të larta dhe në të njëjtën kohë në këtë vend do të shënohet historia”, tha mes tjerash kryeparlamentari duke potencuar faktin se djemtë që do të luajnë në këtë stadium do të shënojnë suksese historike për reprezentacionin e Republikës së Kosovës.

Veseli foli edhe për investimet tjera në rrethinën ku do të ndërtohet stadiumi, në mënyrë që të ketë edhe punësim për të rinjtë e të rejat që ata të qëndrojnë në Kosovë.

Ndërsa Lladrovci tha se Komuna dhe qytetarët e Drenasit e kanë pasur fatin që Stadiumi nacional të ndërtohet në komunën e Dreansit. Ai përmendi bashkëpunimin që ka pasur me MKRS-në dhe ministrin Gashi për zhvillimin dhe kompletimin e procedurave që pronat t’i kalojnë Ministrisë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit