7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Grafomania duhet të zhduket

GANI Rudaj dhe Dafinë Haziri

Në shkrimet dhe në ligjërimet tona të përditshme të llojeve të ndryshme na bie rasti të dëgjojmë à të lexojmë fjalë të thëna à të shkruara në forma të gabuara gramatikore, të cilat janë në kundërshtim me rregullat, me ligjet dhe me normën letrare të gjuhës së sotme letrare shqipe.

Këto gabime e prishin dukshëm strukturën kuptimore të shprehjes së fjalës së bukur shqipe. Për t’ i larguar këto përdorime të gabuara fjalësh e shprehjesh nga gjuha jonë, është e domosdoshme të përdoret fjalori drejtshkrimor, si dhe punimet që merren me problemet e gjuhës.

Fjala gramatikë rrjedh nga greqishtja që në gjuhën tonë do të thotë MJESHTËRI E TË SHKRUARIT.
Në gramatikë përfshihet tërësia e rregullave të ndryshimit të trajtave të fjalëve në një gjuhë dhe të lidhjes së tyre në fjali. Në gramatikë shqyrtohen rregullat fonetike, morfologjike e sintaksore.
Në të gjitha librat e gjuhës shqipe që merren me studimin e pjesëve të ligjëratave, hapësirë të konsiderueshme zë FOLJA.

Me FOLJEN janë marrë studiues të ndryshëm, si ata vendorë, ashtu edhe të huaj. Siç dihet, folja është pjesë e zgjedhueshme e ligjëratës, e cila gjatë përdorimit në fjali del me forma të ndryshme e të shumta gramatikore sipas MËNYRËS, KOHËS, VETËS, NUMRIT, DIATEZËS.

Gjatë përdorimit të foljeve, gabimet mund të jenë të llojeve të ndryshme, si për shembull STILISTIKE, LEKSIKORE, GRAMATIKORE, KUPTIMORE.

Në librat shkencorë, autorët që merren me problemet e gjuhës shqipe, kanë dhënë shpjegime për secilën pjesë të ligjëratës, si dhe kanë paraqitur tabelat p.sh. të lakimit të emrave për të dy trajta e numra si dhe për të dy gjini; pastaj tabelën e lakimit të mbiemrave, përemrave, numërorëve, si dhe pasqyrën tabelare të zgjedhimit të foljeve me të gjitha nëndarjet që i ka.

Këto shpjegime si dhe tabelat e dhëna të këtyre pjesëve të ligjëratës ua japin një ndihmesë të madhe NXËNËSVE, STUDENTËVE, GAZETARËVE, MËSUESVE, PROFESORËVE, ARSIMTARËVE, LEKTORËVE që ta kenë më të lehtë përdorimin e drejtë të këtyre pjesëve të ligjëratës në punën e tyre që e bëjnë.

Përdorimi i drejtë i këtyre pjesëve të ligjëratës na bëjnë të mundshme që shkrimet e tyre të na dalin pa gabime në të shkruar gjithashtu edhe në të kuptuar. Qëllimi i përdorimit të drejtë i fjalëve dhe i shprehjeve na bën të mundshme që në mënyrë sa më praktike ta kuptojmë atë që është shkruar apo folur. Lexuesi ka nevojë të kuptojë për atë që bëhet fjalë. Në këtë punim do të mundohemi që ky artikull të jetë sa më i dobishëm në aspektin e DREJTKUPTIMIT të shprehjes që do ta shqyrtojmë.

Në këtë punim do të bëhet fjalë për pjesoren e foljes GËZOJ që është GËZUAR. Autorët e librave shkencorë që merren me problemet e gjuhës me përpikmëri maksimale të mundshme janë munduar dhe e kanë bërë shpjegimin për secilën pjesë të ligjëratës. Autorët kanë shkruar edhe për trajtat e përdorura gabimisht, gjë që na bëjnë me me dije se ne nuk duhet t’ i përdorim ato.

Në gjuhën e sotme letrare shqipe te pjesët e ndryshueshme të ligjëratës vërehen më shumë gabime logjike sesa te pjesët e pandryshueshme. Pjesët e ndryshueshme të ligjëratës siç dihet janë: emri, mbiemri, përemri, nyja, numërori dhe folja. Në këto pjesë të ligjëratës vërehen gabimet drejtshkrimore. Këta autorë që janë marrë me këto probleme gjuhësore, paraprakisht kanë dhënë shpjegime për këto pjesë të ligjëratave.

Për EMRIN na kanë dhënë shpjegime se emri ka gjini, numër, rasë dhe trajtë. Kanë cekur se kemi emra që përdoren vetëm në njëjës dhe ato vetëm në shumës. Për MBIEMRIN kanë thënë se ka kategorinë e GJINISË, TË NUMRIT, TË RASËS dhe TË SHKALLËS.

Gjithashtu e kanë cekur se kemi dy lloje të mbiemrave që janë: TË NYHSHËM dhe TË PANYJSHËM. Për PËREMRIN na japin njohuri për llojet e tyre. Për NYJEN dhe NUMËRORIN marrim njohuri të vlefshme për mënyrën se si duhet t’ i përdorim ato. Në paragrafin ku bëhet fjalë për FOLJEN ne këtu mësojmë për përdorimin e drejtë të tyre.

Këta autorë bëjnë klasifikimin e tyre, pastaj shkruajnë për foljet e parregullta supletive dhe josupletive.
Gjithashtu marrim njohuri për foljet NDIHMËSE dhe GJYSMËNDIHMËSE, se si dhe kur përdoren ato. Në fund të shpjegimeve për foljen, autorët kanë shpjeguar edhe për trajtat e pashtjelluara të foljes. Të gjitha këto të dhëna të dobishme për foljen janë shfaqur të zgjedhuara nëpër tabela si në diatezën veprore, ashtu edhe në diatezën joveprore ( mediopasive ). Trajtat e pashtjelluara të foljes janë: PJESORJA, PËRCJELLORJA dhe PASKAJORJA. Ne këtu do të shkruajmë për PJESOREN.

Pjesorja është një nga trajtat e pashtjelluara të foljes. Pjesorja nga ana kuptimore dhe gramatikore ka edhe karakteristikat e mbiemrit dhe që merr pjesë në formimin e trajtave të përbëra të foljeve. Pjesores në gjuhën greke i thonë MATOCHE, ndërsa latinisht PARTICIPIUM. Pas shumë studimeve që janë bërë për pjesoren, Gjuhësia krahasimtare ( KOMPARATIVE ) , ka arritur në përfundim se INDOEVROPIANISHTJA ka pasur disa tipa pjesoresh. Secila folje e gjuhës shqipe e ka pjesoren e vet. Duhet të theksojmë se PJESORJA nëse përdoret si një fjalë e vetme, nuk ka asnjë kuptim. Është e thatë. Kjo pjesë e pashtjelluar e foljes ndihmon në formimin e kohëve të përbëra të foljes. P.sh. kam PUNUAR, jam GËZUAR, qofsha LARË, e shumë shembuj të tjerë. Pjesorja ndihmon edhe në formimin e mbiemrave të nyjshëm, si p.sh I GËZUAR, I KËNDUAR e ndonjë tjetër.

Në këtë punim ne do të merremi vetëm me pjesoren GËZUAR. Këtë pjesore e shohim të shkruar gabimisht dhe e dëgjojmë gabimisht. Për mendimin tonë pjesorja GËZUAR përdoret pa asnjë kuptim logjik në rastet si: GËZUAR DITËLINDJEN, GËZUAR DIPLOMËN, GËZUAR TOKËN, O MIK! Këto lloje të shembujve janë me qindra dhe të gjitha të përdorura gabimisht. Ata që shkruajnë këso fjali quhen GRAFOMANË.

Grafomania është një sëmundje për të shkruar diçka pa e marrë parasysh cilësinë dhe përmbajtjen e shkrimit. Duhet të largohemi me hapa të shpejtë nga kjo SËMUNDJE e rrezikshme! Të përkujtojmë se gjuha jonë pos mënyrave të tjera të foljes, kemi fatin që gjuha jonë ka edhe mënyrën DËSHIRORE. Këtë mënyrë shumica e gjuhëve nuk e kanë. Me anë të mënyrës dëshirore folësi shpreh një dëshirë në formë urimi osé mallkimi. Kjo formë e foljeve në gramatikat e gjuhës shqipe përfshihet në një formë të veçantë që njihet me termin MËNYRA DËSHIRORE ose OPTATIVI. Ky emërtim është vendosur në KONGRESIN ARSIMOR TË LUSHNJES më 1920.

Kjo formë foljore përdoret kryesisht nëpër fjali të pavarura ose kryesore, por ndeshen edhe në ndonjë tip fjalish të nënrenditura kushtore, përkatësisht në fjalitë lejore të prira nga lidhëza nënrenditëse NË. Të themi se në fjalitë e pavarura ose kryesore, format e dëshirores shprehin kuptimin modal të dëshirueshmërisë ( në formë urimi ose mallkimi ), kurse në fjalitë e nënrenditura kushtore dhe lejore ato shprehin kuptimin modal të mundshmërisë. Krijimi i dëshirores ( optativit ) është një fakt tashmë i pranuar nga të gjithë ata që janë marrë me problemet e gjuhës. Gjuha jonë duhet të jetë e kënaqur që e ka këtë mënyrë që edhe është hapëse kryesore për të shprehur dëshirën.

Tani na mbetet të merremi me pjesoren GËZUAR. Si ta zgjidhim këtë problem që është shfaqur i shkruar gabimisht për shumë vite. Kjo pjesore në këta shembuj të lartëpërmendur ne mendojmë se është më mirë të zëvendësohet me foljen e mënyrës dëshirore, si në numrin njëjës, ashtu edhe në shumës. Me këtë zëvendësim mesazhi do të jetë më i kuptueshëm për ne. P.sh. E GËZOFSH FESTËN, E GËZOFSHI FESTËN; E GËZOFSH FITOREN e të tjera shembuj të këtij tipi. Shqipja e ka dëshiroren, atëherë ta përdorim.

Sa i përket këtij problemi gjuhësor, ne e menduam kështu zgjidhjen e tij, por nuk do të thotë se nuk mund të jetë edhe më ndryshe, e edhe më mirë.

Më Shumë

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës nga ana e Kosovës dhe Morinës nga ana e...

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Lajmet e Fundit