7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Heroi antik -Bekim Fehmiu

(Shkrimi është marrrë nga monografia “BEKIMF EHMIU-Odiseu i Kosovës” i autorit Fahri Musliu)

Aktori, Rade Sherbexhija
(20.06.2010)

Thonë se nuk ka aktorë dhe aktore shumë të mëdhenj. Thonë se është më e drejtë të thuhet se ka aktorë të mëdhenj dhe të veçantë në madhështinë e tyre. Kështu që unë, kësaj here, duke pasur si synim që të mbështes vëllazërinë e kolosëve tanë që janë larguar para kohe, do të shkruaj: U largua një nga artistët më të mëdhenj që kemi pasur… Bekim Fehmiu. Legjendë. Mit. Model…

Nuk bëri as gjysmën e asaj që mund të bënte. Jo se s’pati kohë, por sepse nuk deshi. Dhe, ndërkohë, bëri më shumë sesa gjithkush tjetër në këto hapësira. Me qetësi. Me pjekuri. Me dinjitet. Ekzistojnë njerëz – të urtët, që fytyrën e vet e meritojnë qysh në rini. Një nga këta, me siguri, është Bekim Fehmiu.

Kjo fytyrë e bukur antike, si e gdhendur nga dora më mjeshtërore e një skulptori të plotfuqishëm, përçon një kurajë gati si te Akilit, kurse vështrimi i tij ka një shkëlqim të madhërishëm të tillë që gati sa nuk “të pret”. Luftëtar… Poet… I urtë… Samuraj…
Të tillë e kemi njohur, para një njeriu të tillë kemi ndalur frymën. Prapa artistëve, gjithnjë mbesin vetëm rolet e tyre të mëdha. Këto role, në teatër, mbetën të shënuara vetëm në kujtesën e atyre që kanë jetuar në të njëjtën kohë me ta. Për fat të mirë, celuloidi filmik i shënon jetën dhe veprat në përjetësi… Kështu që, personazhet filmikë të paharruar që ka krijuar Bekimi, do të jetojnë përgjithnjë në thesarin kulturor të pasur të popujve të hapësirave tona.

Kujtimet e disa kolosëve të filmit në vetëdijen tonë, nën ndikimin dhe me ndërmjetësimin e teknologjisë së internetit, ne i shndërrojmë në shenja, në shkëndija të shkurtra kuadri filmik, në momente që nuk harrohen: Vështrimi qesëndisës depërtues i Brandos, buzëqeshja e lodhur poshtë kapelës së zezë të Beogradit, “frymëmarrja e fundit” e Belmondos ndërsa fërkon me gisht buzët e thara dhe duart e gjakosura të Bekimit pas thyerjes së gotave e të ngritura para syve… (“Mbledhësi i puplave”, v.j.). Momente që meritojnë përjetësinë…

Kështu, në mendjen tonë do të shkëlqejë Bekimi. Krah për krah me kolosët më të mëdhenj të kinematografisë botërore…

Por njerëzit nuk na mbesin borxh vetëm me veprat e tyre, por edhe me jetën e tyre. Nikola

Teslla nuk u bë i përjetshëm dhe unik vetëm për shkak të zbulimeve dhe të veprave të tij, me të cilat e përparoi dhe pasuroi botën pothuajse me shumë sesa çdo kush tjetër në gjallje; Teslla me urtësinë, mirësinë dhe fisnikërinë e tij plotësoi, në radhë të parë, figurën e tij, kështu që atë e nderojnë njëlloj të gjithë popujt dhe kombësitë në këto hapësirat tona.

Kështu qëndron puna edhe me Bekimin. Në këto kohëra të vështira, që përshkojnë jetët tona dhe që dy herë na kanë varfëruar, dhe në të cilat ne ende jetojmë, ndërsa dëgjojmë herë pas here jehonat e topave dhe të mitralozave, Bekimi si një hero antik, qëndronte i pafjalë dhe i ngujuar, si i ngrirë në vend, midis popujve ndërluftues. Dhe kështu, lirën e tij poetike e la mënjanë dhe heshti përgjithnjë…

I zhgënjyer dhe i ofenduar, e braktisi artin, sepse ky “profesion tradhtar” humbi çdo kuptim në këto hapësira, ku njerëzit u bënë të egër dhe u shndërruan në bisha. Iu desh të ikte në Paris dhe Romë, ose kudo gjetkë, mjaft larg, por shumë krenar, sikurse edhe ishte, dhe… si një hero antik e zgjodhi vetë rrugën e tij…

U mbyll brenda katër mureve të shtëpisë së vet, pragun e së cilës rrallë herë e kapërceu këto vitet e fundit. Atje, në vetminë e tij, sikurse na tregonin të afërmit e tij, kryesisht lexonte libra, heshtte dhe nganjëherë shkruante… Dhe kështu jetonte mërgimin e vet vullnetar nga të dy popujt, artist i lavdishëm i të cilëve kishte qenë dikur. Tragjedia ka rrjedhën dhe ritmin e saj të veçantë. Kur nis të lëvizë, askush nuk mund ta ndalë atë… Vetëm më të guximshmit midis nesh kanë forcë që të mos lëkunden para së keqes së stuhishme dhe kohërave të vështira…

Bekimi, sikurse thonë, u la lamtumirë të gjithë atyre që i donte më shumë në botë, dhe për të cilët kishte jetuar në gjithë këto vite… Gruas së tij të bukur, Branka, dy bijve të tij, Uliksit dhe Hedonit, nipërve dhe të afërmve të tij… Dhe, më pas… e mbuloi kokën e tij të bukur me një fletë të bardhë dhe qëlloi… në tëmblën e tij të djathtë. Vallë a u dëgjua sa duhet qartë kjo e krismë? Athua ndryshoj gjë për një çast? Vallë a ra fare në mendime ndokush pas kësaj?

Më Shumë

52 vite më parë Bekim Fehmiu vizitoi për herë të parë Shqipërinë

Më 21 prill 1972 aktori kosovar me famë botërore Bekim Fehmiu vizitonte për herë të parë Shqipërinë. Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936...

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

Lajmet e Fundit