7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Hetuesit e diktaturës nuk pendohen, rrëfimi i gruas së Visar Zhitit: Si i kërkuan ndjesë gjykatësit italianë për burgun politik në Shqipëri

“Nuk kërkoj falje, e tillë ishte koha… Kam zbatuar ligjet”. Ky është justifikimi, pas të cilit fshihen gjyqtarë, prokurorë, hartues ekspertizash, firmat e të cilëve kanë çuar drejt vdekjes mijëra shqiptarë gjatë viteve të diktaturës.

Askush nuk ka kërkuar falje për vrasjet, burgosjet, internimet dhe të vuajturit e atij sistemi. Kanë ikur apo do të ikin nga kjo botë, pa marrë me vete një grimcë paqeje. Një deklaratë të tillë ka bërë edhe ishKryeprokurori i regjimit komunist, Rrapi Mino, i cili ndërkohë ankohet për akuzat për “krime kundër njerëzimit”, pas rënies së sistemit.

Por atë që nuk e bën askush në Shqipëri, e bëjnë të tjerë, që nuk kanë lidhje me diktaturën shqiptare. Një kuvend gjykatësish italianë i ka kërkuar falje shkrimtarit e poetit Visar Zhiti, në emër të kolegëve të tyre shqiptarë. Ishte Kuvendi i tretë, të cilin e quajtën “Kuvendi i faljes” dhe që u njoftua nga mediat italiane, Agjencia ANSA, gazeta “La Repubblica”, etj., por edhe në Kosovë e diasporë.

I ftuar nderi në këtë kuvend ishte shkrimtari e poeti Visar Zhiti, së bashku me bashkëshorten, Edën, e cila rrëfen për atë ngjarje aq të pazakontë për mentalitetin shqiptar, por aq të natyrshëm diku tjetër, përtej Adriatikut.

VISAR ZHITI (MAJTAS) ISH-KRYEPROKURORI I REGJIMIT KOMUNIST, RRAPI MINO
VISAR ZHITI (MAJTAS) ISH-KRYEPROKURORI I REGJIMIT KOMUNIST, RRAPI MINO
EDA ZHITI

Ç’BËN DREJTËSIA TE NE, KUR JURISTËT E EUROPËS I KËRKUAN FALJE VISAR ZHITIT…

Ndodhi në rrugën e famshme “Vittorio Veneto”, në krye të së cilës është dhe një pllakë memoriale që tregon se pikërisht aty është xhiruar filmi i njohur “Dolce vita” i De Sika-s, në anë të saj, në hotelin “Majestic”, pikërisht në sallonin mondan gjithë shkëlqim “Verdi”, si një antitezë e sallave të gjyqit, ku kujtimi i qelive ishte një torturë e vërtetë. Në hyrje ishte dhe një ekspozitë e fotografit të filmit të lartpërmendur të kësaj rruge, Carlo Riçardit, me të cilin gjykatësit kishin pasur punë, e kishin thirrur dikur në një proces gjyqësor si paparac, për ndërhyrje në jetën e të tjerëve me ato shkrepjet e aparatit të tij. Tema e kuvendit të juristëve shkrimtarë të Europës ishte:

“Poezia e Drejtësisë”; kështu do të thoshte kryetari i tyre, Gennaro Francione, gjykatës – romancier e dramaturg, eseist gjithashtu, autor edhe i një drame për Skënderbeun. Ndërsa presidenti artistik i Kuvendit, Stefano Leconte, do ta çelte takimin me një homazh të magjistratit Ugo Betti, njërin prej tre dramaturgëve më të mëdhenj italianë, së bashku me Pirandelon dhe Eduardo de Filippo-n, jurist të tre. “Në këtë gjysmëshekulli,-do të theksonte ai,- rreth 130 gjykatës-shkrimtarë po japin një dukuri unikale në letërsinë e të gjitha kohëve”.

Dyzet magjistratë të tjerë, si: Umberto Apice, Paolo Auriemma, Antonio Bevere, Valentino de Nardo, Luigi Condemi, Giovanni Gazzara, Alfonso Malinconico, Italo Radoçia, por dhe avokatë si Giovanni Cipollone, Luigi di Majo, Massimiliano Kornmuller, Francesco Petrillo, Donato Mario Pugliese, etj., dhanë relacionet e tyre eseistike. Shkrimtari Visar Zhiti, si ish-i burgosur politik dhe poet që shkroi fshehurazi në burg, u thirr në krye. Kërshëri e madhe, emocione të mëdha…

visar

Pyetjet ishin të shumta e nga më të papriturat. Të pranishmit donin të dinin sesi u dënua në vendin e tij, përse, a janë dënuar dhe të tjerë duke pasur si shkak vetëm poezinë, a mundej të shkruaje edhe në burg, si ruheshin shkrimet, si mund t’i nxirrje ato nga qelitë, etj, etj. Pas rrëfimeve, që e mahniti sallën, të Visar Zhitit, kryetari i shoqatës europiane të juristëve-shkrimtarë, Gennaro Francione, ndër të tjera tha se gjykatësit edhe gabojnë dhe dënimi s’është gjithmonë i drejtë, por është e tmerrshme të dënosh të tjerët për poezitë e tyre. Kështu më shumë jemi të vetëdënuar. “Kush jemi ne, që kemi të drejtë të dënojmë,-thirri ai. Unë si jurist,-vazhdoi,-e ul kokën tani dhe, po të kisha togën e gjykatësit këtu, do t’ia jepja Visar Zhitit”.

Me një veprim dhembjeje, Francione, në emër të gjithë gjykatësve të botës, bëri atë që s’ishte bërë ndonjëherë, i kërkoi falje Visar Zhiti, sepse gjyqi, tha ai, kudoqoftë ai gjyq, kishte dënuar një poet. Jam në momentin më të lartë të jetës, përfundoi ai. Ky është (anti)gjyqi im, ku unë erdha me dëshirë, e mori fjalën Zhiti, dhe i ndodhur para faljes së parë që më kërkohet, jam i emocionuar dhe besoj te drejtësia e faljes. Po unë kam shokë të pushkatuar dhe e drejta e faljes, sublimisht, është e tyrja. Poezia që ata lanë, është më e fortë se diktaturat. Mes duartrokitjeve të shumta, Visar Zhiti më pas lexoi në gjuhën amtare poezi të shkruara në burg, kurse të përkthyera në italisht i lexuan gjykatësit italianë, pjesëmarrës ne këtë kuvend. “Edhe ne po bëjmë antisentencën”,-thanë ata.

eda

* * *

Një tjetër ndërhyrje tronditëse ishte edhe nderimi postmortum i një gjykatësi nga ishulli i Iskias, njëkohësisht dhe shkrimtar, Enrico Monti. E bija e tij, Johanna, solli kujtime të të atit nga kampet e përqendrimit në Gjermaninë naziste, të përmbledhura në librin e njohur Kappusta, ku vuajtja dhe vdekja ngjanin si dy pika loti me ato të komunizmit. Sipas diskutantëve, ishin të nevojshme kultura dhe artet, që drejtësia të bëhej më e drejtë dhe brezave të rinj t’u mësohej etika nëpërmjet së bukurës. Performancat dramatike si “Himni i Bukurisë – nga qelia e Dostojevskit” dhe monologët nga vepra të Molierit e të autorëve të pranishëm, përforcuan motivin mbyllës të kuvendit:

“E bukura do ta shpëtojë botën”. Por kulmi u konsiderua nga të gjithë çasti real i faljes, kur gjykatësit u përulën para të dënuarit të tyre dhe vetë Kuvendi i Tretë i shoqatës europiane të gjykatësveshkrimtarë mori emrin “Kuvendi i faljes”. Një i dënuar shqiptar i diktaturës tronditi juristët europianë. Nuk ka shumë rëndësi që kjo ishte midis shkrimtarësh. Por, megjithatë, ka domethënien tronditëse. Se shkrimtarët e dënuar në Shqipëri kanë pasur për dëshmitarë, provokues apo aktekpertizues, kolegët e tyre, shkrimtarë të tjerë dhe intrigat më të mëdha, prapaskenat, nuk u bënë nëpër vepra, por në jetë, me epilogë salla të errëta gjyqesh e skuadra pushkatimi.

Por a do të dinë të kërkojnë falje ndonjëherë? Sa më e largët të jetë ajo ditë, aq më afër krimit do të mbetemi. Madje, dhe bashkëfajtorë pranë gropës së hapur. Dhe të mendosh se ata, persekutorët e dikurshëm ende guxojnë të sulmojnë të persekutuarit e tyre me forma të tjera, duke shfrytëzuar lirinë, teksa janë bërë dhe të pasur e kanë marrë pushtet të pakufishëm…

Rrapi Mino: Nuk kërkoj falje, zbatova ligjin

“E tillë ishte koha, Kodi Penal, fryma shoqërore etj..”. Kështu i justifikon të gjitha firmat e hedhura për dënimet e vdekje, ishkryeprokurori gjatë viteve të diktaturës, Rrapi Mino. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se nuk mund të vepronte ndryshe, “Se nuk të lejonte hapësirë Kodi Penal. Ndryshe, dënohesha për vete për shpërdorim detyre…”. “Të gjitha këto në kuadrin e atij regjimi, unë nuk isha regjimi, por vetëm një zyrtar i tij…”, thotë Mino.

Ai shpreh keqardhjen për familjarët e viktimave, por nuk mendon se duhet të kërkojë falje, përderisa ka vepruar në përputhje me ligjin, madje me shumë zell. “Të them të vërtetën, ndihem i keqardhur për gjithë ato fatkeqësi njerëzore, por rezervohem të them më fal, sepse, në fund të fundit, kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, bile me korrektësinë më të madhe, atë që parashikonte Kodi Penal germë për germë e nen për nen. Këtë e kam shprehur edhe gjatë procesit penal kur u penalizova për gjenocid e krime kundër njerëzimit…”, thotë ai.

/ PANORAMA

Më Shumë

Tri përballje interesante në Albi Mall Superliga – vëmendja në Suharekë

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë në Suharekë, pasi Ballkani është nikoqir i Dritës për...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit