2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Immobile, golashënuesi më i mirë në Evropë

Sulmuesi i Lazios, Ciro Immobile, është vendosur të bashkohet me një klub ekskluziv si lojtari me më së shumti gola të shënuar në Evropë për edicionin 2019/20. Në një dekadë të dominuar nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, italiani i nënvlerësuar është gati të sigurohet për ta fituar “Këpucën e Artë” Evropiane, çmim ky që i takon golashënuesit më të mirë të kontinentit, shkruan agjencia AFP.

Prej Messit, te Ronaldo, Mohamed Salah, Robert Lewandowski dhe Erling Braut Haaland, askush në Evropë nuk ka arritur të mbajë ritmin me lojtarin me origjinë nga Napoli, sulmuesin Immobile.

Immobile e tejkaloi sulmuesin e Bayern Muenchenit, Lewandowskin me golin e tij të 35-të që e shënoi në mesjavë kundër Brescias, kurse të shtunën (sot) do ta mbyllë fushatën e tij me ndeshjen që Lazio e luan kundër Napolit. Lewandowski edicionin e ka përfunduar me 34 gola. Ylli i Juventusit, portugezi Ronaldo, ka 31 gola të shënuar dhe është katër prapa Immobiles. Juventusi ndeshjen e fundit të këtij edicioni e luan në shtëpi kundër Romës, në të cilën Ronaldo mund të mos aktivizohet fare për t’u pushuar për ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Lyonit që luhet javën tjetër. Kjo nuk është hera e parë, që Immobile 30-vjeçar ka kryesuar listën e golashënuesve më të mirë në Serie A, pasi edhe në dy raste të tjera është shpallur si shënuesi më i mirë në kampionatin italian, në vitin 2014 dhe 2018. Mirëpo, Immobile do të jetë vetëm fituesi i tretë italian që ka fituar “Këpucën e Artë” të Evropës pas Francesco Tottit e Luca Tonit. Totti në vitin 2007 me fanellën e Romës kishte shënuar 26 gola, kurse Toni një vit më herët kishte realizuar 31 gola për skuadrën tjetër italiane, Fiorentina. Në rast se Immobile shënon dy gola të tjerë në ndeshjen e fundit të Lazios për këtë edicion kundër Napolit, atëherë do të bëjë një arritje tjetër të rëndësishme. Ai do të tejkalonte rekordin e Gonzalo Higuianit prej 36 golave në Serie A, të cilin e kishte vendosur në edicionin 2015/16 derisa ishte pjesë e skuadrës së Napolit.

“Më vjen keq vetëm që nuk mund t’i festoj këta numra me tifozët e klubit”, pranoi Immobile që tashmë e ka fituar nofkën “King Ciro” në kryeqytet, por karriera e të cilit para mbërritjes në Romë kishte qenë e çrregullt. “Kam pasur një formë fantastike dhe më vjen mirë që ndihmova ekipin të kthehet në Ligën e Kampionëve pas më shumë se një dekade. Ndonëse, më duhet të pranoj se dëshira ishte të fitonim titullin, por në përgjithësi patëm një paraqitje të mirë si ekip”.

Më Shumë

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Durrësi qyteti më i nxehtë deri në 2040-ën, në mesin e tyre edhe Prizreni

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë bën të ditur se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të...

Lajmet e Fundit