9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

AKR-së ju bashkova për shumë arsye

Naim MalokuNaim Maloku është përcaktuar që karrierën politike tash e tutje ta vazhdojë si anëtar i Aleancës Kosova e Re. Këtë vendim ai ka thënë se e ka marrë për disa arsye.

Njëra nga to, është bashkëpunimi që ka pas me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli, gjatë kohës kur ky i fundit ishte president shteti. Asokohe, Maloku ishte këshilltar i tij për siguri.

Por, arsye edhe më e madhe për aderim në AKR, ai ka thënë të ketë qenë performanca e mirë që kanë treguar ministrat e kësaj partie në Qeverinë Thaçi dhe performanca që po tregojnë Mimoza Kusari-Lila në Gjakovë dhe Agim Bahtiri në Mitrovicë. Në intervistë për Tribunën, ushtaraku me karrierë, ka shprehur bindjen se do ta japë kontributin e tij profesional si pjesë e partisë së Pacollit.
Tribuna: Çfarë ju ka shtyrë që t’i bashkoheni Aleancës Kosova e Re?
Maloku: Janë tri apo katër arsye që më kanë shtyrë t’i bashkohem kësaj partie. Që tri vjet e përcjelli më për së afërmi zhvillimet edhe brenda AKR-së edhe afër saj. E dini se kam qenë këshilltar për siguri nacionale gjatë kohës sa Behgjet Pacolli ka qenë president i vendit. Arsyeja kryesore është performanca e ministrave të kësaj partie gjatë qeverisjes në këto tri vjet si dhe performanca e dy kryetarëve të kësaj partie në Gjakovë dhe Mitrovicë. Mendoj se është një ndryshim shumë pozitiv në udhëheqjen në këto komuna. Po ashtu programi dhe vizioni i AKR-së, që është për zhvillimin ekomomik të vendit. Dhe mediat janë ato që për këto tri vjet më kanë mbajtur në skenë përmes vlerësimeve të mia rreth zhvillimeve të sigurisë në vend. Mendoj se ndikimi im brenda një subjekti politik do të jetë edhe më i madh. Nuk është vendim që është marrë për një javë apo një muaj, por është një përcjellje e këtij lidershipi të kësaj partie që tri vjet.

Tribuna: Kalimi juaj në prag të zgjedhjeve nacionale të cilat pritet të mbahen këtë vit, mund të lidhet me ndonjë synim tuajin për të qenë pjesë e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme?
Maloku: Nuk kam menduar as për listë e as për qeveri. Janë dy muajt e fundit më intensivë rreth kontaktit tim me lidershipin e AKR-së, por nuk kemi biseduar as për listë e as për mundësinë e kyçjes në qeverinë e ardhshme. Janë disa zhvillime shumë interesante dhe sfiduese për Kosovën në të ardhmen në aspektin e sigurisë. Kam qenë shumë aktiv në këta muajt e fundit dhe kam menduar që të jap një kontribut në këtë drejtim. Po ashtu m’u ka dhënë një mundësi e mirë që të jem pjesë e këtij ekipi dhe kjo është e tëra që më ka shtyrë që t’i bashkohem AKR-së.

Tribuna: Cili pritet të jetë kontributi juaj në AKR?
Maloku: Në fushën e politikëbërjes që ka të bëjë me infrastrukturën e sigurisë së shtetit të Kosovës. Jam i bindur se do të punoj ngushtë me të gjithë homologët e mi të partive politike sepse infrastruktura e sigurisë nuk është vetëm e AKR-së, por duhet të punojnë të gjithë bashkë. Po ashtu kam qenë konstruktiv nëpër debate me të gjithë kolegët e mi të partive tjera të cilët e kanë këtë fushë dhe do të mundohem edhe unë të jap një kontribut që nga ato debate të dalë diçka sa më produktive për vendin si dhe të kemi institucionet të sigurisë në vend sa më apolitike, sa më të përgjegjshme dhe sa më efikase.
Tribuna: Kur keni pas dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të burgut të Gërdovcit, keni pas thënë se këtë po e bëni për t’iu kthyer jetës private në fushën e biznesit. A ka qenë kjo një parapërgatitje për t’iu bashkuar këtij subjekti politik?
Maloku: Kanë qenë dy arsye. Arsyeja e parë ka qenë kryekëput familjare. Ka që një vit që djemtë e mi janë sistemuar në tri shtete perëndimore dhe kam qenë jashtë shumë i angazhuar rreth familjeve të tyre, sepse që të tre janë me familje dhe javën e fundit e kam përcjell familjen e djalit të vogël për në një shtet evropian. Arsye tjetër është se burgu i sigurisë së lartë ka qenë në përfundim të ndërtimit të tij dhe kam menduar se duhet të lëshohet rrugë para se ai të ndërtohet, në mënyrë që të vjen drejtori i ri dhe ai t’ia nisë punës së re. Kam menduar se nëse unë vazhdoj për disa muaj dhe jap dorëheqje dhe e lë atë vend vakant, pastaj derisa të vjen tjetri dhe të akomodohet është goxha kohë. Unë e kam marrë me zemër atë punë për aq kohë sa kam punuar. Një vit sa kam punuar, kam qenë gjashtë muaj edhe në Dubravë me ekipën e menaxhimit të Dubravës. Gjithashtu në një afat të shkurtër kam qenë i angazhuar me një kompani sllovene e cila merret me barëra, por nuk pata mundësi për të vazhduar tutje. Pra arsyet kanë qenë kryekëput familjare.
Tribuna: A keni pasur oferta nga ndonjë subjekt tjetër, para se të vendosni të kaloni në AKR?

Maloku: Unë nuk mund të flas për oferta, mirëpo komunikime kam pas nga shumë parti të tjera politike. Kam shumë respekt për të gjithë kolegët e m’i, me shumicën prej të cilëve kam debatuar për shumë çështje rreth fushës së sigurisë dhe besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe tutje. Pasi mendoj se Kosova po hyn në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe do të jetë shumë e sfiduar me segmentet e sigurisë. Kosova duhet të ndërtojë infrastrukturën e sigurisë së pavarur prej politikës dhe prej ndërrimeve në qeveri. Duhet të jetë e kohës që të përballet me sfidat që do t’i ketë Kosova. Mos të hyjmë tash se me çfarë sfida pret të përballet, prej problemeve dhe implikimeve të qytetarëve tanë në luftën në Siri e deri të problemet e tjera që i ka Kosova. Mendoj se brenda një subjekti politik me debate dhe shkëmbim mendimesh dhe qëndrimesh me kolegët e mi të subjekteve të tjera politike do të bëjmë më të mirën e mundshme.

Tribuna: Ku e shihni AKR-në pas zgjedhjeve nacionale të cilat pritet të mbahen brenda këtij viti?
Maloku: AKR-në e shoh brenda parlamentit, si një parti e cila për shtatë vjet ka dëshmuar se është bashkëpunuese duke mos krijuar armiqësi dhe averzion me asnjë subjekt politik që është në skenën politike të Kosovës. Kjo është e mirë dhe kjo është një nga arsyet që jam në këtë subjekt. Pastaj do të shohim matematikat se si do të veprojë ky subjekt politik.

Më Shumë

QKUK në krizë/ I ka vetëm 49 anesteziologë, i nevojiten 118

Qendra Klinika Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me numër të vogël të anesteziologëve. Edhe pse në tre muajt e parë nuk ka pasur ikje...

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Lajmet e Fundit