9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Altmann: Blloku të heq dorë nga Kryeparlamentari, të fokusohet tek krijimi i Qeverisë

Franz-Lothar AltmannAnalisti gjerman, Franz-Lothar Altmann ka deklaruar se bllokada aktuale për krijimin e institucioneve të Kosovës tregon për papjekurinë e politikanëve kosovarë dhe papjekurinë e Gjykatës Kushtetuese. Ai shpjegon se kjo dëmton Kosovën në shkallë ndërkombëtare dhe e jep shembullin gjerman të zgjedhjes së presidentit të Bundestagut.

Në një intervistë për DW, për tejkalimin e situatës aktuale, Altamann sugjeron që Blloku të heqë dorë nga posti i Kryeparlamentarit duke e fokusuar tek krijimi i Qeverisë.

DW: Aktualisht Kosova ka ngecur politikisht, pa kryetar parlamenti, pa qeveri të re disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare, si e gjykoni këtë gjendje?
Altmann: Duhet thënë se në shumë drejtime është një situatë e padurueshme më, e cila dëshmon papjekurinë politike të politikanëve, por ajo reflekton edhe papjekuri të Gjykatës Kushtetuese dhe probleme kushtetuese.

DW: Nga çfarë duhet të heqë dorë secila palë që të zhbllokohet situata?
Altmann: Mendoj se njëra mundësi për daljen nga situata do të ishte nëse “Blloku” do të hiqte dorë nga kërkesa për postin e kryetarit apo kryetares së parlamentit dhe të përqendrohet me shumë në një qeveri funksionale, e cila do të konfirmohej edhe nga parlamenti.

DW: Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por ende jo një zgjidhje, pasi PDK nuk mundi të zgjedhë dot kryetarin e parlamentit. Cila do të ishte në këtë moment zgjidhja më e mirë?
Altmann: Ndoshta ndihmon edhe shembulli nga Gjermania, mënyra se si zgjidhet presidenti i Bundestagut në Gjermani. Tradicionalisht kreu i Bundestagut zgjidhet në Gjermani nga grupi më i fuqishëm parlamentar dhe si rregull merr vota në votimin e fshehtë edhe nga shumë deputetë të grupeve të tjera parlamentare. Por nuk mund të thuhet se është detyrimisht kështu! Nëse asnjë kandidat nuk arrin të marrë në raundin e parë shumicën absolute të deputetëve të Bundestagut, zhvillohet një raund i dytë, në rast nevoje me kandidatë të rinj. Por nëse edhe në këtë raund asnjë kandidat nuk arrin shumicën absolute, atëherë zhvillohet një raund i tretë me kandidatët që kanë arritur numrin më të lartë të votave, ku vendos shumica e thjeshtë e votave.

DW: Mundet që një qeveri teknike nga njëra anë t’i japë kohë politikës e nga ana tjetër të vazhdojë funksionimi i institucioneve, a mundet presidentja të luajë këtu një rol?
Altmann: Nuk mendoj se një qeveri e ashtuquajtur qeveri e teknokratëve do të ishte rrugëdalja nga situata aktuale. Nga ana tjetër nuk besoj se presidentja aktuale mund të ndryshojë ndonjë gjë më shumë në këtë situatë.

DW: Sa do ta zgjidhnin situatën zgjedhjet e jashtëzakonshme?
Altmann: Është ende e paqartë nëse zgjedhjet e reja do të sillnin ndonjë ndryshim në konfiguracionin e votimit. Nëse sondazhet e parashohin një ndryshim të rezultateve nga zgjedhjet e fundit me mazhoranca të reja, atëherë kjo mund të ishte një rrugëdalje organizimi i zgjedhjeve të reja. Po dyshoj se kjo mund të arrihet. Në të vërtetë vetëm PDK-ja do të kishte interes për zgjedhje të reja, po qe se shpreson që të marrë më shumë vota.

DW: Paaftësia apo pamundësia për të krijuar qeverinë po e dëmton shumë imazhin e Kosovës që ka detyra të tjera më madhore përpara – rritjen e numrit të njohjeve, problemet shumë serioze ekonomike në vend, etj. Si mundet t’ia lejojnë politikanët e Kosovës këtë “luks” vetes?
Altmann: Po, jam plotësisht darkod që imazhi i Kosovës po vuan shumë në gjendjen aktuale të krijuaur. Analizat për këtë gjendje kanë tendencën që t’i atestojnë Kosovës papjekuri si politike ashtu edhe demokratike. Vërtet që Kosovës nuk i bëjnë mirë vlerësime të tilla, ajo nuk mund t’ia lejojë vetes një luks të tillë.

DW: Të mos harrojmë që kjo situatë dëmton edhe dialogun Kosovë-Serbi..
Altmann: Sigurisht që ky problem ekziston, sepse pala kosovare nuk ka një përfaqësim legjitim për të vazhduar dialogun me Serbinë.

DW: Bashkësia ndërkombëtare përsërit që nuk do të përzihet, ndërsa BE kritikon Kosovën në raportin e progresit për hapa mbrapa, por vetë nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë. Si mendoni ju, e ndihmon apo e dëmton më shumë Kosovën një qëndrim i tillë?
Altmann: Jam i mendimit që bashkësia ndërkombëtare duhet ta shprehë më fort ndaj politikanëve kosovarë si pakënaqësinë e saj, ashtu edhe mostolerimin e një gjendjeje të tillë. Por duhet thënë se nga e BE-së nuk ka shumë mundësi të ndërhyrjes direkte, sepse kjo do të ishte goditje ndaj sovranitetit të Kosovës, i njohur nga shumica e vendeve të BE-së. Por në mënyrë indirekte BE duhet të ushtrojë presion ndaj Prishtinës, si për shembull me instrumentin e bllokimit të mjeteve financiare, për sa kohë që nuk ekziston një qeveri funksionale, e cila do të garantonte përdorimin e rregullt të këtyre mjeteve.

Më Shumë

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1082 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit