2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Asllanaj: Do të votojmë pro themelimit të Tribunalit

SaliAsllanaj-ldkTherandën e kam gjetur në gjendje kaotike me 3 milionë euro borxhe. Mocioni i AAK’së për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja ishte i pasinqertë dhe joserioz. Nuk është me rëndësi kur mbahen zgjedhje, por e rëndësishme është të fitojë LDK’ja. Ne do të votojmë pro themelimit të Tribunalit për zbardhjen e pretendimeve të Dick Martyt. Jemi të hapur për koalicione pas zgjedhore. Kryetari i Therandës, Sali Asllanaj, flet për Express.
Express: Si e keni gjetur Komunën e Therandës?

S. Asllanaj: Është bërë sikur modë që pushtetet e reja me i kritiku pushtetet e kaluara. Kur ka arsye duhet të kritikohet, por po ju them se në Therandën e kemi gjetur në një gjendje kaotike. Kemi gjetur shumë kontrata, shumë punë që janë kryer sa për sy e faqe dhe Komuna është zhytur në borxhe.
Express: Sa janë borxhe te Komunës?
S. Asallanaj: Borxhet e Komunës janë rreth tre milionë euro. Këto borxhe AAK i konteston dhe thotë se janë obligime dhe obligimet janë borxhe. Nëse dikush ka marrë derivate nga një kontraktues dhe nuk e ke paguar për një vit për mua është borxh shumë i madh.
Express: Si do t’i shlyeni këto borxhe?
S. Asllanaj: Me kursime në pozicionet e shërbimeve dhe me ridestinimin e disa mjeteve të investimeve kapitale në mënyrë që të shlyejmë borxhet ndaj furnizimeve me naftë, ndaj KEC’it etj. Kurse pjesën tjetër të borxheve që i kemi të kontraktuara me kontrata ku kontrata kemi 200 mijë euro, ku 20 mijë janë paraparë për vitin 2013, 180 mijë për vitin 2014 janë shpenzuar komplet. Ky është një borxh që duhet të paguhet në bazë të kontratës. 90 për qind e punëve janë kryer para fushatës. Edhe mjetet e vitit 2014 janë shpenzuar në mënyrë që me krijua opinionin se ka shumë punëtor, po kryhen shumë punë. Ky vit për neve ka me qenë i zbehtë sepse mjetet më të mëdha janë harxhuar vitin e kaluar. E dyta, është cilësia e projekteve që janë kryer për ngutë.
Express: Cilat janë tri projektet me të cilat do të mbahesh mend nga qytetarët e Therandës?

S. Asllanaj: Prioritet numër një për neve është që së pari të sigurojmë vijueshmërinë dhe sigurinë e nxënësve për të shkuar në shkollë. Ne do ta zgjidhim problemin e rrugëtimit të nxënësve prej shtëpisë e deri në shkollë duke ndërtuar trotuaret. Mendoj se është një punë humane. E dyta, është përmbyllja e infrastrukturës shkollore. Kemi katër projekte për shkolla. Është fat i mirë se dy shkolla do të ndërtohen nga Ministria e Arsimit dhe dy nga Komuna. Me këtë mandat katërvjeçar do ta përmbyllim infrastrukturën shkollore dhe do të kemi mundësi të punojmë më shumë në reformë dhe cilësi të arsimit.E treta, do të bëhet hapja e perspektivës zhvillimore. Do të vazhdojmë të investojmë në zonën industriale për ta bërë sa më atraktive. Në të njëjtën kohë jemi duke aplikuar me projekte që ndihmojnë në zhvillimin e turizmit rural. Ne kemi një pjesë të Komunës, e kemi hapësirën malore, kemi vendbanime që ofrojnë mundësi për turizëm. Po ashtu, kemi një estradë të njohur siç është ajo e Mushtishtit, e cila do të ndërlidhte aspektin kulturor me turizmin rural. Edhe subvencionimi i bujqësisë është njëri prej prioriteteve tona për shkak se eliminon varfërinë.

 

 

Express: Të flasim pak për LDK’në. Sa është e përgatitur kjo parti për të shkuar në zgjedhje nacionale?

S. Asllanaj: Asnjë parti politike opozitare nuk ka të drejtë të thotë se nuk është e përgatitur për zgjedhje. Objektivisht, LDK do të duhet të ishte e përgatitur. Kam bindjen dhe mendoj se LDK është e përgatitur për zgjedhje. Rrethanat politike janë të favorshme për LDK’në, sepse është një PDK, e cila ka qeverisur për dy mandate dhe edhe nëse fluturon njerëzit do të thonë boll sepse po e duan ndryshimin. Duhet ta themi se nuk duhet të mohohen disa suksese në lëmine e infrastrukturës, objekteve shkollore, por s’mund të lëmë anash mungesën totale të zhvillimit ekonomik. Asnjë lëvizje nuk është bërë. Disa statistika të LDK’së tregojnë qartë se nëse në vitin 2009 janë punësuar 15 mijë njerëz, në vitin 2014 vetëm 6 mijë dhe ky është regresion.

Express: A po mund t’i bëjë lideri i LDK’së konkurrencë Kryeministrit i ciliveç ka nisur para fushatën elektorale?

S. Asllanaj: Isa Mustafa është për çdo ditë në terren. Nuk është duke u përcjellë shumë prej mediave, por është shumë në terren. Unë personalisht takohem për çdo ditë pas orarit të punës me aktivistët e LDK’së. Mendoj që pozita e z. Thaçi është pak më e volitshme sepse po i shfrytëzon të gjitha resurset shtetërore në favor të partisë së tij.

Express: Mirëpo, AAK e nisi një mocion për rrëzimin e Qeverisë dhe LDK nuk i dha mbështetje. Në fakt, LDK ia mundësojë PDK’së të përdorë këtë kohë për fushatë në favor të saj?

S. Asllanaj: Ne duhet ta shtrojmë çështjen si LDK se kush është AAK’ja të kërkojë rrëzimin e Qeverisë me dhjetë vende në Parlament? Ose kush është Vetëvendosje? Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë duhet të ishte e të gjitha partive opozitare me një pikë të përbashkët. E jo të merren iniciativa se kush po prinë me folklorizëm më shumë. Iniciativa e AAK’së s’ka qenë e sinqertë dhe serioze sepse AAK ka qenë një mbështetëse shumë e madhe e PDK’së dhe Qeverisë në Parlament të Kosovës. Ju kujtohet projektbuxheti për vitin 2014 dhe qëndrimin e AAK’së në atë kohë.

Express: Sa është problematike për LDK’në të shkojë në zgjedhje me një kandidat për Kryeministër që ka humbur garën komunale?

S. Asllanaj: Nuk them se jemi gëzuar se Isa Mustafa e ka humbur garën në Prishtinë. Por, nuk e marrim as si tragjike. 15 vjet qeverisja e Prishtinës nga LDK ka krijuar një bllok të madh të partive tjera për ta ndryshuar qeverisjen. Ky është justifikimi më i thjeshtë. Fakti tjetër është se Isa Mustafa ka udhëhequr një fushatë shumë intensive në krejt Kosovën dhe unë e kam parë se e ka lënë pak jashtë dorë Prishtinën. Për një muaj fushatë i ka rënë të vijë 5-6 herë në Therandë, 12 herë në Pejë dhe normalisht se ka lënë mungesë në Prishtinë. Kjo ndoshta pak iu ka hakmarrë Isa Mustafës, por konsideroj se edhe në Mitrovicë e ka thënë se e humbëm Prishtinën por do ta fitojmë Kosovën. Pra për hir të Kosovës e sakrifikuam Prishtinën. Kemi fituar vendbanime të madhe si Gjilani, Ferizaj, Theranda, Peja, dhe këto janë suksese të mëdha të LDK’së.

Express: Është duke u diskutuar themelimi i një Tribunali për dënimin e krimeve të luftës. Cili është pozicioni i LDK’së në këtë rast?

S. Asllanaj: Pozicioni i LDK’së është shumë i qartë dhe do të prezantohet në Parlamentin e Kosovës. Ne do ta përkrahim themelimin e një Gjykatë Speciale për hetimin, të themi kushtimisht, të raportit të Dick Martyt. Objektivisht, Gjykata Speciale do të merret vetëm me raportin e Dick Martyt. Logjika e shëndosh kërkon që ne të kërkojmë një Gjykatë të tillë sepse është një akuzë e një institucioni ndërkombëtar dhe pikërisht nga një institucion ndërkombëtar mund të na hiqet ajo njollë. Nëse s’kemi çka të fshehim ne duhet t’i themi po le të hetohet dhe të vërtetohet se s’ka pasur asgjë të vërtetë. Refuzimi që po i bëhet kësaj Gjykata nga disa po ngjall dyshime se diçka ka ndodhur. Ne s’kemi as forcë të ndalim themelimin e kësaj Gjykate. Dihet se për luftën e UÇK’së s’ka çka fshihet. 99 për qind e veprimeve të UÇK’së kanë qenë normale. Ne s’kemi çka të fshehim. Le të vijë të hetojnë dhe të mbyllin njëherë e përgjithmonë çdo anatemim ndaj UÇK’së.

 

Express: Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi kanë bërë një marrëveshje që zgjedhjet të mbahen në qershor.

S. Asllanaj: Për LDK’në s’është aspak e rëndësishme se a do të mbahen zgjedhjet në qershor apo shtator. Për LDK’në është e rëndësishme a apo fitojmë apo po humbim. Ne nuk duhet të harxhojmë aspak energji se kur do të mbahen zgjedhjet para se të punojmë për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të përgatitur që zgjedhjet të mbahen në qershor, por zgjedhjet do të mbahen kur të dëshirojë z. Thaçi.

Express: Kohëve të fundit janë publikuar disa rezultate të sondazheve ku herë PDK e herë LDK dalin të parat

S. Asllanaj: Këto sondazhe janë të porositura. Ne do të duhej të kemi institucione të besueshme për matjen e opinionit. Fatkeqësisht, s’kemi. Po shihet se këto sondazhe janë të paguara nga partitë politike. Është vërtetuar se edhe në Kosovë dhe në Shqipëri se sondazhet kanë dështuar me të madhe.

Express: Para zgjedhjeve lokale, udhëheqësit e LDK’së kanë qenë të bindur se do të fitojnë Prishtinën. Madje, Isa Mustafa pati thënë se e fiton Kryeqytetin edhe me duar në xhepa. Sa është e mundshme të përsëritet e njëjta situatë edhe për zgjedhjet nacionale duke i parë veprimet e PDK’së?

S. Asllanaj: Nuk është lehtë t’i fitojmë zgjedhjet por se jemi të bindur se do të dalim fitues. Këtë bindje po e them në bazë të disa argumenteve se LDK ka nisur të rritet. Minus votat e minoriteteve për PDK’në në Prizren del se LDK është partia e parë në Kosovë. S’kemi arsye të mos jemi optimistë, por të garantuar s’e kemi fitoren. Ne duhet të punojmë maksimalisht. Nëse besojmë se kjo Qeveri është OK le të vazhdojnë, por të gjithë po e dimë se nuk është OK dhe ka nevojë për ndryshime sidomos në hapjen e perspektivës zhvillimore. Është absurd kur të gjithë të rinjtë dëshirojnë të ikin jashtë shtetit. S’di kush është ai politikan që ndihet krenar kur rinia jonë e sheh të ardhmen jashtë shtetit.

Express: Sa është i mundshëm që të përsëritet koalicioni PDK-LDK pas zgjedhjeve nacionale?

S. Asllanaj: Asgjë s’ka të pamundshme në këtë Kosovën tonë. Nuk do të duhet të përsëritet një koalicion i tillë. Kosovës i duhet një Qeveri ndryshe nga ajo e PDK’së. Ne s’kemi kurrfarë averzioni ndaj PDK’së, por konsiderojmë se Kosovës i duhet një qeverisje ndryshe prej asaj të PDK’së. Do ta kemi vështirë sa i përket koalicioneve sepse pa koalicione është e pamundur. Rrethi i koalicioneve është shumë i ngushtuar.

Express: Kënd e ka LDK opsion për koalicion paszgjedhor?

S. Asllanaj: Askënd s’e kemi opsion. Jemi të hapur ndaj të gjithëve, por vendimin për koalicion LDK e merr në Këshillin e Përgjithshëm. Koalicione parazgjedhore s’do të ketë.
Express: Pra, nuk përjashtohet as PDK për një koalicion pas zgjedhor?

S. Asllanaj: Nuk është e logjikshme të përsëritet një qeverisje e tillë. Neve na mbetet të analizojmë, sepse pas zgjedhjeve vjen në pyetje edhe matematika e ulëseve në Kuvend që është përcaktuese se më kë do të bësh koalicion. Duhet të shohim edhe pozicionet e partive të reja të formuara siç është Nisma për Kosovën.

Më Shumë

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Hysni Temaj, luftëtari i lirisë që ia kthehu krenarin kombit

25 vjet nga rënia e dëshmorit Hysni Sylë Temaj Hysni Sylë Temaj, u lind më 15.11.1976 në fshatin Kushnin të Hasit, që shtrihet rrëzë maleve...

Lajmet e Fundit