7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Confession: Albatros Rexhaj

Albatros Rexhaj2Letërsia thotë, është mënyra si e shfaqë shpirtin, dhe vetëm ajo i jep kuptim lëmshit që ka brenda vetes. Albatros Rexhaj është shkrimtar i romaneve “Bombë në Beograd”, “Ditar dashurie i një shkrimtari”, “Edith”, krijues i librarisë elektronike “Filozofia urbane” dhe autor që ndjek filozofinë e vet, duke e bërë letërsinë më të kapshme në rrjet. Albatrosi jep përgjigje në pyetjet e Prustit.

Si e konceptoni lumturinë?

Ka kohë që kam hequr dorë nga lumturia si një nocion ideal, si një gjendje harmonie për të cilën fantazohet tërë kohën, pasi që jam bindur se diçka e tillë është e pamundur. Lumturinë e konceptoj si një gjendje qetësie të kohëpaskohshme, ato periudhat e rralla në jetën tonë kur ndihemi të plotësuar, të vlerësuar dhe kemi ndjenjën se mbase edhe mund të pushojmë pak.

Cila është frika më e madhe që keni?

Trembem se do të vdes pa kuptuar se pse vërtet ekzistoj. Ndonjëherë e kam përshtypjen se e gjithë ekzistenca jonë nuk ka ndonjë kuptim dhe se vërtet mund të jemi produkt i rastësisë. Kjo ide më tmerron.

Ç’karakteristikë nuk e pëlqeni te vetja?

Jam shumë gjaknxehtë. Ndonjëherë e kam shumë të vështirë të përmbahem dhe kjo jo rrallëherë më shkakton telashe. Dikush më ka thënë se të gjithë artistët janë gjaknxehtë, por unë mendoj se do të duhej të ishte e kundërta.

Ç’karakteristikë përçmoni te të tjerët?

Shtirjen.

Cila mund të jetë superfuqia juaj dhe cili instinkti më i errët?

Aftësia për të bindur të tjerët në lidhje me një ide apo gjë të caktuar. Mendoj se kjo është gjëja më e mirë që di të bëj. Ndërkaq sa i përket instinktit tim më të errët është një listë e gjatë e gjërave që vinë në shprehje sa herë që e imagjinoj veten si një kryepersonazh negativ.

Në ç’gjendje shpirti e mendje jeni në këtë kohë?

Jam në një gjendje krize. Ka disa javë e kam shumë të vështirë të gjej një lidhje me unin tim krijues. Thjesht, në raport me veten time, ndihem i huaj.

Cilin konsideroni virtytin më të lartë?

Nuk di. Mbase besnikëria ndaj një ideali për të cilin dakordohem me miqtë e mi. Jam një njeri që beson në atë se njerëzit duhet të lidhen për fjalën e dhënë.

Në çfarë raste zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Sa herë që e ndiej se e vërteta mund t’i lëndojë njerëzit. E bëj jo pse dua ta bëj, por sepse jo rrallëherë njerëzit nuk mund ta përballojnë të vërtetën.

Çfarë më së paku pëlqeni në dukjen tuaj?

Si pasoj e një aksidenti, kam një vesh të shtrembër. Sa herë e shoh veten në pasqyrë, ndihem keq.

Ç’veti e bëjnë të kompletuar një njeri?

Mendoj se askush nuk mund të përcaktojë një standard dhe se secili duhet të vendosë për veten e tij. Secili njeri është unik në mënyrën e tij dhe rrjedhimisht edhe mund të jetë i kompletuar po ashtu sipas mënyrës së tij unike.

Si do të dukej një femër e përkryer sipas jush?

Një që është dashnore, shoqe, motër dhe nënë në të njëjtën kohë.

Kush a çfarë ka pasur ndikimin më të madh në ju?

Më së shumti kanë pasur ndikim filmat e animuar të metrazhit të gjatë. Idetë e mia mbi botën i kam krijuar duke medituar për mesazhet që i kapja në këto filma.

Dashuria më e madhe e jetës suaj është?

Siç ndodh rëndom, një dashuri e parealizuar. Personazhi Hana, te romani im “Edith”, është ndërtuar mbi figurën e asaj që mund të cilësohet si një dashuri e madhe në jetën time.

Çfarë konsideroni si arritjen tuaj më të lartë?

Kam arritur të thyej barrierat imagjinare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe atë bindjen e gabuar se në Shqipëri nuk vlerësohen shkrimtarët nga Kosova. Librat dhe krijimet e mia lexohen gjithandej botës shqiptare.

Në ç’qytet shqiptar o të huaj do të donit të jetonit, pse?

Prishtinën nuk e ndërroj me asgjë. Vetëm në këtë qytet fiton kuptim qenia ime si artist dhe si shkrimtar.

Ç’është më e vlefshmja në jetën tuaj?

Një listë e gjatë gjërash për të cilat nuk kam dëshirë të flas. Konsideroj se gjërat e vlefshme duhet ruajtur si thesarin. Ka shumë grabitqarë që mezi presin të t’i marrin gjërat e vlefshme.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Që nuk kam kaluar më shumë kohë me nënën time.

Religjioni dhe feja, ç’kuptim ju kanë?

Fenë e kuptoj si besim, si diçka e brendshme dhe tërësisht individuale, ndërsa religjionin, si sistem të rregullave, e kuptoj si dogmë.

Besoni në Zot?

Po. Dua të besoj se ka një arsye më të madhe për ekzistencën e kësaj bote.

Ç’është seksi për ju?

Seksi është gjuha universale e njerëzimit.

Nëse nuk do të ishit ai që jeni, çfarë do të donit të ishit?

Fizikan. Gjithnjë kam ëndërruar të zbuloj udhëtimin në kohë.

Ç’është letërsia?

Nuk mendoj se jam njeriu i duhur për t’u përgjigjur në këtë pyetje. Për mua letërsia është një mënyrë për të shprehur shpirtin tim, por për të tjerët ka një kuptim tjetër.

Përse shkruan?

Shkruaj për t’i dhënë kuptim lëmshit që tërë kohën e ndiej brenda vetes.

Cilët shkrimtarë pëlqeni?

Robert Ludlum dhe Herman Hesse.

Librat që më shumë i doni?

“Sidharta”, “Ujku i stepeve”, “Qarku matarez” dhe “Kush e solli Doruntinën?”

Cili është heroi fiksional?

Betmeni.

Cila është kultura kosovare sot?

Një udhëkryq dilemash, pyetjesh dhe tundimesh nga më të ndryshmet.

Ç’është feja për kosovarët?

Një mekanizëm për t’u mbrojtur nga presioni i skamjes dhe mungesës së perspektivës.

Kosovar apo shqiptar?

Të dyja. Nuk shoh ndonjë konflikt në mes të njërit dhe tjetrit koncept.

Çfarë urreni e çfarë pëlqeni në politikat shqiptare?

Urrej qasjen elitiste dhe përçmuese në raport me njerëzit e thjeshtë. Klasa politike nuk ka ndjesi për hallet dhe ndjenjat e vërteta të njerëzve të rëndomtë, por sillet thuajse këta të fundit janë kope dhe vetëm numra. Ajo që më së shumti e urrej është kur politikanët, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, problemet e veta i bartin te njerëzit e rëndomtë, që më pas janë në gjendje të shkojnë aq larg sa edhe të vriten mes vete, ndërsa politikanët pa fije turpi vazhdojnë thuajse asgjë nuk ka ndodhur.

Cilët vlerësoni si më të mirët e politikës tonë?

Shkrimtarin Ben Blushi.

A u ka mbetur historia borxh shqiptarëve, nëse po, çfarë?

Nuk na ka njohur pozitën tonë të vërtetë në mes të kombeve të Evropës.

Cilët personalitete historike vlerësoni më shumë dhe pse?

Më së shumti e vlerësoj Hasan Prishtinën. Konsideroj se ai ishte një njeri që dinte të vlerësonte mirë si njerëzit ashtu edhe proceset e kohës. Po ashtu mendoj se historia nuk ia ka njohur ende vendin e merituar.

Kush është intelektuali më i madh shqiptar?

Mendoj se secili i ka shijet e veta dhe këto shije nuk duhet marrë si postulate absolute. Mua më pëlqen Preç Zogaj.

Cilat janë tabutë e shoqërisë shqiptare?

Seksi dhe çdo gjë që ka të bëjë me seksin.

Çfarë të mungon në jetë?

Edhe sikur ta them, pakkush do ta kuptojë domethënien e saj të vërtetë.

Heronjtë e jetës reale?

Nuk kam.

Në ç’kohë e në ç’vend do të donit të vdisnit?

Do të doja të vdisja në një aksident ajror.

Motoja juaj është?

Mos prit! Jepu jetë ideve tua!
/Zeri/

Më Shumë

Divorci Besi-Xhensila? Habit avokati: Ata po ndahen për pasuritë e Ilir Metës, kanë vila e prona miliona euro

Avokat Idajet Beqiri teksa ka komentuar ndryshimin e stilit të jetesës së kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka theksuar se edhe aktori...

Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës,...

Lajmet e Fundit