7.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Haliti: Lufta e UÇK-së është e pastër

XhavitHaliti-pdkQë nga viti i ardhshem, Kosova do të përballet me Gjykaten Speciale për krime lufte, e cila pritet të hetojë disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nënkryetari i Parlamentit të Kosoves dhe një nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, tha në një intervistë me gazetaren Linda Karadaku, të emisionit “Ballkan Magazine” të Ora News, se në këtë proces, do të vërtetohet pastërtia e luftës së UÇK-së.

A mendoni se do të ketë reagime në Kosovë për gjykatën Speciale?
Shpresoj se vetëdija e qytetarëve të Kosovës ka ndryshuar. Ne kemi bërë një politikë sqaruese e bindëse, se drejtësia nuk është për të lincuar por për të treguar të vërtetën dhe drejtësia ka treguar se njerëzit që janë të pafajshëm dhe nuk ka argument nuk dënohen. Nuk mund të dënohen njerëz me paragjykime të mediave apo për shkak të inateve politike. Aq më pak me kërkesë të Serbisë sic pretendohet ndonjëherë. Drejtësia europiane do të jetë e pavarur në këtë aspekt. Pres të mos ketë trazira për çfarëdo niveli të jetë.

A ka kryer krime UÇK?
Me vetëdije nuk ka kryer krime, sepse nuk ka filluar të kryejë krime. Meqë jam ndër themeluesit dhe kam përcjellë personalisht rritjen e zhvillimin e saj kemi pasur një qëndrim: Raportin me civilët me gratë e fëmijët i kemi pasur të veçanta. Kemi luftuar me shtetin e Serbisë dhe lufta jonë nuk ka qenë me popullatën. Mund të jenë bërë gabime individuale, hakmarrje inviduale. Mund të ketë pasur dhe gabime nga persona të veshur me uniformë. Nuk e përjashtoj, por askush nuk mund të përgjithësojë se UÇK ka pasur orientim të bëjë krime, sepse nuk ka pasur një orientim të tillë.

Ne kemi qenë ushtri e organizuar më shumë vullnetarisht dhe pa ndonjë kontroll të fuqishëm institucional politik, pa ndonjë kontroll të qeverisë, parlamentit, pra ka nisur me vullnetar dhe çdo gjë që nis me vullnetarë është problem ta fusësh në binarët e duhur, por momenti i demilitarizimit të UÇK-së marrëveshja e Rambujesë tregoi se edhe përkundër frikës, që ka qenë se mund të niste një luftë qytetare, persekutime, apo përkundër akuzave të kundërshtarëve politikë nuk ka ndodhur. UÇK ka dalë një nga ushtritë më të pastërta se të gjitha ushtritë e rajonti që kanë luftuar me Serbinë dhe më e pastër se ushtria serbe që ka bërë krime të panumërta nga Sllovenia deri në Kosovë.

Lufta jonë ka qenë e pastër dhe çlirimtare dhe ashtu duhet të trajtohet.

Besoj se të gjithë ata që do të thirren do ta mbrojnë UÇK-në ashtu siç ka qenë dhe nuk duhet të ligshtohen nëse duhet të përballen me ligjin.

Besoni se do të vërtetohet pastërtisa e luftës së UÇK?
Deri më tani është vërtetuar, por unë nuk mund të paragjykoj çfarë ka bërë njëri apo tjetri. Mund të them se nuk ka pasur urdhra për të goditur civilët, për të bërëkrime. Individualisht mund të ketë qenë ndonjë rast i veçantë, por këto probleme vetëm prokuroria speciale mund ti ketë të dhënat. Unë në Kosovë nuk kam parë ndonjë të dhënë apo informatë të saktë se kush është pse është dhe kush do shkojë. Por ne kemi deklaruar se do i përgjigjemi pozitivisht.

Do arrini të menaxhoni trazira nëse ka në Kosovë në rast zyrtarësh të lartë?
Protagonistët kryesorë të drejtimit të UÇK-së kanë detyrën të japin një mesazh pozitiv dhe institucionet të veprojnë për ta bindur këdo që mund të jetë i padëgjuar për të dhënë mesazhin e ruajtjes së sigurisë në Kosovë.

Siç do kërkoj nga të gjithë organet e sigurisë të bashkëveprojnë për të mos lënë dyshime që situata del nga kontrolli.

Ti kthehemi rrezikut nga terrorizmi islamik. Kemi një numër shqiptarësh të Kosovës që I janë bashkangjitur. Çfarë duhet bërë më shumë sesa arrestimet e dhjetra imamëve, çfarë duhet bërë të luftohet si duhet pasi jo vetëm po krijon një imazh negative por problem dhe sigurinë?
Problemi është se nuk jemi arab, por popull europian. Ky qëndrim është i të gjithë kosovarëve. Nuk jemi për të krijuar shtete dhe ti përzihemi shteteve të vecantë në Lindjen e Mesme dhe nuk kemi kapacitete të tilla. Janë bërë shumë gabime pas luftës por ka pasur dhe investim të Serbisë për të krijuar një bindje se Kosova po ndërton një shtet islamik dhe po I sjell rrezik rajonit dhe Europës përmes një ekstremizmi që realisht nuk e e besoj se ekziston në përmasat që flitet.

Rreziku më i madh është varfëria. Besoj se gjithçka mund të ndryshojë situatën, bindjen dhe interesin për tu angazhuar në këto organizatave të cilat në emër të ndihmave sociale shkollimit, konvikteve i fusin në një kurth sepse nuk kanë nga ia mbajnë. Shndërrohen në mbajtës të familjeve dhe nëse ti paguan njerëzit ata nuk e kanë problem të vënë një shami e të shkurtojnë pantallonat dhe të zgjasin mjekrën, por si shtet nëse arrin të zbusësh varfërinë sociale atëherë nuk do të kishin qenë këto probleme.

Një cështje tjetër është edhe interesi se disa kanë shkuar dhe si mercenarë por dhe për të vjedhur, pasi në Siri ka pasur shumë ar. Nuk besoj se kanë shkuar për bindje.

Cilën sfidë do rendisnit të parën për 2015?
Gjithçka lidhet me ekonominë. Shpresoj që orientimi kryesor të jetë tek zhvillimi ekonomik, zbatimi i ligjit në fuqi, rirregullimi i ligjeve që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve. Ballafaqimi i situatës në arsim e mjekësi është njëproblem i madh. Kemi bërë shumë universitete por janë pak të kualifikuar. Këto janë përballjet më të mëdha, por sfidë është edhe gjykata speciale, mendoj se gjatë këtij viti do të jetë përballja më e madhe. /Oranews/

Më Shumë

Kryhet një operacion i vështirë në spitalin e Prizrenit, pacienti me shëndet të mirë

Mjekët e Repartit të Urologjisë në Spitalin e Prizrenit kanë kryer një operacion të vështirë. Dr.Halil Xhibexhiu tregon se pacienti pas operacionit është lirur me...

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Lajmet e Fundit