4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Jagxhiu: Vetëvendosje! do të dalë forca e parë politike në Prizren

Jeton JagxhiuKoordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Jeton Jagxhiu është optimist se Vetëvendosje! në zgjedhjet parlamentare, do të dalë forca kryesore në Prizren. Ai thotë se për të arritur deri të ky rezultat, Grupi Punues është duke u angazhuar dhe punuar maksimalisht në terren. “Vetëvendosje do të dalë forca kryesore në Prizren”, thotë Jagxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ka filluar të ristrukturohet. Koordinator i i këtij ristrukturimi është caktuar Jeton Jagxhiu.

“Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale Vetëvendosje! ka filluar ristrukturimin e saj në tërë vendin, pra edhe në Prizren. Qëllimi i këtij ristrukturimi është rritja e kapaciteteve të saj konform ambicieve të reja”.

“Fitorja në komunën e Prishtinës ka lëvizë shumë gjëra prej vendit.Njëra ndër këto lëvizje është edhe synimi i fitores në zgjedhjet nacionale dhe për me arritë këtë objektiv ka qenë e domosdoshme kjo hapje në tërë vendin”
“Kjo hapje nënkupton ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ngritjen e kapaciteteve organizative, ngritjen e kapaciteteve të veprimit të saj, që rrjedhimisht përcjellet me rritjen e besimit mes qytetarë, pra me rritjen e numrit të votës”,thotë Jagxhiu në një intervistë për “PrizrenPress”.

Grupin Punues në Degën e VV-së në Prizren për momentin e përbëhet prej Zija Krusha, Nora Arapi Krasniqi, Besim Mullafetahu, Arbër Rexhaj, Fiorda Hoti, Karanfil Haxhillari, Vlora Mullafetahu, Faruk Dakaj, Besim Dida, Alisa Hasani, Rromir Shalqini. Koordinatori i këtij grupi është caktuar Jeton Jagxhiu.

“Lëvizja Vetëvendosje! vitin e kaluar ka garuar për herë të parë në zgjedhjet lokale në Prizren dhe tani i ka 3 asambleistë.Për ne është një avancim i dukshëm për veprimin tonë në suazat e qytetit. Tash zëri ynë mund të dëgjohet ne Asamble dhe direkt të veprojmë për qytetarët”.

“Përkundër numrit të vogël të përfaqësimit në Asemblen Komunale asambleistët tanë janë më të pregaditurit dhe më “të zhurmëshmit” dhe këtë mund të ndijnë qytetarët përditë e më tepër si në asamble ashtu edhe jashtë saj. Ne i kemi përkrahur fuqishëm kërkesën legjitime të qytetarëve për dorëheqjen e kryetarit të dënuar”.

“Natyrisht që ne jemi duke punuar çdo ditë e më tepër për të fituar besimin e qytetarëve, prandaj edhe jemi duke ngritur kapacitetet e saja”.

“ E dini si është puna – besimi i qytetarëve për partit politike me të drejt është minimal. Deri sa para luftës qytetarët e Prizrenit kanë dhënë pasurin e tyre për vatan, kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla, kanë dhënë veturat dhe në instancë të fundit kanë dhënë edhe jetën e tyre për atdhe, sot i njëjti qytetar nuk është i gatshëm të jep as edhe një minutë të vetin për një grupacion politik, që pretendon se punon për mirëqenjen e qytetit. Krejt kjo është rezultat i veprimtarisë së partive politike që kanë udhëheqë Prizrenin në 15 viteve të fundit, e që shfrytëzuan pozitën e tyre për me rahatu veten dhe dostat e vet”.

“Puna jonë në Lëvizje është ta ndryshojmë këtë gjendje dhe ta kthejmë besimin e qytetarëve në qytetin dhe shtetin tonë”.

“Për mua ashtu si edhe për një pjesë të madhe të qytetarëve është shumë e qartë se për të kthyer këtë besim qytetarëve, fillimisht duhet me e përcjellë këtë establishmentin politik të pasluftës në shtëpi. Pastaj me shumë punë vijnë ndryshimet. Shembulli i Prishtinës është dëshmia më e mirë për këtë pohim. Sot Komuna e Prishtinës vetëm 100 ditë me qeverisjen e Shpend Ahmetit, funksionon krejtësisht ndryshe me po të njëjtit punëtorë dhe me infrastrukturë e buxhet të njëjtë”.

“Unë besoj se të njëjtin ndryshim mund të bëjmë edhe ne në Prizren dhe kam një ide të thjeshtë me 2 pika se si mundemi me e ba këtë ndryshim”.
“E para është ofrimi i hapsirës vepruese për secilin dashamirë të Prizrenit në mënyrë që bashkarisht ta ndërrojmë ate. Prizreni është qytet 2000 vjeçar dhe kërrkush nuk dinë më mirë se vet banorët e Prizrenit se çka i vyn asaj. Puna është se establishmenti aktual nuk i pyet ata për asgjë për shkak se pushteti i tyre është plaçkë.

“Rezultati i këtij modeli të qeverisjes është kjo që kemi: mjerimi, varfëria, ngecja dhe izolimi i qytetit. Po mendoj pushteti aktual nuk është në gjendje me e rrit as edhe barin në stadiumin e fudbollit e jo më të bëjë diçka më tepër për mirëqenjen e qytetit”.

Jagxhiu fton qytetarët që t’i bashkëngjiten Vetëvendosjes.
“I ftojë qytetarët që të na bashkangjiten, të na propozojnë, të bashkveprojmë në mënyrë që sa më parë ta ndryshojmë këtë gjendje”.

“Duhet angazhim i madh i të gjithëve për të ndryshuar këtë gjendje. Gjërat kanë degraduar shumë dhe na duhet shumë punë për kthimin e tyre. Unë jam shumë optimist se bashk do të bëjmë këtë ndryshim”.

“Unë kam bërë një llogari se sa na nevoitet për këtë ndryshim në Prizren. Matematikisht i bie se duhemi me rritë kapacitetet e VV në Prizren për 4 herë. Na duhen 4 herë më tepër njerëz, 4 herë më tepër angazhim, 4 herë më tepër organizim dhe 4 herë më tepër besim. Të gjitha punët që bëjmë janë të orjentuar me këtë qëllim. Jemi strukturuar organizatën dhe jemi duke u pregatitur për zgjedhje nacionale dhe lokale pasi që tash më dihet kryetari i ka ditët e numruara në Komunë”.

“Çdo ditë na vijnë njerëz të rinj me plot ide të mira, njërëz që e kanë të qartë se ky ndryshim nuk është i mundshëm me një kryeministër të paaftë që qe 6 vite nuk mundet me largu një kamion me zall prej urës së Ibrit”.

“Zyra jonë është e hapur për çdo ditë dhe shfrytëzoj rastin për t’i ftuar të gjithë dashamirët e këtij qyteti dhe këtij vendi në mënyrë që bashkë ta bëjmë të mundshëm këtë ndryshim. Sa ma shumë që bëhemi aq më shpejt do të fitojmë luftën. Ne besojmë që ashtu si Shpendi që fitoi betejën me ish kryetarin në Prishtinë, ashtu edhe Albini do ta fitojë luftën me kryeministrin”/PrizrenPress.com/ .

 

 

Më Shumë

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

69 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

69 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. 27 nga këto aksidente janë me të lënduar, ndërkaq 42 me dëme...

Lajmet e Fundit