13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Kurti: Jua shpjegoj “ndryshimin” tim!

AlbinKurti1205Mira Kazhani: Zoti Kurti, ju po hyni në qeverisje me njerëz dhe parti që deri dje jo vetëm i keni kritikuar, por keni ndërtuar karrierrn tuaj politike duke ju kundërvënë atyre. Kështu psh, në fushatën vendore, ju fituat duke thënë se Prishtina do të ishte më keq me Isa Mustafën nëse ai do mbetej në krye të saj. Çfarë ndodhi? Ndryshuan këta njerëz dhe u bënë befas të zotë dhe të ndershëm që ju pranuat të qeverisnit bashkë me ta apo ndryshuat ju?

Albin Kurti: Është e domosdoshme të ndryshojë Kosova. Duhet që kjo qeveri e këtij regjimi t’i takojë së kaluarës. Sepse ndryshe Kosova mbetet pa të ardhme. Është në interesin e këtij koalicioni së pari t’ja pamundësojmë ripërtëritjen këtij regjimi dhe më pastaj ta krijojmë edhe ne qeverinë për të cilën do duhen bisedime shtesë, sa i përket programit politik qeverisës, por edhe sa u përket përgjegjësive ministrore që do i marrim të gjithë. Ne tash për tash kemi një marrëveshje sesi t’ja ndryshojmë kursin shtetit dhe më pas do vendoset. Një marrëveshje sesi do qeveriset nuk e ka as koalicioni LAN me njeri-tjetrin, e aq më pak me lëvizjen VV.

Pra neve na duhet, një marrëveshje e re më vonë, por ajo ç’ka u arrit në 10 shtator është një arritje e madhe sepse ajo niset nga një marrëdhënie që shteti i Kosovës është një Republikë e pavarur, dhe që prioritet për ne do të jetë ekonomia, barazia, drejtësia, luftimi i krimit të organizuar, sovraniteti. Është e vërtetë që ne kemi probleme me njëri-tjetrin, që kemi probleme nga e kaluara dhe ato probleme mbesin. Ato ç’kemi kemi thënë për politikanët vlejnë edhe për të ardhmen. Por ne kemi bërë një marrëveshje për të ardhmen dhe kemi vepruar në një situatë që na u imponua në zgjedhjet e 21 Qershorit. Po të mos vepronte kështu VV atëherë do kishte një tjetër qeveri të PDK-së, prandaj them se qëndrimi jonë ka qenë një veprim brilant, i cili tash e ka hedhur një panik, pushtetin që po numëron ditët e tij të fundit.

Mira Kazhani: Pse mendoni se e keqja më e madhe e Kosovës është Hashim Thaçi dhe kushdo tjetër është më i mirë sesa ai?

Albin Kurti: E keqja më e madhe për Kosovën vazhdon të jetë Serbia mirëpo Serbinë brenda Kosovës po e fut Thaçi. E keqe tjetër për Kosovën është korrupsioni, mirëpo nuk ka në Kosovë parti më të korruptuar se PDK. Ne e shohim këtë si qeveri të emergjencës. Një qeveri që ka për detyrë ta nxjerrë Kosovën nga balta ku e ka hedhur kjo parti. Natyrisht që ne me ndërgjegje të pastër do të na duhet që t’i fusim duart në baltë, për ta nxjerrë Kosovën prej aty ku e kanë hedhur, dhe këtu do të na përlyhen edhe neve duart, por do kemi ndërgjegjen e pastër.

Mira Kazhani: Ramush Haradinaj me 10 përqind të votave është e pastër, e moralshme të jetë kryeministër?

Albin Kurti: Ai nuk i ka 10 përqind të votave por ka 9.55 përqind! Por sidodoqoftë ka qenë e tillë marrëveshja midis LDK, AAK dhe Nismës që ai të jetë kryeministër, grupi parlamentar i LAN që është i madhi në kuvend. Ne si VV po bashkëpunojmë me LAN për një fakt që e kanë zgjedhur ata. Më e rëndësishmja tani nuk janë emrat por serioziteti i marrëveshjes së bërë dhe i programit politik që do të pasojë këtë qeverisje. Qeveria në ikje e pati mundësinë për të rekuperuar dhe këto 100 ditë ja dha, herë Presidentja dhe herë Gjykata Kushtetuese, e sërish nuk ja doli. Për mua ishte shumë interesante sesi kryeministri në ikje nuk dinte të sillej në këtë situatë të re. Ai nuk e ka patur asnjë gramë kreativitet. Sepse ai është mësuar që ndërkombëtarët t’ja kryejnë punën gjithmonë.

Mira Kazhani: Por pavarësisht situatës ai mbetet edhe më i preferuari i kosovarëve. Është partia më e votuar!

Albin Kurti: Dakord, por herë të tjera kur dilte parti e parë nuk e formonte dot qeverinë. Këtë herë nuk e formoi dot as në 100 ditë.
Mira Kazhani: Pse u bashkuat të gjithë kundër Thaçit? Çfarë ka bërë ai konkretisht?

Albin Kurti: Sepse ai është një e keqe aq e madhe sa jo vetëm ta zë shikimin, por ta zë dhe grykën. Meqë më pyetet konkretisht: Prej shitjes dhe distribucionit të energjisë, tek pazaret me Serbinë, fusnotat, aferat e ndryshme. Mund t’ju kujtoj një rast siç është vetëvrasja 11 herë me thikë e kreut të agjensionit të urbanizimit në Kosovë. Kemi patur rastin e zhdukjes së provave në dhomën më të sigurt në Kosovë, në dhomën e dëshmive tek policia hetuese; abuzime me autostradat, shpenzimi marramendës me autostradën e Shkupit e cila është e panevojshme për ne, i shërben vetëm Maqedonisë etj.
Mira Kazhani: A do ti hetoni të gjitha këto që thatë zoti Kurti nëse do të vini në pushtet?

Albin Kurti: Nuk ka dyshim që kjo do jetë qeveri e opozitës edhe pse do të jetë në pushtet. Krimi i organizuar dhe çdo rast abuzimi do të hetohen pa kompromis.

Mira Kazhani: Ju Besoni se do ta bëjë diçka të tillë Haradinaj?
Albin Kurti: Nuk është kjo çështje e Haradinajt. Kjo është çështje e një qeverie ku do drejtojnë 4 forca paralelisht. Nuk është zoti Haradinaj që ka fituar 51 përqind të votave. Vendimet do merren bashkarisht edhe orientimin do ta kemi të përbashkët. Nuk është kjo një qeveri siç ka qenë qeveria Thaçi që kryeministri është mbi ligjin dhe se me vëllezërit e tij dhe militantët partiakë dhe agjentët e SHIK kishte kapur shtetin.

Mira Kazhani: Një akuzë të tillë e dëgjova në Prishtinë të artikulohet, kuptohet nga kundërshtarë të Thaçit, sikur ai ka përdorur SHIK. Ju keni prova kur e thoni këtë?

Albin Kurti: Po ju them se ky organizëm ka përdorur gjysmë të vërteta, shpifje jo kundër Serbisë, jo për drejtësinë në Kosovë por për kundërshtarët politikë të Thaçit; dhe PDK përmes kësaj strukture vjen në pushtet duke e shndërruar atë në një pushtet shumë të fuqishëm dhe duke bërë Kosovën një shtet të dobët. Ne kemi kërkuar si VV që të nisin hetimet ndaj strukturave të SHIK për të marrë vesh rreth financimeve të tyre, për urdhër-dhënien e tyre, por në legjislaturën e kaluar kemi pasur vetëm 27 firma dhe na duhet 40 firma. Pa u çliruar institucionet e Kosovës nga SHIK, nuk mund të çlirohet shteti i Kosovës nga ky pushtet. SHIK nuk ka qenë i Kosovës dhe duhet ta marrim vesh i kujt ka qenë dhe kujt i ka shërbyer.

Mira Kazhani: Në Shqipëri është SHIK dhe i jep posaçërisht informacion kryeministrit, Presidentit. Ideja e shërbimit është në funksion të sigurisë.
Albin Kurti: Po, por ne kemi Agjensinë e Inteligjencës së Kosovës. SHIK është ngritur si një dublim i kësaj agjencie dhe është bërë për interesat e Thaçit. SHIK këtu është një strukturë paralele.
Mira Kazhani: Nisur nga biseda që kemi bërë deri tani, të krijoni përshtypjen se keni bërë më shumë një koalicion Anti Thaçi sesa një koalicion ku ndahen pikëpamje programore?

Albin Kurti: Nëse e lexoni mirë marrëveshjen e 10 shtatorit do të gjeni se aty ka shumë pikëpamje të përbashkëta programore. Në marrëveshjen tonë askund nuk përmendet PDK, askund! Por natyrisht që ne jemi kundër së keqes. Në Kosovë e keqja quhet “Qeverisja Thaçi”.

Mira Kazhani: Po si ka mundësi që s’e kanë ndjerë këtë kosovarët që e votuan PDK-në. Si e shpjegoni këtë votë?

Albin Kurti: Votë klienteliste. Le të mos harrojmë që punëdhënësi më i madh në Kosovë është qeveria. Mbi 80 mijë të punësuar.
Mira Kazhani: E paska bërë një të mirë Thaçi. Paska punësuar 80 mijë vetë. Në Shqipëri vetëm punë të kërkojnë votuesit.

Albin Kurti: Po, e vërtetë, por ka shkatërruar shtetin. Dhe këtë e ka bërë aty për aty duke u bërë keq të tjerëve. Kosova nuk ka 200 mijë banorë. Kosova ka 2 milion banorë dhe Thaçi ju shërben atyre që i kanë dhënë votën. Duhet të marrë fund kjo logjikë e Jugosllavisë kur punësohesh me mbiemër. Shteti nuk mbahet me logjikën e fisit.

Mira Kazhani: Meqë jemi tek shteti dhe banorët e tij, Kosovarët. A mendoni se këta të fundit kanë nevojë për një punë, zhvillim ekonomik, arsimim, apo janë ende të përfshirë nga vokacionet nacionaliste. Ju mendoni se ata shqetësohen shumë për Serbinë?

Albin Kurti: Ne vetë jemi të interesuar që Serbia të mos jetë çështje e parë. Por këtë Serbi kjo qeveri po na e mban. E cila nga njëra anë i pëlqen ndërkombëtarëve. Ata e respektojnë shumë më tepër Serbinë sesa Kosovën. E konsiderojnë edhe objektivisht si një treg më të madh. Dhe këta duke u bërë të pëlqyeshëm me përuljen e tyre ndaj Serbisë, kanë marrë njëfarë amnistie nga ndërkombëtarët për krime të ndryshme. Duhet hequr Serbia nga prioriteti i Kosovës dhe kjo duhet bërë me një qeverisje normale. Prioritet duhet të kemi zhvillimin ekonomik, mirëqenien, drejtësinë… prioritet duhet ta kemi edhe sovranitetin edhe çështjen tonë kombëtare.

Mira Kazhani: Po çfarë mund të bëjë një shtet i ri si Kosova, nëse ky qëndrim është i imponuar nga ndërkombëtarët?

Albin Kurti: Ne nuk po themi sovranitet të llojit të Austrisë, por të paktën sovranitet si Mali i zi dhe Maqedonia. Kaq e meritojmë. Është e turpshme!
Mira Kazhani: Në Tiranë tingëllon pak provokues dhe interesant kushti që i keni vënë qeverisë së re (nëse do votëbesohet) që ju Albin Kurti, të jeni negociatori i ardhshëm me Serbinë. Përpiqem ta përfytyroj sesi negocioni ju me ministrin e Jashtëm serb, zyrtarë të tjerë të lartë në Bruksel?

Albin Kurti: Ne kur themi dialog, themi dialog me Brukselin. Dhe kemi nevojë për marrëveshje kontraktuale dhe partneritet të vazhdueshëm. Tash për tash ne po trajtohemi sui generis nga Brukseli dhe qeverisjet e mëhershme na kanë vendosur në pozita që Brukseli nuk mund ta shohë Kosovën pa e menduar njëkohësisht edhe Serbinë. Ne kemi nevojë për bisedime Prishtinë-Bruksel, ku Kosova plotëson standardet për anëtarësim sa më të shpejtë. Realisht, qeveritë e pas shpalljes së pavarësisë janë marrë me koncesione ndaj kojshisë së keq, sesa me punë të mira të shtëpisë; dhe ne do i bëjmë realitet punët e mira të shtëpisë. Ky është dialogu i parë. Ne kemi nevojë që ministri ynë i Arsimit, ministri ynë i Bujqësisë të takohet me komisionerët e Brukselit dhe të flasin për arsim, bujqësi. Dhe jo vetëm që ata të shkojnë atje kur rastis të jetë edhe ai i Serbisë. Pra që të jem i qartë, ne kemi nevojë për marrëdhënie të vetësishme Prishtinë- Bruksel. Ky është dialogu i parë. Dialogu i dytë është me serbët e Kosovës. Serbët e Kosovës janë qytetarë të Republikës dhe ne duhet të dialogojmë me ata. Sa për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë ai do ndodh kur kjo e fundit të njoh pavarësinë e Kosovës. Pajtimi është i matshëm objektivisht, ai nuk bëhet me dialog. Ndërsa me serbët e Kosovës le të flasim për zhvillim dhe jo për pajtim. Ne duhet të flasim për zhvillim, sa për pajtimin le t’ja lëmë topin Beogradit. Pajtimin se kërkon viktima, atë duhet ta kërkojë xhelati.

Mira Kazhani: Dakord zoti Kurti, është shumë e thjeshtë të flasësh nga opozita. VV se ka provuar kurrë të qenit në drejtimin e qeverisë. Mos ndoshta do të ndryshoni edhe për këtë gjë, siç zbutët qëndrimin për koalicionin qeverisës? Kushedi dhe ju mund ta kapërceni ylberin me Serbinë dhe mund ta gjeni vetën në një negociator të bindur si Thaçi?

Albin Kurti: Nuk besoj së është ashtu. Sidomos unë nuk e bazoj politikën mbi karaktere njerëzish. Unë kam qëndrim strategjik për hir të zhvillimit të Kosovës. Unë mendoj se nuk do bëja kurrë kompromis për diçka që nuk është në të mirë të Kosovës.
Mira Kazhani: Mendoni se e kanë mirëpritur ndërkombëtarët prezencën tuaj në qeveri dhe sidomos në negociatat në Bruksel?

Albin Kurti: Ndërkombëtarët në këto bisedime (për qeverinë e re) kanë mbajtur distancë dhe e kam parë këtë si diçka shumë korrekte dhe të pjekur. Është hera e parë që krerët e subjekteve takohen pa ndërmjetësues. Është e vërtetë që Kosova ka krizë institucionale por kjo krizë ka një anë të mirë dhe ky është kampi opozitar që do të jetë qeverisja e ardhshme.

Mira Kazhani: I keni diskutuar postet në qeverinë e re?

Albin Kurti: Nuk e kemi diskutuar as brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Duhet të zgjedhim së pari kryeparlamentarin.
Mira Kazhani: Keni ndonjë preferencë?

Albin Kurti: Jo nuk mund të them se kemi ndonjë preferencë. Ne mendojmë se secila ministri është e rëndësishme. Besoj se sa më shumë përgjegjësi që merr Vetëvendosja aq më mirë do të jetë për qeverinë e ardhshme. Por bisedimet çfarë do të jetë programi politik qeveritar dhe si do të bëhet ndarja e dikastereve kryesore do të jenë bisedimet që do të pasojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Mira Kazhani: Takoheni shpesh gjatë këtyre ditëve, me zotin Haradinaj, Mustafën dhe Limaj?

Albin Kurti: Komunikimet dhe konsultimet i kemi të rregullta. Ndërkohë që nuk ka kurrfarë kontaktesh me PDk-në të asnjërit prej këtyre krerëve.
Mira Kazhani: Ka ndonjë shqetësim se mund të ketë rrjedhje deputetësh deri të enjten?
Albin Kurti: Nuk ka shqetësime të tilla, i morën dhe gjashtë ditë shtesë nëpërmjet kërkesës së Beogradit, mirëpo të enjten (sot) duhet të bëhet seanca dhe aty do të vuloset një dështim i radhës i PDK-së para se përfundimisht të hapet porta për qeverinë e re dhe konstituimit të institucioneve në legjislaturën e 5-të të Republikës.
Mira Kazhani: Kam takuar disa miq në Prishtinë zoti Kurti që dikur ishin shumë entuziastë për Vetëvendosjen, por tashmë duken të zhgënjyer?
Albin Kurti: Mendoj që ndoshta kanë besuar që mund të bëjmë për një kohë shumë të shkurtër punë tejet të mëdha. Mendoj që komuna në Prishtinë ka qeverisur drejt. Të gjitha të këqijat e mëhershme nuk vazhdohen, mirëpo për t’i kthyer mbrapsht këto të këqija, për t’i bërë të mira, do të na duhet më shumë kohë. Besoj që me qeverinë e re edhe komuna e Prishtinës do ta ketë shumë më kollaj që ta ndryshojë qytetin ashtu siç nuk kemi patur mundësi ta bëjmë deri tani.

Mira Kazhani: Disa nga idetë tuaja mbi shoqërinë janë shumë të majta, gati marksiste. Le të supozojmë në një moment se ju keni në dorë qeverisjen e Kosovës dhe mund të ndërmerrni çdo lloj reforme shoqërore, politike, dhe ekonomike që do dëshironit. Si do ishte një shoqëri e ndërtuar nga Albin Kurti?

Albin Kurti: Besoj që ne e kemi treguar tashmë vizionin tonë për qeverisjen të të cilën kemi drejtësi sociale. Ne e kemi të qartë idenë tonë për Republikë parlamentare dhe një vend i cili do duhet ta ketë të bazuar ekonominë në prodhim, luftën kundër krimit e korrupsionit. Dhe sovranitet të plotë së bashku me të drejtën për t’u bashkuar me Shqipërinë. Për momentin jemi në këtë shkallë, duke menduar për një koalicion. Të shohim se me kë do të jemi më afër në qëndrime.
Mira Kazhani: Çfarë mendoni ju për kapitalizmin?
Albin Kurti: Është sistemi aktual socio-ekonomik dhe ne kemi alternativën tonë brenda këtij sistemi. Natyrisht që mendojmë se ka shumë lloje të kapitalizmit dhe kritika jonë shprehet kundër llojit Neo-Liberal. Sot i gjithë globi është sistem kapitalist, madje edhe Kina është sistem kapitalist. Ne mendojmë që ka shumë më tepër mundësi që ta zgjedhim llojin e kapitalizmit dhe jo të përfundojmë tek kapitalizmi neoliberal ku na thonë që vetëm ta zgjedhim llojin e mallrave në supermarket.

Mira Kazhani: Jeni mirënjohës ndaj SHBA-së për çlirimin e Kosovës?
Albin Kurti: Pa dyshim. Pa to nuk do ndodhte intervenimi i Nato-s dhe ndërhyrja e Nato-s ishte një gjë e jashtëzakonshme e cila na bëri të jetojmë të lirë.

Mira Kazhani: Kohët e fundit Kosova ka dalë edhe në një dimension të ri, aspak pozitiv për imazhin dhe të ardhmen e saj, e kam fjalën për dyshimin se këtu po prodhohen terroristë! Çfarë ka ngjarë me Kosovën. Sa mendoni se ka ndikuar qeveria Thaçi. Më kujtohet se kur Barack Obama flirtoi me opozitën siriane para dy vjetësh, edhe ministri i Jashtëm i Kosovës bëri një deklaratë që analistët thonë ndikoi shumë tek besimtarët këtu.

Albin Kurti: Sigurisht që ka ekstremizëm fetar. Sigurisht që ka ekstremizëm islam. Mirëpo ka një tendencë të vazhdueshme të regjimit në Kosovë që të thotë se rreziku kryesor për Kosovën është Islami ekstrem dhe jo Serbia e korrupsioni. Unë besoj se ekstremizmi fetar është rrezik dhe problem, por në Kosovë ky është problemi numër 3. Problemi numër një është Serbia, numër 2 është korrupsioni qeveritar dhe krimi i organizuar dhe problemi numër 3 vjen si pasojë e dy të parave. Ministria e Jashme e Kosovës u vonua ta përshëndeste pranverën arabe e mandej u ngut në Siri. Ishte totalisht e nxituar deklarata e zotit Hoxhaj që Assad ishte si Millosheviç dhe opozita siriane është si UÇK. Kjo mandej u ndoq nga shumë njerëz këtu. U krijua përshtypja që ne jemi një vagon, në kuadër të trenit që udhëhiqet me SHBA, por kur lokomotiva bën kthesat e saj, vagonët nuk arrijnë dot ta përcjellin. Unë besoj se Kosova duhet t’i ketë dy këto anë, ku në njërën lejohet e respektohet e drejta e besimit dhe nga ana tjetër sigurisht ushqejmë vlerën tonë themeltare: Që kombi është më i rëndësishëm se feja.

Mira Kazhani: Ju vetë jeni besimtar?

Albin Kurti: Nuk mund të them se jam besimtar i devotshëm. Unë jam qytetar i Republikës Shqiptare. Dhe e di, nuk mendoj se duhet vendosur të gjithë myslimanët në një thes në njërën anë, dhe as organizatat e ndryshme radikale në një thes. Nuk janë sinonime Vëllazëria Myslimane, Al Kaeda, ISIS etj. Sepse ka një tendencë që të gjithë myslimanët janë njësoj dhe të thuhet që edhe këto organizata radikale janë bashkë. Në fakt luftërat ato i bëjnë me njëra-tjetrën.

Mira Kazhani: Vetëvendosja i dënon radikalët?

Albin Kurti: Pa dyshim. Ne dënojmë ekstremistët, radikalizmin fetar i cili në njërën anë merr jetë të rinjsh dhe në anën tjetër shpërqendron vëmendjen nga problemet socio-ekonomike. Nëse shikoni sot hartën e botës, luftëra ka aty ku ka resurse. Në Kosovë nuk është e rastësishme që Mitrovica është e ndarë, sepse aty është Trepçja.

Mira Kazhani: A mendoni se janë keqkuptuar disa qëndrime te VV, si ai për shamitë apo tekstet shkollore si një frymë radikale thelle-thellë VV? Nuk e di, nisur nga shpjegimi juaj më lart duket se kjo çështje është përdorur politikisht, por a mund ta sqaroni ju vetë?

Albin Kurti: Edhe për këtë çështje ne nuk e formësojmë qëndrimin tonë nga ajo çka thonë kundërshtarët. Unë nuk udhëhiqem në politikë nga pamundësimi i preteksteve të kundërshtarëve. Nuk brengosem për këtë gjë. Është bindja ime e fuqishme se Republika e Kosovës në aspektin kombëtar e lidh Skënderbeun me Adem Jasharin. Dhe në aspektin politiko-filozofik e ka shinën tjetër të binarëve që lidh Sami Frashërin me Ukshin Hotin. Në mendojmë se këta janë binarët e Republikës së Kosovës.

Mira Kazhani: Zoti Kurti, këtë verë në një nga kujtimet e At Zef Pllumit lexova diçka që më mbeti në mend. Ishte një kritikë për ata që flasin shumë për Atdheun. A mendoni se ai duhet më shumë në heshtje?

Albin Kurti: Jam dakord që Atdheu duhet me vepra dhe jo me fjalë, por nuk jam dakord që vetëcensura e shqiptarëve për Kombin shndërrohet në traumë kolektive. Ta shpallim veten Komb që do të bashkohet, është gjëja më normale.

Mira Kazhani: Pse duhet të bashkohemi?
Albin Kurti: Po pse u bashkuan dy Gjermanitë? Nuk kemi nevojë të jemi më të mençur se gjermanët në këtë pikë.
Mira Kazhani: Nuk di që të kemi një mur që na ndan. Madje kemi një rrugë të bukur që na bashkon.

Albin Kurti: Po. Nuk është njësoj si dy shtete. Por shikoni, ne sado të mundohemi të bëhemi si nacionalistë, ju siguroj se kurrë nuk do bëhemi më nacionalistë sesa amerikanët, francezët, gjermanët. Unë akuzohem si nacionalist i flaktë në një ambient ku njerëzit kanë përvetësuar qasje antinacionaliste e cila në Ballkan të vë në shërbim të nacionalizmave të tjerë. Sepse në Kosovë gjithmonë është dashur të zgjedhësh midis nacionalizmit shqiptar dhe atij serb. Nëse nuk je nacionalist shqiptar, përfundon në pozicionin e kundërshtarit. Kur ta lënë nacionalizmin e tyre amerikanët, francezët etj, edhe ne shqiptarët do e lëmë këtë tonin. Mirëpo nuk besoj që braktisja e nacionalizmit duhet të fillojë nga populli ynë.

Mira kazani: Dua t’ju pyes për disa personazhe shumë shkurt. Çfarë mendoni për Enver Hoxhën?

Albin Kurti: Diktator i ashpër i shekullit të kaluar!
Mira Kazhani: Për Titon?

Albin Kurti: Ka qenë një diktator shumë i egër, shumë dinak dhe i cili ka balancuar midis nacionalizmave që të mbajë pushtetin e vet. Ai e ka ushqyer Jugosllavinë mbi gënjeshtra fondamentale.

Mira Kazhani: Për Ibrahim Rugovëm?
Albin Kurti: Besoj që ka qenë një kritik i mirë letrar i cili në kohën e okupimit të Serbisë ka bërë rezistencë paqësore. Dhe mospajtimi ka qenë se rezistenca paqësore ka qenë tejet pasive. Në atë kohë, unë në vitet 90 isha në unionin e pavarur të Universiteti të Prishtinës dhe në atë kohë ushqenim shpirtin e demonstratës dhe në 97 ne patëm atë kundërshtimin pasi ne ishim për rezistencë.
Mira Kazhani: Rexhep Qosja?
Albin Kurti: Një intelektual që i ka frymëzuar shumë shqiptarët në rezistencën e tyre përgjatë dekadave ndaj regjimit jugosllav dhe ka patur një rol të jashtëzakonshëm në këtë aspekt. Për ditët e sotme besoj që është shumë i afërt në pozicione me qeverisjen në ikje dhe besoj që është tepër i afërt për të qenë Rexhep Qosja.

Mira Kazhani: Sali Berisha?

Albin Kurti: S’di ç’të them për Sali Berishën, përveç dallimeve evidente që kemi. Besoj që ai do të mbahet mend në histori për thirrjet e demokracisë, më shumë sesa për ndërtimin e saj.

Mira Kazhani: Edi Rama si kryeministër si po ju duket?

Albin Kurti: Besoj që ka njëlloj potenciali për të qenë radikal gjë që është shumë e nevojshme për shoqërinë shqiptare dhe për shtetin shqiptar. Por sa ky potencial i tij do të aktualizohet gjatë qeverisjes, mbetet për t’u parë dhe ai ka një rritje të interesit për t’u kujdesur dhe mësuar për shqiptarët jashtë kufijve.

Mira Kazhani: Jeni trashëguar me një vajzë të vogël para pak kohësh. Si quhet?

Albin Kurti: Lea. Kemi një ndryshim radikal në shtëpinë tonë. Na është shtuar popullsia. Ishim dy u bëmë tre.
Mira Kazhani: Kujt i ngjan?

Albin Kurti: Një javë mua, dhe një javë Ritës. Thonë se ndryshon pas 9 muajsh. Atëherë kuptohet.

Mira Kazhani: Çfarë gjuhe do mësojë Lea?
Albin Kurti: Anglishtja që është tashmë nevojë. Sigurisht shqip edhe norvegjisht.

Mira Kazhani: Kur ju kam intervistuar për herë të parë, të gjithë u habitën me historinë tuaj me Ritën, norvegjeze. Ata mendonin se Albin Kurti nacionalist i flaktë kish thyer një tabu.

Albin Kurti: Është e vërtetë se njerëzit që nuk më kanë njohur mirë edhe mund të jenë çuditur. Po unë besoj që Kombi është një nocion duhet të mësohet tek lëndët e historisë, gjeografisë e politikës. Jo tek lënda e biologjisë dhe jo tek preferencat personale të njerëzve.
Mira Kazhani: Imagjino sikur preferencat personale të kishin shkuar tek një serbe?!

Albin Kurti: Atë po ju lë ta imagjinoni ju!

Më Shumë

Rikthehet Superliga, vëmendja tek Malisheva–Drita

Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, këtë vikend rikthehet Superliga me xhiron e 27-të. Këtë javë na presin dy ndeshje shumë interesante....

Gjendet në humnerë personi që u raportua si i zhdukur në Prevallë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur burri nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur dje. Policia ka bërë me dije se...

Lajmet e Fundit