6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Me mua LDK do të ishte më e re

LutfiHaziri5-30Nëse Isa Mustafa nuk do të jetë sërish kandidat për kryetar të LDK-së, atëherë ka gjasa që kësaj pozite t’ia mësyjë Lutfi Haziri. Ai në pjesën e dytë të intervistës për gazetën Tribuna ka thënë se po e vlerëson kandidaturën.

Haziri ka folur për Mendim Rugovën dhe ka thënë se ai përfaqëson vetëm veten e tij. Haziri ka shpjeguar edhe për idenë dhe qëllimin e tij që LDK të jetë e afërt me PDK-në, ndonëse ka thënë se kjo e fundit është ShIK-u vetë. Haziri ka thënë se nuk po flirton me radikalizëm islamik dhe se po t’i jepet mundësia do të hynte në shkëmbim territoresh me Serbinë.

Tribuna: Z.Haziri, LDK është futur në zgjedhjet e 8 qershorit më pretendimin për të dalë partia e parë. Ka qenë një premtim i kreut të saj Isa Mustafa, që në rast se LDK nuk del partia e parë, ai do të jap dorëheqje. Pse nuk ka ndëshkim ndaj atyre që janë marrë me zgjedhje?
Haziri: Sukseset dhe përgjegjësitë i atribuohen kryesisë së partisë dhe liderit të saj. Për LDK-në ky është vit i zgjedhjeve, ne në vjeshtë të këtij viti i kemi zgjedhjet e brendshme. Në çdo katër vjet kemi zgjedhje brenda partisë dhe pavarësisht rrethanave dhe momenteve zgjedhjet e LDK-së janë mbajtur me afat. Ne e kemi ndryshuar statusin e LDK-së, i kemi ndryshuar politikat tona zgjedhore dhe besojmë se ka më pasur shumë rezultat në zgjedhjet e ardhshme.

Tribuna: Pse nuk pati marrje të përgjegjësisë menjëherë pas zgjedhjeve?
Haziri: Ne nuk kemi dashur me qenë kryesi pa kokë, nuk është pjesë e traditës së politikës së LDK-së. Ne jemi partia e parë e djathtë dhe jemi më konservatorë se të tjerët. Vlerësimi jonë do të ndodhë atëherë kur duhet të ndodhë dhe jo kur tjerët presin me ndodhë.

Tribuna: A do të kandidoni për kryetar të LDK-së?
Haziri: Është pak herët me vlerësu diçka të tillë. Unë jam institucionalisht i organizuar, meqë jam shumë i ri në këtë punë dhe me vetë faktin se kam pranuar me kandidu dhe m’u zgjedh kryetar i Gjilanit për herë të tretë, tregon qartë se unë kam dashur me ndihmuar procesin e rritjes së LDK-së. Sa i përket kalendarit të LDK-së, është pak herët me thanë dhe do të varet shumë nga ajo se a do të jetë Isa Mustafa kandidat, apo a do të jetë dikush tjetër kandidat, do të jetë determinuese.

Tribuna: A e keni diskutuar me Isa Mustafën, a do të jetë ai kandidat?
Haziri: Jo, në këtë fazë ne jemi pjesë e angazhimit të procesit të brendshëm që ka të bëjë më zgjedhjet parlamentare dhe mendoj që në shtator e tutje LDK, do të merret më shumë më vetveten.

Tribuna: Nëse shkohet në zgjedhje tjera parlamentare të parakohshme, a pranon LDK të shkojë në zgjedhje me Isa Mustafën?
Haziri: Derisa nuk ka zgjedhje tjera Isa Mustafa është kryetar i LDK-së i pranuar dhe i mbështetur me konsensus nga strukturat e LDK-së. Ai është kryetari ynë legjitimë.

Tribuna: Si do të dukej LDK me Lutfi Hazirin kryetar?
Haziri: Më e re.

Tribuna: A do të reformohej?
Haziri: Besoni, unë nuk kam asnjë ambicie dhe nuk kam asnjë plan në kokën time me qenë me lartë se ku jam në LDK. Dhe me thënë të drejtën unë nuk kam çka i jap më shumë LDK-së.

Tribuna: Sa pyetje duhet t`ua bëjmë që ta konfirmoni kandidaturën?
Haziri: Nuk jam definitivisht kandidat.

Tribuna: Ju dhe Vjosa Osmani shiheni si figurat fituese të zgjedhjeve. Vjosa për shkak të numrit të madh të votave që ka marrë në zgjedhje dhe ju për shkak që e keni rikthyer Gjilanin?
Haziri: As në rastin tim dhe as në rastin e Vjosës nuk është vlerësim i drejtë. Unë kam fituar në Gjilan për herë të tretë dhe atë më një rezultat afirmativ të votave. Mirëpo, kjo nuk është determinues i suksesit, sepse partia ime i ka humbur zgjedhjet parlamentare. Vjosa ka fituar vota si e treta në LDK, por baza e saj elektorale ka humbur zgjedhjet në Mitrovicë. Fitoret e vogla të Lutfi Hazirit dhe të Vjosa Osmanit nuk e bëjnë fitues individin brenda një subjekti pa i fituar zgjedhjet partia. LDK-në, në kohën më të mirë e rikthen vetëm një njeri a po një autoritet, i cili arrin me e unifiku ketë parti.

Tribuna: Por, LDK nuk i ka fituar zgjedhjet që prej vdekjes së Rugovës?
Haziri: Atëherë duhet punuar shumë që me gjet rrugën e fitores, por jo në fitore të vogla të individëve, por duhet gjetur rrugën e fitores së madhe dhe të rikthimit të madh të LDK-së.

Tribuna: A jeni shmangur prej frymës rugoviane?
Haziri: Pjesa dërrmuese e LDK-së, jo, por nuk mund të thuhet kurrë që LDK-ja pa Rugovën është e njëjtë.

Tribuna: A e keni lexuar intervistën e Mendim Rugovës?
Haziri: Nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë vlerësimi politik i Mendim Rugovës me frymën rugoviste.

Tribuna: Ai (Mendimi) ka folur për demoralizimin që ka përjetuar shoqëria pas luftës?
Haziri: Ky është vlerësim ekskluziv i Mendim Rugovës. Është një mëndim i një njeriu i cili e ka babë dhe natyrisht është një nder i madh për ta dhe për LDK-në. Por, kjo nuk do të thotë që garantues të frymës rugoviane janë pasuesit e gjakut të Ibrahim Rugovës. Familja e madhe politike që quhet LDK, që është udhëhequr nga presidenti Rugova, është themeluar nga njerëzit në Kosovë dhe misionin e vet për themelimin e shtetit të Kosovës e ka kryer. Ne duhet punuar në rrugën pas pavarësisë, sepse rrugën deri të pavarësia e ka gjetur Rugova.

Tribuna: Mendimi flet edhe për mungesën e guximit të LDK-së?
Haziri: Mungese guximi për çka? Mu marrë më arrestime, me lirime?

Tribuna: Për mungesë guximi në opozitë. A mendoni se LDK ka bërë opozitë të guximshme?
Haziri: Sigurisht kemi qenë opozitë e guximshme se nuk kemi qëndruar tek shtëpia. LDK, nuk mundet me u rritë duke qëndruar në shtëpi. Fryma rugoviane lidhet me shtetin e Kosovës.

Tribuna: Z.Haziri, a nuk mendoni se kohëzgjatja kaq e gjatë PDK-së, është për faj të LDK-së?
Haziri: A e dini sa gjatë ka pritur PDK-ja, për me marrë pushtetin?

Tribuna: Kjo është periudha kur ka qenë z.Rugova gjallë?
Haziri: Mirë, nuk është më rëndësi… LDK, e ka marrë pushtetin në Kosovë nën udhëheqjen e z.Rugova, por as atëherë nuk e ka marrë në Drenicë, Kaçanik, Shtime dhe sot e asaj dite LDK nuk ka arritur të fitojë në këto zona. Imagjinoni sikur me pas qenë Kosova pas lufte sikur në Kaçanik dhe Skenderaj, për 15 vite LDK nuk kish ekzistuar fare. LDK-në e kanë mbajtur njerëzit që janë besimtarët e mëdhenj të ideologjisë dhe të frymës rugoviane.

Tribuna: A mendoni që koalicioni “Guns N’Roses”, është mëkati që ende po e paguan LDK-ja?
Haziri: Unë e kam dhënë mendimin tim “Guns N’Roses”. Nuk e ka vetëm simbolikën që e kanë lexuar shumica. “Guns N’Roses”, është bend që është shpërbërë. Unë vazhdimisht e them se tërheqja e LDK-së nga qeveria në vitin 2010 ka qenë gabim politik i LDK-së. Pavarësisht kush dhe si është zhvendosë, ka qenë gabim politik të cilin ende nuk po arrijmë ta riparojmë. Sepse hyrja në koalicion me PDK-në në atë kohë ka qenë hyrje me qëllim, me program dhe me detyrë është thënë në atë kohë. Tërheqja e LDK-së, pavarësisht rrethanave çfarë kanë qenë është momentum i ri i krijuar në mes të marrëdhënieve të PDK-së dhe LDK-së. Dhe ky mosbesim ka kulmuar me daljen e LDK-së, dhe kjo thyerje e besimit është vështirë të riparohet.

Tribuna: Nëse i shohim aderimet në Lidhjen Demokratikë të Kosovës dhe në Partinë Demokratikë të Kosovës, del që PDK, është shumë më aktive. Në fakt kemi një hapje të PDK-së, ndaj njerëzve të shoqërisë civile. Një prej aderimeve më të mëdha që keni pasur ka qenë një komandant i luftës. A po i bie që PDK, po bëhet me “Roses”, dhe LDK ka mbetur tek “Guns”?
Haziri: Nuk ka sens kjo. Nuk mundet sa do që të duan, PDK-në nuk mund ta bëjnë ma “Roses”,. ajo është e ndërtuar mbi çelikun e armëve të saj dhe është gabim me ia ndërruar lëkuren më zor, sepse del karikaturë. PDK-ja, i takon njerëzve që e kanë themeluar dhe ata njerëz që e kanë themeluar janë njerëzit që janë transformuar prej luftës dhe janë struktura të vjetra patriotike siç janë “LPK”, “LPRK”, “OMLK”, dhe njerëz që kanë vuajtur nëpër burgje dhe në veprim ilegal. Nuk është marrë me thanë atë punë se ata kanë punuar për këtë vend. Nuk kanë bërë asgjë të keqe. Por, tendenca për ta bërë PDK-në, më demokratike se LDK-në nuk i shkon.

Tribuna:Ka interpretime se pasuesi më i mirë i frymës rugoviane është vetë Thaçi?
Haziri: Jo, assesi në asnjë mënyrë. Ka marrë ndoshta ndonjë metodë pune. Por, as në karakter politik as në lëvizje politike, as në historikun e ndërtuar politik nuk janë të ngjashëm.

Tribuna: Ti kthehemi pak Gjilanit, si e keni gjetur Gjilanin? Gjilani, është shquar për borxhin e madh, sa keni arritur me ulë borxhin ?
Haziri: Për gjashtë muaj kam arritur të paguajë 1.9 milion euro borxhe. Janë grumbullim i të hyrave komunale. Përveç 270.000 euro që kanë qenë mjete të bartura. Pra 1.6 milionë të cilat janë grumbulluar nga taksat komunale dhe është dashur me i kthyer borxhet. E kam bërë më qëllim të qartë pavarësisht se e kam ditur se zgjedhjet parlamentarë mbahen në qershor, nuk kam dashur të zhvillojë lojë elektorale. Lojë elektorale duke i shpenzuar mjetet në infrastrukturë të shpejtë, të pa monitoruara dhe të pa kontrolluara, por kam vendos dhe kam has në një solidaritet të madh të qytetarëve.

Tribuna: Ju i keni bërë thirrje qytetarëve për ta paguar borxhin që kanë ndaj komunës.
Haziri: Ka edhe borxhe të qytetarëve këto gjashtë vitet e fundit që nuk i kanë paguar. Ka tolerancë mospagese edhe gjendja sociale natyrisht ka ndikuar, por është një numër i madh i qytetarëve që kanë obligime në këto gjashtë vitet e fundit. Sidomos në tatimin në pronë, taksat tjera komunale dhe në lejet urbane.

Tribuna: Para dy viteve keni dhënë një ide për shkëmbimin territorial në mes të Luginës Preshevës dhe Veriut të Kosovës.
Haziri: E vetmja rrugë që i normalizon dhe i pajton shqiptarët dhe serbët në Ballkan, është zgjidhja e problemeve territoriale me Serbinë. Përfundimisht qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe pjesa më e madhe e Medvegjes, vargmalet e Karadakut, Gollakut në tërësi, Moravë e Preshevës, korridori ndërkombëtar që shkon në Selanik, hekurudha është ndarje natyralë në mes të Shqiptarëve dhe serbëve duhet me u nda. Ndërsa Leposaviqi me disa fshatra të Zubin Potokut, që nuk e prekin në asnjë mënyre Mitrovicën, Zveçanin dhe pjesët e Trepçës, jo pse ne duam, po kurrë s’kanë qenë territorialisht të organizuara ndryshe.

Tribuna: Lutfi Haziri kryeministër, a do të kërkonte që kjo çështje të jetë dialog?
Haziri: Në situatën e parë që më jepet mundësia jo vetëm kryeministër, por ka do që të shkoj dhe punoj do të kërkoj që ky problem të zgjidhet, sepse problemi i kufijve duhet të zgjidhet. Serbia nuk e ka problem paguarjen e dëmeve të luftës. Të gjitha problemet tjera natyrshëm që kanë mu rregullu.

Tribuna: Po thoni që duhet hapur Kushtetuta? Duhet bëhet shkëmbim territorial i cili do të krijonte efekt në gjithë Ballkanin?
Haziri: Ne nuk jemi kujdestarë që t`i ruajmë të gjithë shtetet tjera.

Tribuna: Do të duhej të ndryshohej flamuri i Kosovës?
Haziri: Detyrimisht do të ndërrohej. Flamuri ka për t’u ndryshuar ashtu kështu. Ky flamur nuk ka lidhje me identitetin e Kosovës. Më vjen keq unë jam votues i këtij flamuri. Unë nderin më të madh në politikë e kam nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe jam krenar për atë që kemi bërë në Vjenë. Flamuri është ngjarja ma e keqe që i ka ndodh Kosovës. Flamuri aktual i Kosovës është karikaturë për me luajt fëmijët në çerdhe.

Tribuna: Cili do të jetë flamuri i Kosovës?
Haziri: Unë e dua flamurin e Dardanisë. Sepse ai flamur i jep identitet vendin tim. Por, Kosova ka nevojë për një konsensus për çështjen e simboleve.

Tribuna: A jeni ju promotorë i bashkëpunimit të LDK-së më LVV, ndonëse ideologjikisht jeni ndryshe?
Haziri: Unë jam i identifikuar prej njerëzve që mendoj dhe besoj se Kosova është dashtë me pas koalicion të madh. Kosovën duhet me e udhëheqë koalicioni kuq e zi në mes të dy subjekteve të mëdha që është LDK-ja, PDK-ja. Por, ma kanë demantuar ata që kanë menduar se Kosova duhet t’i ketë dy blloqe politike, në njërën anë LDK-ja dhe në anën tjetër PDK-ja.

Tribuna: Lutfi Haziri, kryetar i LDK-së, a do ta ofronte sërish më PDK-në?
Haziri: Besoj që bashkëpunimi politik asnjëherë nuk ka më munguar në këtë vend. Por, problemi është së këtu problemet po personalizohen pa nevojë dhe agjendat e mëdha politikë po marrin ngjyrime, karaktere personale.

Tribuna: Mos harroni se në pjesën e parë thatë që PDK është SHIK-u, ndërsa SHIK-u, PDK-ja. I bie afrim më ShIK-un?
Haziri: Definitivisht po. Nuk duhet bërë dallim, nuk duhet hyrë në hak njerëzve. Ata e kanë themeluar PDK-në. Ata janë njerëzit kryesorë që kanë pasur rol edhe në luftë edhe pas luftës. Nuk po flas për të keq, por në kuptimin njerëzor. Ata kanë qenë shokë, bashkëpunëtorë, luftëtarë sikurse që LDK i ka pasur bashkëpunëtorët dhe besimtarët e saj.

Tribuna: A jeni duke flirtuar me radikalizmin islamik?
Haziri: Jo, në asnjë mënyrë. Kosova është vend perëndimor, me territor perëndimor, me kulturë dhe shteti me çdo mjet duhet ta ruajë kulturën dhe orientimin perëndimor të Kosovës. Radikalizmi as fetar e as politik, shqiptarëve kurrë hajr nuk u ka bërë. Unë i takoj frymës së butë fetare tradicionalisht tash e 100 vjet. Ajo që Kosova e ka frymën e moderuar është ajo që quhet “hanefi”, është islami i moderuar dhe i butë. “Hanefi”, nënkupton reformator.

Më Shumë

Latifi: Kosovës i duhet ndihma profesionale, jo `dyqanet e kirurgjisë`

Kirurgë shqiptarë në mërgatë do ta ndihmojnë Kosovën dhe shëndetësinë e saj, përmes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Kryetari i këtij kolegji Dr. Rifat...

Hapet konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. ka shpallur një konkurs publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Kjo pozitë ka përgjegjësi të rëndësishme në menaxhim...

Lajmet e Fundit