11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Muçaj: Qeverinë e formon partia fituese

Florent MucajKrahasimi i Kosovës me vendet ku në pushtet ka ardhur partia e dytë e dalë nga zgjedhjet nuk qëndron, sepse ato vende e kanë të paraparë edhe me Kushtetutë një situatë të tillë.

Krahasimi i Kosovës me vendet ku në pushtet ka ardhur partia e dytë e dalë nga zgjedhjet nuk qëndron, sepse ato vende e kanë të paraparë edhe me Kushtetutë një situatë të tillë, vlerëson njohësi i të drejtës kushtetuese Florent Muçaj. Në një intervistë për Radio Kosovën Muçaj thotë se dispozitat kushtetuese dhe praktikat e deritanishme parlamentare në Kosovë, tregojnë se Qeverinë e formon partia që fiton zgjedhjet. Sipas tij, rastet nuk ka pasur fare nevojë që të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese, por tani kur juridikisht është sqaruar çdo gjë, mbetet në ndërgjegjen e deputetëve të gjejnë një zgjidhje politike.

RADIO KOSOVA: Republika e Kosovës ka ndërtuar institucionet e saj mbi bazën e një sistemi politik të një demokracie parlamentare. Cili ka qenë interesi i vendit tonë për t’i konsoliduar institucionet e para të shtetit me një formë të tillë?
FLORENT MUÇAJ: Kur është shkruar Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka pasur debate lidhur me sistemin politik në përgjithësi dhe ndarjen e pushteteve. Kushtetuta e Kosovës aplikon një sistem të pastër të ndarjes së pushteteve, pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kosova është një sistem politik kushtetues ku rregullat e lojës i përcakton parlamenti, sepse parlamenti e zgjedh edhe Qeverinë edhe Presidentin. Është sistem zgjedhor i cili i konvenon më së shumit klasës politike dhe partive politike për faktin e vetëm se në këtë sistem proporcional, ka më së paku vota të humbura, madje ky sistem u jep mundësi të mirë edhe partive të vogla që të bëhen parti parlamentare në zgjedhjet e lira. Në këto zgjedhje kemi pasur një parti të re që është futur në parlament, me një përqindje prej 5.5 për qind, dhe ajo tashti – me 6 mandate sa ka fituar – është bërë faktor. Sistemi zgjedhor proporcional i determinon kahet e bërjes së Qeverisë. Mendoj se sistemi zgjedhor është vetëm një prej elementeve që ka rastisur që partive t’u përshtatet dhe t’u konvenojë. E kemi parë se Kosova akoma nuk është e gatshme që ta ndryshojë sistemin zgjedhor.

RADIO KOSOVA: Me gjithë përparësitë që ju po i përmendni, jemi në një ngërç politik dhe ka ngecur konstituimi i Parlamentit të Kosovës.

FLORENT MUÇAJ: Unë mendoj se fajtor për këtë janë faktorët politikë, të cilët, mbase e kanë keqkuptuar rolin e parlamentit dhe normat kushtetuese, duke menduar se demokracia parlamentare në Kosovë, të cilën e ka instaluar kjo Kushtetutë, dhe e kanë votuar deputetët e Kuvendit, është demokraci numrash. Nuk mund të anashkalohet në tërësi vullneti i qytetarëve, të anashkalohet verdikti i popullit, sepse është absolutisht e pamundur që në një sistem proporcional – një parti politike ta fitojë shumicën absolute që ta formojë Qeverinë. Unë e kuptojë logjikën e koalicioneve dhe mënyrën se si janë sjellë partitë politike, por gjithmonë fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e ka parasysh verdiktin e popullit, e ka parasysh fituesin, atë që i ka fituar zgjedhjet. Te ne është krijuar një situatë shumë interesante, një bllok politik me shumicë parlamentare, me numra paszgjedhor, pretendon se e ka shumicën. Këtu u keqkuptua shumica parlamentare shumica e numrave për ta bërë Qeverinë.

RADIO KOSOVA: Si e komentoni krahasimin me praktikën e vendeve tjera, ku Qeverinë e ka formuar partia e dytë e dalë nga zgjedhjet?

FLORENT MUÇAJ: Mua më vije shumë keq se shumë ekspertë janë munduar të tërheqin paralele me sistemet e vendeve të tjera. Më kanë thënë edhe mua personalisht, se kështu e rregullon Suedia, se kështu e bën Serbia etj. Kushtetutën asnjëherë nuk bën ta lexojmë vetëm në një normë apo vetëm në një dispozitë. Kushtetuta duhet të lexohet në tërësi. Absolutisht, ato vende të cilat po i përmendin disa kolegë të mi disa ekspertë, ato vende e kanë paraparë ashtu, sepse ka shumë kushtetuta të botës të cilat kanë paraparë rrethin e parë, rrethin e dytë, rrethin tretë… deri në rrethin katërt të të nominuarit për kryeministër. Mua më vije keq që çështja ka shkuar në kushtetuese. Pse më vije keq? Mendoj se dispozita kushtetuese lidhur me caktimin e mandatarit, ka qenë e qartë dhe ne nuk kemi pasur, absolutisht nevojë që çështjen ta delegojmë në kushtetuese, sepse është ditur edhe nga praktikat e parlamentare të deritanishme se kush ka të drejt ta bëjë Qeverinë – pra Qeverinë ka të drejt ta bëjë ai që i ka fituar zgjedhjet, pavarësisht a e ka fituar shumicën absolute apo shumicë relative. Këtë e ka vërtetuar edhe tani aktgjykimi i kushtetueses, dhe ky aktgjykim thotë se nuk është me rëndësi a i ke të gjithë numrat, por është me rëndësi ta kesh shumicën, dhe kur ti e ke shumicën në parlament e ke të drejtën e fillimit të procedurave për krijimin e Qeverisë.

RADIO KOSOVA: Ka kohë që e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me atë se kush e ka të drejtën të bëjë nominimin për kryeministrin, mirëpo kemi hasur në një situatë që nuk e kemi pasur më parë, rreth ngërçit që u krijua për çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe përsëri çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Tani problemi qëndron te ajo se si do të zgjedhet kryetari i Kuvendit.

FLORENT MUÇAJ: Kjo dispozita e kryeparlamentarit ka qenë edhe më e qartë dhe më koncize, sepse aty thuhet se kryeparlamentari propozohet nga grupi më i madh parlamentar. Dhe tash deputetët e kanë keqkuptuar procedurën e krijimit të një grupi parlamentar, pra momentumin e krijimit të grupit parlamentar, sepse në Kosovë grupet parlamentare, në bazë të nenit 20 të Rregullores krijohen pas seancës konstituive që i bie se në momentin që zgjedhet kryetari i Kuvendit, grupi më i madh parlamentar gjithmonë është grupi i cili ka dalë nga zgjedhjet, është grupi parlamentar i cili ka fituar më së shumti vende në Kuvend, është partia politike ose koalicioni që ka fituar më së shumti vende në Kuvend dhe ai – automatikisht, paraqitet si grup parlamentar. Nuk e kuptoj logjikën se si mundohen ta ndajnë termin koalicion me parti politike nga grupi parlamentar. Unë i kam konsultuar edhe transkriptet e mbledhje të të gjitha kryesive të Kuvendit, e kam konsultuar edhe trasnskriprin e vitit të kaluar ku ka pasur një debat mes kryetarit të Kuvendit dhe deputetit Ardian Gjini ku kryetari i Kuvendit të kaluar i thotë deputetit Gjini se grupet parlamentare janë burimore dhe dalin nga zgjedhjet. Kjo në një formë konfirmon praktikën e deritanishme. Mendoj se grupi parlamentar i krijuar pas zgjedhjeve LDK AAK Nisma ka qenë i pavlefshëm (këtë tashmë e ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj), sepse nuk janë ndjekur rregullat e parapara në nenin 20 ku thuhet se deputeti duhet ta njoftoj kryetarin e Kuvendit. Hamendja ka qenë se cilin kryetar. Në asnjë mënyrë kryetari i legjislaturës së kaluar nuk ka të drejtë të vendosë për deputetët e legjislaturës së re. Kompetencat e tij vetëm të administrojë rendin e ditës për seancën konstituive i cili është i paraparë në nenin 8 dhe dihet cilat janë pikat e rendit të ditës: është themelimi i komisionit për verifikimin e mandateve është betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve. Tani Gjykata Kushtetuese i ka konstatuar të gjitha këto shkelje dhe e ka shpallur këtë grup parlamentar potencialisht të pavlefshëm. Kjo ka qenë e pritshme sepse Gjykata ka marrë një vendim konform Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Ajo nuk ka shpikur asgjë. Vetëm ka konstatuar një gjendje legjitime.

RADIO KOSOVA: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për të gjithë dhe pak a shumë kjo duket si një gjendje e tejkaluar. Tani jemi para një situate tjetër, seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur por çka nëse Partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nuk arrin të fitojë edhe numrat e nevojshëm për të votuar zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm? Në Kushtetutën tonë ndryshe nga rasti i kryeministrit për kryekuvendarin nuk është parashikuar raund i dytë i votimi.

FLORENT MUCAJ : Jo madje as nuk ka mundësi të ndodhë një raund i dytë sepse Gjykata Kushtetuese te rasti i kryeministrit parashihet raundi i dytë dhe kushtetuesja ka krijuar një standard edhe duke u bazuar në praktika tjera evropiane të cilat si theksova më lart mund të shkojnë diku edhe deri në katër raunde të votimit. Te kryeparlamentari, jo. Nga ajo që thuhet në dispozitivin e aktgjykimit nënkuptohet se raund të dytë nuk do të ketë, ndërsa e drejta e propozimit të kryetarit i takon vetëm e vetëm grupit më të madh parlamentar i cili ka dalë nga zgjedhjet. E rëndësishme është se situata është bërë e qartë juridikisht. Tani dihet se çka është grupi më i madh parlamentar ndërsa se si kjo do të menaxhohet politikisht le të mbetet në ndërgjegjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 74 u bën thirrje deputetëve që funksionin e tyre ta ushtrojnë në të mirë të Republikës së Kosovës dhe kjo për mua do të thotë se ata duhet vet ta zhbllokojnë situatën pavarësisht se a ekziston një marrëveshje politike apo jo. Jemi në një situatë juridike kur as nuk mund të shkohet në zgjedhje e as nuk mund të procedohet me krijimin e Institucioneve tjera. Do të thotë: zgjedhja ose moszgjidhja e kryetarit të Kuvendit asesi Kosovën nuk e qon në zgjedhje të parakohshme sepse neni 82 i Kushtetutës i ka paraparë rastet kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme e ato janë: në rast se Kuvendi vetë shpërndahet me dy të tretat e votave të deputetëve ; nëse nuk zgjedhet Presidenti dhe nëse nuk zgjedhet Qeveria në raundin e dytë. Do të thotë vetëm në këto raste. Presidentja asesi nuk mund të aktivizohet nëse nuk plotësohet njëra nga kushtet kushtetuese të përmendura. Kjo i bie që edhe nëse duam të shkojmë në zgjedhje, duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi, të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët e pastaj të procedohet tutje nëse ka vullnet për të shkuar në zgjedhje edhe pse unë mendoj se shkuarja në zgjedhje në këtë situatë është dëmshme për qytetarët, për buxhetin dhe shumë procese që e presin Kosovën, sidomos ato për integrimin evropian. Andaj mendoj se zhbllokimi ose jo i situatës nuk duhet të shihet si punë e inateve politike por si përgjegjësi e secilit deputet për të ecur përpara, për të konsoliduar Institucionet, për ta krijuar edhe Qeverinë. Kushtetuta madje i obligon që funksionin e tyre ta ushtrojnë në të mirë të Republikës së Kosovës. Ata e dinë në cfar situate është Kosova. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thirrje për vetëdijesim pavarësisht kush është blloku apo partia tjetër. Juridikisht tani nuk ka më dilema. Mbetet në ndërgjegjen e deputetëve që ta votojnë ose jo një kandidat që e propozon grupi më i madh parlamentar. Partitë politike duhet të respektojnë vendimin Gjykatës Kushtetuese dhe të arrijnë një marrëveshje në të kundërtën ne vetëm do të sillemi në një rreth vicioz.

Më Shumë

Avdyli: Bashkësia ndërkombëtare po e kupton sa mashtrues është Vuçiqi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Haxhi Avdyli, në Info Magazine, thotë se Bashkësia Ndërkombëtare po e kupton sa mashtrues është presidenti serb Aleksander Vuçiq. Deputeti...

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

Lajmet e Fundit