13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

“PDK-LDK, si Barcelona të bashkohet me Realin”

Petrit SelimiPetrit Selimi konsideron se koalicioni PDK-LDK është në të mirë të Kosovës dhe garës ndërkombëtare për zhvillim, njohje, integrime në BE dhe në NATO, pavarësisht se dikujt mund t’i duket se liga kosovare e politikës është bërë e mërzitshme me mungesë të opozitës. Nëse shihen resurset njerëzore të dy partive, sipas tij, del se bashkimi PDK-LDK është i ngjashëm sikur Barcelona të bashkohej me Realin.

Zv/ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, njëherësh njëri nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Selimi, e sheh me interes për vendin bashkimin e PDK-së dhe LDK-së në një koalicion të ri qeverisës. Në një intervistë për Tribunën, ai shpreh bindjen se një koalicion që ka rreth 90 vota në Kuvend, do të jetë në gjendje t’i çojë përpara proceset integruese si dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim të vendit. Selimi e pranon se asnjëra palë s’e ka pasur të lehtë ta bëjë këtë koalicion, sikundër që asnjëra palë, sipas tij, nuk ka fituar maksimumin e kërkesave. Ai ka thënë se tri pozitat kryesore në resorët e shtetit do të qartësohen ditëve në vijim se nga kush do të barten. Selimi mendon se koalicioni PDK-LDK është shumë më i moralshëm se mishmashi i marrëveshjes VLAN. Fundja, sipas tij, politikanët nuk janë as imamë e as priftërinj.

Tribuna: U nënshkrua Marrëveshja për koalicion midis PDK-së dhe LDK-së duke tejkaluar kështu ngërçin politik. Menjëherë pas nënshkrimit, pati debate se a është Isa Mustafa mandatar i qeverisë së re? Cili është në fakt formati i marrëveshjes së re?

Selimi: Me rëndësi është se u arrit një marrëveshje, kushtimisht e quajtur, e një pajtimi të madh politik midis dy boshteve kryesore të politikës kosovare. Nuk ka qenë lehtë për asnjë palë dhe asnjëra palë nuk ka fituar maksimumin e kërkesave por në anën tjetër ky koalicion nuk është kundër dikujt por pro-zhvillimit ekonomik, pro-integrimeve evropiane dhe pro-qeverisjes së mirë. Arkitektura e saktë e pozitave të larta dhe ato ministrore do të përcaktohen nga grupet punuese në ditët në vijim por është e qartë që janë tri pozita të lira, ajo e kryekuvendarit, kryeministrit dhe presidentit pas mandatit të presidentes Jahjaga. Ky trekëndësh do t’i definojë edhe rolet e liderëve të dy partive. Më rëndësi është se së bashku me minoritetet, kjo Qeveri do të ketë një shumicë e qëndrueshme që i afrohet 90 deputetëve dhe si e tillë paraqet një potencial enorm për përfundimin e shumë prioriteteve ekonomike dhe politike.

Tribuna: Ende po vërehet një dozë mosbesimi në partitë respektive kundër kësaj marrëveshjeje. Analistët e quajnë të pamoralshme nga aspekti i politikës, ndërsa në LDK ka zëra që nuk përkrahin këtë koalicion?

Selimi: Analistët e mirëfilltë të Kosovës numërohen në gishta dhe ky cikël zgjedhor dhe ngërçi kanë dëshmuar se shumë të ashtuquajtur analistë janë vetëm partizanë që ndryshojnë kapelat por që kanë agjenda subjektive. Ndërsa është e natyrshme që në PDK apo LDK të ketë njerëz që shfaqin kritika pasi që të dy partitë janë masive dhe kanë shumëllojshmëri zërash. Me rëndësi është se shumica absolute e Këshillit të Përgjithshëm të PDK por edhe të LDK kanë mbështetur këtë koalicion dhe parimet që do ta dërgojnë vendin para. Ky koalicion dhe kjo qeveri kanë mbështetje të gjerë popullore, mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe mandat demokratik për reformat e vështira që presin këtë shoqëri. Sa i përket moralit dhe politikës, mendoj se ky koalicion dhe kjo marrëveshje janë shumë më të moralshme dhe shumë më lehtë e kuptueshme se mishmashi i marrëveshjes së dështuar VLAN ku ka pasur inat, sulme personale por asnjë fije morali. Tek e fundit, nuk jemi as imamë e as priftërinj por politikanë që duhet punuar për të realizuar objektivat tona programatike.

Tribuna: Megjithatë, besoj se pajtoheni se PDK duhet falënderuar shumë LDK-në për zgjatje të jetës politike dhe një mandat të ri të fituar?

Selimi: Të dy partitë duhet falënderuar njëra-tjetrën për vizion dhe guxim. Nuk ka qenë lehtë të zgjatësh dorën njëri-tjetrit për të mirën e vendit por nëse Kosova mund të bisedon me Serbinë, është e qartë që bisedat midis partive shqiptare duhen të jenë fundamentalisht më të lehta dhe më pragmatike. Nëse shohim resurset njerëzore të dy partive, del si Barcelona të bashkohet me Realin dhe ndoshta dikujt i duket se liga kosovare e politikës bëhet e mërzitshme me mungesë të opozitës por mendoj se për të mirën e Kosovës dhe garës ndërkombëtare për zhvillim, njohje, integrime në BE dhe NATO, është shumë mesazh i fuqishëm i Kosovës që ka një super-ekip të tillë.

Tribuna: Tani keni edhe Listën Serbe e cila kontrollohet nga Vuçiqi. Vetëvendosja ju ka akuzuar se do të jeni vartës të kësaj liste dhe kërkesave autonomiste?

Selimi: E kundërta është e vërtetë, që vetëm koalicioni PDK-LDK ka garantuar që Qeveria mos të jetë peng as e partive minoritare por as e nacionalistëve shqiptarë që refuzojnë dialogun dhe rrjedhimisht rrugën evropiane. Por unë nuk pajtohem që politikën ta shikojmë si proces të pengmarrjes. Duhet të jemi të gëzuar që Lista Serbe merr pjesë në institucione, që respekton Kushtetutën dhe që ka tejkaluar bllokadën mentale që kanë pasur 15 vite me rend për t’u integruar në shoqërinë tonë. Absolutisht mendoj se PDK dhe LDK mund dhe do ta gjen gjuhën e përbashkët me Listën Serbe për përfitim të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Me vite të tëra kemi kërkuar integrimin e veriut në institucione të Kosovës dhe kjo po arrihet.

Tribuna: Cilat janë prioritetet e para të qeverisë?

Selimi: Ato janë të qarta, aprovimi një pakete ligjesh që ndoshta do të kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese si Gjykata Speciale e Kosovës për krimet e luftës, pastaj Ligji për luftëtarët jashtë vendit, vendimet përfundimtare në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, buxhetin natyrisht por edhe disa ligje tjera si Forcat e Armatosura të Kosovës. Me këtë shumicë parlamentare mund të punohet edhe në reformat zgjedhore dhe adresimin e disa mungesave të Kushtetutës që janë evidentuar në muajt e fundit. Por besoj se qytetarët e Kosovës e kanë një prioritet mbi të gjitha prioritetet ekonominë dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe ky do të duhej të ishte objektivi kryesor. Finishi i privatizimit të Brezovicës, TC Kosova e Re dhe disa projekte të tjera do të mund të ishin disa hapa imediatë për të sjellë konfidencë në ekonominë kosovare. Ky koalicion ofron optimizëm dhe ofron garanci që proceset e ekonomisë të tregut do të kenë shumicë e qëndrueshme në parlament që mos të na ndodhin fiaskot si dështim i privatizimit të PTK-së vitin e kaluar.

Tribuna: A keni njohuri se si u bind LDK ta bëjë një kthesë aq dramatike? A ishte vendimtar roli i Ambasadës Amerikane?

Selimi: Nuk mendoj se LDK ka bërë një kthesë dramatike, por nuk jam zëdhënës i kësaj partie. Ata gjithmonë kanë pohuar se janë institucionalistë dhe kjo marrëveshje është e tillë – që ofron garanca për institucione të qëndrueshme. As Ambasada Amerikane nuk ka pasur rol direkt, por është e qartë që ata që ja duan të mirën Kosovës si në Uashington ashtu edhe në Londër apo Berlin apo Paris, kanë përkrahur një marrëveshje që prodhon qeverisje progresive e jo që bëhet proceseve euro-integruese. Mendoj se Qeveritë perëndimore do ta përshëndesin ngrohtësisht qeverinë e re kur të votohen në Kuvend.

Tribuna: E kur do të votohet? Pse nuk thirret seanca?

Selimi: Seanca thirret për pak ditë, kur grupet punuese t’i definojnë prioritetet programatike dhe ndarjen e posteve. Kemi pritur gati gjashtë muaj, me rëndësi është tani mos të bëjmë gabime në hapa nga ngutia. Kosova do të ketë Qeveri funksionale, buxhet të aprovuar dhe program qeverisës gjatë vitit 2014 ashtu që vitin e ardhshëm të hyjmë me një cak të qartë. Dy-tre ditë plus a minus nuk janë thelbësore tani pasi që u arrit marrëveshja bashkë-qeverisëse.

Tribuna: Ju personalisht jeni përfolur si një nga personat që keni udhëhequr fushatën elektorale Misioni i Ri. A do të mbesin premtimet e 200,000 vendeve të punës vetëm boshe apo ka diçka nga programi që mund të realizohet?

Selimi: Asnjë premtim elektoral nuk është bosh por i bazuar në numra dhe të dhëna empirike. Politika është arti i të së mundshmes – një klishe ndoshta por megjithatë që flet se ne duhet të synojmë optimumin e realizimit. As presidenti Hollande, as kancelarja Merkel as kryeministri Cameron nuk realizojnë as afër 100% të premtimeve elektorale por votuesit e dinë sa i afrohesh dhe se a ka justifikim për dështime eventuale. Neve populli na dha votën sepse na shikoi fushatën si një gotë gjysmë të mbushur – me mangësi dhe dështime por edhe suksese shumë të mira që kanë prekur jetët e qindra-mijëra qytetarëve. Prandaj edhe morëm votëbesimin dhe tani këtë kapital elektoral e bashkë-investojmë me LDK në realizim të optimumit të premtimeve.

Më Shumë

Nga 1 prilli nëse nuk e pastron baltën nga mjeti, gjoba do të jetë 1 mijë euro

Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri për rregullat në trafik. Kështu, parashihen gjoba të ashpra ndaj shkelësve. Iniciuesit e këtij ligji...

Presidentja Osmani përkujton 46 anëtarët e familjes Berisha që u masakruan 25 vjet më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 46 anëtarët e familjes Berisha të cilët u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre në Suharekë,...

Lajmet e Fundit