7.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Pritet lirimi nga tatimet për investitorët e rinj

Valdrin LlukaQeveria e Kosovës së shpejti pritet të marrë vendim për pushimin e tatimeve për investimet e reja. Varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i të punësuarve, investitorët e rinj nuk do të paguajnë tatime ndaj shtetit për periudha të caktuara prej 3 deri në 7 vjet. Ky hap, ndonëse i vonuar, pritet të ndikojë në nxitjen e investimeve të reja në Kosovë, qoftë nga investitorë të huaj, apo edhe vendorë. Kështu thotë kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Valdrin Lluka, në një intervistë për Radio Kosovën.

Radio KOSOVA: Z. Lluka, këto ditë është miratuar një propozim dhe së shpejti pritet të merret vendim në Qeverinë e Kosovës për pushim të tatimeve për investime të reja, prej 3 deri në 7 vjet varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i të punësuarve. Sa pritet të ndikojë kjo në rritjen e investimeve të huaja në Kosovë?

Valdrin LLUKA: Një vendim i tillë nga Agjencia jonë është propozuar tash e sa kohë, pra ka rreth tre vjet që është propozuar në Ministrinë e Financave, por ajo në bashkëpunim me FMN-në nuk ka mundur që menjëherë ta realizojë një vendim të tillë. Është përfundimisht një lajm shumë i mirëpritur për ne, sepse ndonëse pak i vonuar, duke konsideruar që ka shtete në rajon që e kanë që disa vite këtë mjet promovues, sidoqoftë do të na ndihmojë ne që ta përdorim si një mjet shtesë, mbi atë që kemi tash edhe zonat e lira ekonomike, i kemi edhe mundësitë për dhënie të tokave në parqe industriale, tash kur i shtohet edhe pjesa e pushimit të taksave, normalisht që do të na ndihmojë që të bëjmë një punë më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.

Radio KOSOVA: Viteve të fundit, ka rënë ndjeshëm vlera e investimeve të huaja në Kosovë. Pse ka ndodhur një gjë e tillë, a është si pasojë e krizës ekonomike botërore, apo shkaqeve tjera?

Valdrin LLUKA: Në fakt vitin e kaluar kemi pasur një rritje në krahasim me vitin 2012, vitin 2013 e kemi përfunduar me 13 për qind rritje, krahasuar me vitin paraprak, që do të thotë se kemi pasur rritje të investimeve nga Turqia, kemi pasur rritje nga Gjermania, nga Zvicra, pra këto kanë qenë shtetet më aktive, çuditërisht ndoshta për herë të parë kemi pasur një rritje shumë të madhe nga shteti i Shqipërisë, pasi janë hapur numër i madh i bizneseve nga Shqipëria për të operuar në Kosovë.

Radio KOSOVA: Sa ka qenë shuma e përgjithshme e investimeve të huaja direkte gjatë vitit të kaluar?

Valdrin LLUKA: Vlera totale e investimeve të huaja ka qenë rreth 250 milionë euro, sipas të dhënave të fundvitit.

Radio KOSOVA: Dhe prisni që sivjet të jetë një vlerë më e madhe e investimeve, falë edhe këtyre reformave që po bëhen tashmë?

Valdrin LLUKA: Tash reformat, raporti i “Të bërit biznes” i Bankës Botërore na ka përmirësuar sadopak imazhin, mandej përpjekjet tona që të organizojmë sa më tepër ngjarje promovuese për tërheqje të investimeve, e kanë rritur interesimin e bizneseve të huaja që të marrin informata në Agjencinë tonë. Domethënë ky është hap premtues që ne kemi, sepse çdo investitor që vjen ne e regjistrojmë në bazën e të dhënave dhe kemi parë se kemi shënuar një rritje të numrit të investitorëve të interesuar. Se sa do të përkthehet kjo në investime presim ta shohim dhe këtu akterë kryesorë janë të gjitha institucionet, duke filluar nga institucioni jonë për t’i shoqëruar dhe bindur që të investojnë në Kosovë e deri tek institucionet tjera që janë për dhënien e lejeve dhe licencave. Pra këtu varet nga secili institucion se sa është mikpritës për investitorët e huaj. Është normalisht shumë me rëndësi që është vërtetuar edhe përmes regjistrimit të bizneseve të huaja që viti 2013 ka shënuar vitin rekord të regjistrimit të bizneseve të huaja në Kosovë. Kemi pasur gjithsej 693 biznese të huaja të regjistruara. Normalisht faza e regjistrimit është faza e parë, nëse ata janë regjistruar në vitin 2013, ka mundësi që në vitin 2014 e tutje të realizohet ndonjë investim që mund të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja.

Radio KOSOVA: Por z. Lluka çështja e tatimeve nuk ka qenë problemi kryesor i investitorëve të huaj gjatë viteve të fundit. Ata më tepër janë të shqetësuar për sigurinë dhe mbrojtjen e investimeve. Sa keni bërë ju si autoritete në këtë drejtim, që të ofroni më shumë siguri dhe mbrojtje për investitorët?

Valdrin LLUKAJ: Ne si Agjenci përgjegjëse kemi dy përgjegjësi për sigurimin e investimeve të investitorëve të huaj, e para është se kemi modifikuar Ligjin për investime të huaja, i cili ka kaluar në janar të këtij viti, i cili përforcon dhe garanton edhe më tepër investitorët, si të huaj po ashtu edhe ata vendorë, për çdo investim që realizojnë në Kosovë. Por çka është edhe më me rëndësi është që ne kemi rritur aktivitetet në nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për mbrojtje të investimeve me shtete të ndryshme. Ne kemi nënshkruar deri më tani me 10 shtete të huaja duke përfshirë Zvicrën, Austrinë, SHBA-të, Luksemburgun, Belgjikën dhe shtete tjera, e këto marrëveshje janë më të fuqishme se vetë ligji. Nëse nesër ndryshon ligji në disfavor të investitorëve nga këto shtete, kjo marrëveshje i garanton ata investitorë nga këto shtete që vijnë, që investimet e tyre do të sigurohen për çdo rast dhe çfarëdo problemi të mundshëm që mund të kenë me ndonjë qeveri në të ardhmen.

Radio KOSOVA: Sapo keni përmbyllur një vizitë zyrtare në Japoni. Sa mund të jetë e rëndësishme kjo vizitë për tërheqjen e investitorëve japonezë në Kosovë?

Valdrin LLUKAJ: Vizita ka qenë mjaft e mirë, kryesisht për shkak edhe të pranisë së kryeministrit dhe ka tërhequr edhe vendimmarrës të kompanive shumë të mëdha. Organizimi që kishim si konferencë për investime me biznese nga Japonia, kanë qenë prezent kompani të mirënjohura sic janë: Sony, Hitachi, Mitsubishi, e me të gjitha kompanitë që jemi takuar, kemi diskutuar për potencialet që ofron shteti jonë. Normalisht kjo është faza e parë, tani kemi biseduar me Odën Ekonomike të Japonisë, ta organizojmë një vizitë të bizneseve japoneze në Kosovë kah fundi i këtij viti, dhe ajo do të jetë e mirëseardhur sepse bizneset japoneze do të vijnë dhe do ta shohin Kosovën për së afërmi dhe t’i shohin potencialet dhe ne do t’i bashkojmë me bizneset kosovare, sepse prapëseprapë mënyra më e mirë e tërheqjes së investimeve është përmes partneriteteve të bizneseve kosovare me ato të huaja, dhe kjo është treguar më e suksesshme deri tani.

Radio KOSOVA: A keni planifikuar të bëni vizita të tilla edhe në ndonjë shtet tjetër gjatë këtij viti?

Valdrin LLUKAJ: Vizita të tilla normalisht presim të bëjmë, së shpejti, në qershor në Austri, pastaj do të vazhdojmë në Zvicër, shtete këto që vazhdojnë të jenë më aktive në Kosovë. Këtë vit nuk do të mungojë as Gjermania dhe Turqia si dy shtete me investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Besoj që aktivitetet do të jenë prezentë vazhdimisht, nuk do të ndalemi, është mirë që të jemi pak më aktiv në mediet e huaja. Fatkeqësisht për shkak të limiteve buxhetore nuk do të arrijmë që këtë vit të jemi në CNN, BBC dhe mediet e tjera, por shpresojmë që në vitet e ardhshme të sigurojmë një buxhet edhe për këtë.

Më Shumë

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Paraqitje e jashtëzakonshme: KFF Liria triumfon kundër KFF Intelektualeve

Në ndeshjen mes KFF Lirisë dhe KFF Intelektualeve, skuadra e KFF Lirisë triumfoi me një rezultat të thellë, 6:1. Trajneri Sinan Osmani drejtoi vashat e Lirisë,...

Lajmet e Fundit