12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Rektori dhe UP vendosin për studentët e kategorive të dala nga lufta

arsim bajramiËshtë në dorën e Universitetit të Prishtinës të vendosë se çka do të bëjë me studentët e shoqatave të dala nga lufta. Ne do t’i respektojmë në tërësi vendimet dhe autonominë e UP’së. Me këtë punë po merret edhe Kryeministri dhe ne si Qeveri do të dalim me sugjerimet tona. Mirëpo, për vitin e ardhshëm do të ketë kurse përgatitore për përgatitjen e studentëve për provim pranues. Jemi duke e shqyrtuar edhe një ide që të themelohet Universiteti i Shkencave Bujqësore, i cili do të vendosej në trekëndëshin Prizren-Rahovec-Suharekë. Drejtori i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës Basri Muja është pezulluar deri në përfundim të procedurave ligjore. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, flet për Express.
Express: Ende nuk është përmbyllur problemi i regjistrimit të studentëve të kategorive të dala nga lufta. Kur do të kryhet ky proces?

Arsim Bajrami: Siç e dini, unë këtë çështje e kam gjetur si problem të pazgjidhur. Me fillim të punës, jam angazhuar të kuptoj të gjithë problematikën dhe së bashku me Kryeministrin Mustafa jemi takuar me udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përfaqësuesit e shoqatave të Luftës së UÇK-së. Jemi duke u angazhuar maksimalisht për të kontribuar në zgjidhje me qëllim të tejkalimit të këtyre vështërsive dhe funksionimit normal të procesit mësimor. Gjithsesi, zgjidhja përfundimtare e problemit i takon dhe mbetet plotësisht ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe shoqatave përkatëse. Unë besoj në vullnetin e mirë të të gjitha palëve dhe prandaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të mbështetur palët në tejkalimin e kësaj situate, gjithmonë duke respektuar parimin e respektimit të autonomisë universitare, si kusht thelbësor për cilësi në arsim të lartë. Tashmë jemi duke u përgatitur për aplikim në Bolonjë dhe në përputhje me parimet e Bolonjës dhe të fushës së arsimit të lartë europian, autonomia dhe pavarësia e të gjitha universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë duhet të respektohet.

Express: Rektori Zejnullahu ka thënë se në fund do të vendosë vetë për çështjen e pranimit të studentëve. Cili është rekomandimi juaj, pasi Ministri Ramë Buja pati thënë se studentët duhet të pranohen mbi bazën e Memorandumit?

Arsim Bajrami: Mendoj që gabimisht është insistuar në çështjen e memorandumit. Zgjidhja dikur ka mundur të gjendet lehtësisht në kushtet dhe kriteret e përcaktuara në konkursin e parë të shpallur nga Senati i Universitetit të Prishtinës. Konkursi i parë është përmbyllur në muajin korrik, para se rektori Zejnullahu të zgjidhej, prandaj ky problem është i trashëguar edhe për rektorin. Tani kemi situatën kur jemi në fund të semestrit dhe kemi fëmijët që mbase kanë ndjekur ligjëratat pa e pasur statusin e studentit. Fatkeqësisht kjo çështje nuk është zgjidhur atëherë sipas kushteve tëkonkursit të parë të miratuar nga Senati i Universitetit dhe si pasojë tani gjithçka është komplikuar.

Mirëpo, me këtë çështje tani po merret edhe Kryeministri dhe besoj që si Qeveri shpejt do të japim sugjerimet tona.

Përtej kësaj, ne do të angazhohemi që për vitin e ardhshëm në bashkëpunim me universitetet, Komunat e Kosovës dhe shoqatat përkatëse të Luftës së UÇK-së, të përgatisim një Program për përkrahjen e kandidatëve që i takojnë kategorive të familjarëve të ngushtë të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe invalidëve të luftës. Programi i përkrahjes do të mundësojë kurse përgatitore për provimin shtetëror të maturës dhe kurse përgatitore për provimin pranues në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Express: Janë hapur shumë universitete publike dhe private dhe në të njëjtën kohë s’ka pasur ngritje të cilësisë në shkencën e Kosovës. Cilat hapa do t’i ndërmerrni për t’u ngritur cilësia në universitetet e Kosovës?

Arsim Bajrami: Sigurisht që sfidat që kemi përpara nuk janë aspak të lehta dhe shqetësimet janë serioze në shumë çështje. Ne do të angazhohemi për përcaktimin e një formule financimi për menaxhimin e të hyrave vetanake për universitetet publike, formulë e cila ofron fleksibilitet në shfrytëzimin e mjeteve financiare, heqjen e kufizimeve për shfrytëzimin e të hyrave vetanake, si dhe të rritet llogaridhënia. Universitetet e reja publike do t’i mbështesim në krijimin e kapaciteteve në mënyrë që këto të pavarësohen dhe vetëmenaxhojnë me buxhetet e tyre.

Krijimi i universiteteve të reja, hapja e programeve të reja, si dhe rritja e kërkesës për arsim të lartë e bën të domosdoshëm edhe shtimin e numrit të kuadrove akademike dhe avancimin e përgatitjes së tyre.

Express: Cilat do të jenë hapat e parë për përmirësimin e cilësisë në UP, duke e ditur se ju jeni edhe profesor dhe i dini problemet me të cilat ballafaqohen universitetet, duke filluar nga numri i madh i studentëve, mungesa e hapësirave, mungesa e mjeteve për hulumtime shkencore etj?

Arsim Bajrami: Duke qenë edhe vetë profesor në Universitetin e Prishtinës mendoj që është shumë e rëndësishme që universiteti të krijoj mekanizma efektiv për monitorim dhe vlerësim të brendshëm të cilësisë. Hapësirat universitare përkundër që janë të mangëta, besoj që me një organizim të mirëfilltë mund të përdoren në mënyrë edhe më efikase. Sfidë mbetet mungesa e laboratorëve dhe qendrave moderne kompjuterike.

Me qëllim të shtimit të numrit të kuadrove akademike dhe avancimit të përgatitjes së tyre, Qeveria do të trajtojë me prioritet mundësinë e krijimit të një fondi për bursa të studimeve të avancuara të nivelit të doktoraturës, post-doktoraturës.

Është edhe një ide që të themelohet Universiteti i Shkencave Bujqësore, i cili do të vendosej në trekëndëshin Prizren-Rahovec-Suharekë (Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës do të mund të bartej në këtë Universitet). Ky universitet do të merrej ekskluzivisht me studime bujqësore, sipas modelit gjerman, dhe do t’i jepet një pronë e konsiderueshme nga tokat e ndërmarrjeve shoqërore për qëllime studimore dhe të praktikës së studentëve. Gjithsesi një ide e tillë mbetet të diskutohet me gjithë palët e interesit, të bëhen vlerësimet dhe planifikimet e nevojshme.

Sa i përket hulumtimeve shkencore duhet të rishikojmë edhe modalitetet e implementimit të Fondit për Shkencë që menaxhohet nga MAShT-i, në mënyrë që të zhvillojmë një fushatë të mirë informuese për mundësitë që ofron fondi për mbështetjen e projekteve hulumtuese, si dhe të konsolidohen mekanizmat për shfrytëzimin efektiv të fondit, si dhe për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie.

Express: Qysh do të kompensohet UP për uljen e taksave të studentëve? Pra, sa buxhet shtesë keni me nda për UP?

Arsim Bajrami: Ligji për buxhetin për vitin 2015 do të paraqitet këto ditë në Kuvendin e Kosovës. Së shpejti do të takohemi me rektorin dhe Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe do të shqyrtojmë nevojat financiare që ka universiteti. Ashtu siç edhe ka qenë zotimi i mëhershëm, universiteti do të mbështetet me buxhet shtesë që të kompensohet për shkurtimin në të hyrat vetanake të universitetit.

Express: Udhëheqësit e Agjencisë së Akreditimit janë duke u hetuar për keqpërdorime. Cili do të jetë pozicioni juaj me këtë institucion që licencon bartësit e arsimit në Kosovë?

Arsim Bajrami: Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, Agjencia e Kosovës për Akreditim është agjenci e pavarur përgjegjëse për vlerësimin dhe promovimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë. Lajmi i mirë është fakti që tash së fundi AKK është pranuar anëtare e Asociacionit Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ndërsa lajm i keq padyshim që janë zhvillimet e fundit. Qeveria do të respektojë pavarësinë e AKK- së dhe ne do të presim vendimin e organeve të drejtësisë dhe në përputhje me to do të ndërmarrim edhe veprimet tona.

Express: A do të merrni ndonjë vendim ndaj kreut të Agjencisë, i cili është nën hetime? A do ta pezulloni nga puna derisa të përfundojnë procedurat?

Arsim Bajrami: Për shkak të masës gjyqësore dhe kërkesave ligjore për funksionim të punës së Agjencisë është pezulluar nga puna përkohësisht Drejtori i AKK dhe është caktuar një ushtrues detyre deri në vendimin përfundimtar të institucioneve të drejtësisë.

Express: Cili është plani juaj për ngritjen e cilësisë nëpër universitete për të mos pasur vetëm njerëz që diplomojnë, por jo edhe kuadro të gatshme për të punuar?

Arsim Bajrami: Gjatë këtij mandati, Qeveria do të angazhohet që t’i mbështesë universitetet që të promovojmë sa me shume politika që stimulojnë studentët të orientohen në degë të rëndësishme strategjike për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, me fokus të veçantë në shkencat ekzakte, bujqësi, inxhinieri dhe mjekësi. Për programet deficitare do të angazhohemi të mbështesim që të ketë trajtim të veçantë, duke mundësuar edhe kosto zero të studimit.

Arsimi profesional është mundësi tjetër e rëndësishme për punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomike dhe social të vendit. Do te angazhohemi për ofrimin e mundësive të zgjedhjes për të rinjtë tanë që ata të përcaktohen për arsim të përgjithshëm ose profesional, në përputhje me zhvillimet në tregun e punës në Kosovë dhe rajon. Për këtë do të stimulojmë hapjen e programeve të studimeve me orientim profesional.

Express: Cili është plani juaj për përmirësimin e arsimit fillor dhe të mesëm? Pasi problemi më i madh i sistemit të dobët arsimor është pikërisht te shkollat fillore dhe mësuesit?

Arsim Bajrami: Në arsimin fillor dhe mesëm do të angazhohemi për përmirësim të vazhdueshëm të plan programeve dhe teksteve shkollore, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve te mësimdhënësve për implementimin e kurrikulës së re. Është thelbësore që të fuqizojmë mekanizmat për monitorim dhe vlerësim (inspektoratin) për të siguruar zbatim të drejtë të politikave dhe sigurim të cilësisë. Gjithashtu është përcaktim i imi që MAShT të përcaktohet vetëm për planifikimin e standardeve të hapësirave shkollore, por jo edhe për menaxhimin e projekteve për ndërtimin e objekteve shkollore, kjo duhet kalojë tek autoritetet e tjera përkatëse.

Express: Dhe, pyetja e fundit. Ju keni nënshkruar një dokument me të cilën kundërshtoni rektorin Zejnullahu sa i përket asaj se profesorët e UP’së që kanë marrëdhënie të rregullt pune diku tjetër konsiderohen si bashkëpunëtor të UP’së. Sipas jush, a është i bazuar ky vendim në bazën ligjore?

Arsim Bajrami: Mendoj që ka pasur keqkuptim dhe devijim në raportimin lidhur me këtë çështje. Unë së bashku me kolegë të tjerë nga Fakulteti Juridik ia kemi dorëzuar një shkresë Dekanit të Fakultetit për të shpjeguar pozicionin tonë ashtu siç është kërkuar nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës. Shkresa është dorëzuar me datë 1 dhjetor te dekani, disa ditë para se të krijohej kabineti qeveritar, prandaj nuk ka qenë fare e ndërlidhur me përgjegjësitë e reja që ne kemi marrë më vonë. Për sqarim, ne që shumë vite nuk marrim pagë të plotë në Universitet, vetëm pagë sekondare ashtu siç obligohemi me ligj. Unë mbaj me rregull ligjëratat dhe provimet në Fakultet Juridik.

Tani sigurisht që kam një mendim timin lidhur me këtë çështje, por për shkak të pozitës time tani nuk dëshiroj të komentoj lidhur me bazën ligjore të këtij vendimi. Në parim, unë jam i përkushtuar për të mbështetur menaxhmentin e Universitetit për reformat e domosdoshme në Universitet.

Më Shumë

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lirohen katër policët e ndaluar nga Serbia, jo edhe Jankoviq

Katër policët e Kosovës, të cilët janë ndaluar që nga dje nga autoritetet e Serbisë, janë liruar. Një gjë të tillë e bëri të...

Lajmet e Fundit