6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ymeri: Serbia, s’duhet të jetë pengesë e Kosovës

visar ymeriSerbia duhet ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovë, nuk duhet të vazhdojë të jetë pengesë e Republikës së Kosovës, pengesë e barazisë dhe bashkëjetesës përbrenda Kosovës, dhe nuk duhet të jetë pengesë që Kosova të jetë e barabartë me vendet tjera.

Kështu ka deklaruar Visar Ymeri, nënkryetar i Vetëvendosjes, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”, kur është pyetur se çfarë duhet të pres Serbia nëse Lëvizja Vetëvendosje i udhëheqë bisedimet teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

DANAS: Cili është mesazhi juaj për qytetaret në Serbi, të cilët duan të dinë se si do të zhvillohet dialogu i ardhshëm, cilat do të jenë ndryshimet?

Visar Ymeri: Së pari duhet ta trajtojmë çështjen e terminologjisë së përdorur për të qenë të saktë në kuptim. Ne bëjmë dallim të qartë mes Serbisë si shtet dhe qytetarëve serb që jetojnë në të. Pastaj po ashtu bëjmë dallim në mes të Serbisë dhe serbëve që jetojnë që jetojnë në Kosovë. Këta dallojnë sikur në rrethana në të cilat jetojnë, po ashtu në interesat që i kanë, edhe për shkak të rrethanave. Pa e bërë këtë ndarje të qartë çfarëdo politike unifikuese është në thelb problematike dhe shkakton më shumë padrejtësi se sa mundësi për bashkëjetesë dhe bashkëpunim. Kundërthëniet kryesisht qëndrojnë në politikat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës, të cilat në njërën anë i paraqiten qytetarëve të Serbisë si zëvendësim për interesin e tyre për zhvillim, barazi e mirëqenie. Ndërkohë që këto të njëjtat janë padrejtësi për shqiptarët në Kosovë sepse janë politika që insistojnë në eksploatimin e resurseve dhe kapaciteteve ekonomike të Kosovës pa njerëzit në të (shqiptarët) gjë që është dëshmuar historikisht me mbi 6 fushata të dëbimit të shqiptarëve e kolonizimit të Kosovës. Dhe të njëjtat pastaj kanë pasur efekt instrumentalizues ndaj serbëve të Kosovës tek të cilët është kushtëzuar zhvendosja nga interesi i tyre për bashkëjetesë e integrim drejt përçarjes dhe armiqësisë me shqiptarët.

Këto politika në Republikën e Kosovës nuk do të kenë vend. Republika e Kosovës do të jetë Republikë që u garanton barazi të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe e cila do t’i vë të gjitha kapacitetet dhe resurset ekonomike në funksion të mirëqenies së qytetarëve pa përjashtim. Kjo Republikë barazie do të insistojë në marrëdhënie gjithsesi të mira me fqinjët, por në raporte barazie me ta, duke i mbështetur këto marrëdhënie në parimin e reciprocitetit, dhe respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial. Nga kjo nuk bën përjashtim as Serbia. Ne nuk e shohim Serbinë si një vend që duhet të ketë pozitë të privilegjuar në marrëdhëniet që i ndërton Kosova. Serbia do të jetë vend fqinj i Kosovës me të cilin duam të kemi marrëdhënie normale si dy shtet të pavarura dhe të barabarta.

DANAS: A prisni ndonjë reagim nga Serbia, tani pasi Vetëvendosje, do ta udhëheqë dialogun?

Visar Ymeri: Një reagim të tillë pati dje nga Qeveria e Serbisë. Serbia nuk mund të vendos për përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe kohën e formimit të institucioneve të Republikës sonë. Seria duhet ta ndryshojë qasjen që e ka karshi Kosovës dhe të mos vazhdojë të jetë pengesë e Republikës së Kosovës, barazisë dhe bashkëjetesës brenda Kosovës, dhe të mos vazhdojë të jetë pengesë e barazisë së Kosovës me vendet tjera.

DANAS: Cili është dallimi nga dialogu qe ka zhvilluar Hashim Thaçi, nga ai qe do ta zhvilloni ju?

Visar Ymeri: Së pari do ta nisim një dialog të hapur demokratik me qytetarët e Kosovës të përkatësisë kombëtare serbe brenda paradigmës së zhvillimit ekonomik e shoqëror, si rrugë e vetme e shëndosh drejt integrimit të tyre në shoqërinë e Kosovës. Ky dialog do t’i vinte institucionet shtetërore në funksion të zhvillimit ekonomik dhe vëmendjes së veçantë për rajonet dhe veçoritë e tyre ekonomike e zhvillimore. Deri tash kemi pasur tentime të shumta shterpë të cilat kanë të përqendruara në integrimin institucional të qytetarëve të përkatësisë kombëtare serbe, të cilat kanë rezultuar në një integrim institucional të përfaqësuesve politik (shumica prej të cilëve si shqiptarë ashtu edhe serbë përfunduan në politikan të korruptuar), në bashkëpunim dhe bashkëjetesë të kontrabanduesve e pjesës tjetër të krimit të organizuar, dhe me përçarje mes qytetarëve. Përmes kësaj rruge jemi të bindur se do të arrijmë deri te integrimit i punëtorëve në fabrika, bujqve në ara e tregje, studentëve në universitete, minatorëve në miniera, mësuesve në shkolla, profesorëve në universitete e mjekëve e infermierëve në spitale. Vetëm ky lloj integrimi garanton bashkëjetesën, bashkëpunimin e rrjedhimisht paqen.

Së dyti, ne duhet ta shqyrtojmë dialogun e deritashëm për ta zbardhur të vërtetën prapa tij. Siç e dini ky ka qenë dialog i mbyllur diplomatik i zhvilluar larg syve të publikut, dhe i bazuar në pozicione jashtëzakonisht jo të shëndosha e jo parimore të superioritetit politik e juridik të Serbisë karshi Kosovës. Kjo nuk është rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Krejt çka janë normalizuar në këtë mes janë takimet mes kryeministrit në ikje Hashim Thaçit dhe atij të kaluar të Serbisë Ivica Daçiq.

Së treti, duhet ta vlerësojmë marrëveshjen e 19 prillit karshi standardeve ndërkombëtare të demokracisë e barazisë, si dhe karshi kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje ka qasje të hapur raciste kundër shqiptarëve (komandanti i policisë në veri i cili sipas marrëveshjes duhet të jetë i përkatësisë kombëtare serbe!), si dhe qasje të rrezikshme ndarëse (Asociacioni i komunave me shumicë serbe i cili praktikisht e ndan Kosovën në vija etnike ngjashëm me Republika Serbe në Bosnje e Hercegovinë). Për këtë do ta shfrytëzojmë, mes tjerash, mekanizmin e Komisionit të Venecias.

Së katërti, duhet ta intensifikojmë dialogun me Komisionin Evropian dhe institucionet tjera të Bashkimi Evropian për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Si rrjedhojë e këtij anëtarësimi, dhe në rrugë e sipër, marrëdhëniet me fqinjët do të jenë kriter vlerësues. Në këtë drejtim, dhe më kohë, do të angazhohemi që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, bazuar në parimet e respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial si dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të shteteve.

DANAS: A do marrë pjesë Lista Serbe në dialogun që do ta zhvilloni dhe cili mund të jetë roli i tyre?

Visar Ymeri: Siç e dini është obligim kushtetues që në Qeverinë e Republikës së Kosovës të kemi përfaqësim të të gjitha pakicave kombëtare që jetojnë në Kosovë. Ky obligim kushtetues rrjedh nga i njëjti parim që është përdorur në mënyrë të gabueshme dhe tejet të dëmshme në tërë Planin e Ahtisaarit e i cili që në Kosovë problemet janë etnike. Historia e Kosovës ka qenë histori e përpjekjeve për çlirim nga okupatori kolonialist e që është Serbia e jo luftë kundër serbëve. Në mendojmë që këto obligime kushtetuese janë të padrejta për shkak se bazohen në dhe mirëmbahen përmes pabarazisë mes qytetarëve. Por natyrisht se jemi të vetëdijshëm që në këtë situatë kjo është Kushtetuta dhe këto do të jenë obligimet. Dhe është obligim kushtetues që përfaqësuesit politik të pakicës serbe në Kosovë të jenë të pranishëm në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

DANAS: Si e vlerëson Vetëvendosje qëndrimin e Listës Serbe, e cila për shkak të qëndrimeve tuaja rreth dialogut, tash nuk është e sigurt nëse ajo do të përkrah bllokun opozitar, e rrjedhimisht edhe pjesëmarrjen në qeveri?

Visar Ymeri: Serbët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësim autentik politik i bazuar në interes e tyre si qytetarë të Republikës së Kosovës, për rritjen e mirëqenies përmes uljes së papunësisë e varfërisë, si dhe përmes shpërndarjes së barabartë të pasurisë. Kjo politikë autentike përfaqësuese e qytetarëve të Kosovës është nevojë për të gjithë. Lista serbe është listë e krijuar nga Beogradi dhe e diktuar nga Beogradi. Është trupëzim i asaj politike instrumentalizuese të Beogradit karshi serbëve të Kosovës për qëllime hegjemoniste dhe ekspansioniste. A nuk e dëshmon deklarimi i përfaqësuesit të kësaj liste që ata nuk kanë problem me VETËVENDOSJE!-n por që VETËVENDOSJE! ka problem me Serbinë? Në të vërtetë Serbia ka problem me VETËVENDOSJE!-n që është kristalizim i politikës autentike dekolonizuese dhe emancipuese e Kosovës.

Më Shumë

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Lajmet e Fundit