11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Javë tragjike në Kosovë: Tre të mitur kanë vdekur në aksidente rrugore

Për më pak se një javë, në Kosovë tre të mitur kanë vdekur tragjikisht. Një pesëvjeçar është goditur për vdekje në Lubizhdë të Hasit nga një 17-vjeçar që ishte nisur me veturë për të blerë harxh për shtëpi.

Një vajzë 16-vjeçe nga Podujeva ka vdekur pas lëndimeve të marra në aksidentin, në të cilin edhe gjashtë persona të tjerë mbetën të lënduar. Mbrëmë, ndërkaq, në Runik të Skenderajt, Policia ka njoftuar se ka vdekur një pesëvjeçare që po ashtu është goditur nga vetura. Gazeta Express sjell përmbledhjen.

Mbrëmjen e së shtunës, një fëmijë 5 vjeç është goditur për vdekje nga një veturë në fshatin Lubizhdë të Hasit.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, derisa ka bërë me dije se shoferi i veturës është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet në Lubizhdë-Has. Një veturë ka goditur për vdekje një fëmijë pesë vjeç. Me vendim të prokurorit shoferi i veturës është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka konfirmuar Policia në Prizren.

Pas lajmit të konfirmuar nga Policia, janë bërë të ditura edhe detaje tragjike për rastin. Vozitësi i veturës që ka shkaktuar aksidentin që përfundoi me fatalitet, ishte 17 vjeç. Ai në momentin kur ndodhi ngjarja ishte nisur për të blerë harxh për shtëpi në marketin e familjes së pesëvjeçarit.

Po atë natë, një aksident që ka përfunduar me fatalitet ka ndodhur edhe në Komunën e Podujevës. Një vajzë 16-vjeçare ka mbetur e vdekur nga aksidenti ku edhe gjashtë të tjerë mbetën të lënduar.

Policia njofton se lidhur me rastin një person është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

“Ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku të përfshira kanë qenë dy automjete me drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit janë lënduar dy drejtuesit e automjeteve si dhe katër pasagjerët, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga plagët e shkaktuara ka ndërruar jetë viktima femër kosovare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Sipas raportimit të mediave lokale në Podujevë, e ndjera L.S. ishte 16-vjeçare nga fshati Dumnicë.

Tragjikisht ka përfunduar edhe një aksident që ka ndodhur dje në fshatin Runik të Skenderajt.

Një vajzë 5-vjeçare ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje rreth orës 14:20 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, saktësisht në fshatin Runik të Skenderajt.

Fillimisht në aksident ishin të përfshira dy vetura, ku njëra prej tyre ka dalë jashtë shiritit rrugor dhe në trotuar ka goditur dy këmbësorë, një grua dhe një fëmijë. E lënduar ka mbetur edhe gruaja, e cila është dërguar me urgjencë në QKMF në Skenderaj.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Dje rreth orës 14:20, në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, gjegjësisht në fshatin Runik të Skenderajt, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një (këmbësore) fëmijë i moshës pesë vjeçare ka vdekur, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe një këmbësore e moshës madhore. Bazuar ne hetimet fillestare në aksident ishin të përfshira dy automjete civile me targa vendore, ku si pasojë e aksidentit njëra nga veturat del jashtë shiritit rrugor ku në trotuar godet dy këmbësoret të cilat me urgjencë ishin dërguar në QKMF- Skenderaj, me ç’ rast mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës”, tha Zahiti.

Ngasësit e dy automjeteve të përfshira në aksident janë arrestuar, ku me aktvendim të Prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”. /GazetaEXPRESS/

Më Shumë

Liria zyrtarisht bie nga Superliga

Liria edhe matematikisht i ka humbur gjasat për mbijetesë, ndonëse ishte dorëzuar kohë më pak. Skuadra prizrenase gjashtë xhiro para fundit nuk ka më gjasa...

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Lajmet e Fundit