8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Jeta në litarin e komunizmit

Shkruan: BLERIM  ÇOÇAJ

Petrit Palushi – “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, ese, Tiranë 2009

Në librin “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, shkrimtari Petrit Palushi, ka arrit të ndriçojë në mënyrë objektive fatin tragjik të jetës dhe veprës së martirit nga fshati Kollovoz i Kukësi të Shqipërisë, Havzi Nelës. Palushi, duke hulumtuar të kaluarën historike, në këtë libër, ofron të dhëna për ndëshkimet politike që pushteti komunist i Shqipërisë kishte bërë ndaj popullit të vetë.

Vështruar në aspektin e përgjithshëm, ky libër është një kontribut i çmueshëm për ndriçimin e historisë së errët të komunizmit në Shqipëri dhe luftën që intelektualët patën bërë kundër tij. Në librin “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, shkrimtari Palushi shpalosë në tërësi rrugën jetësore që nga fëmijëria e deri në momentin e varjes në litar të martirit, Havzi Nela, i cili me angazhimin dhe kontributin e tij, artikuloi mendimin kundër sistemit komunist të vendit. Autori nëpërmjet këtij libri, gjithashtu përforcon faktet historike se si pasojë e sistemit komunistë në Shqipëri qytetarët janë keqtrajtuar dhe terrorizuar në mënyrën më mizore.

Ky libër në vete ngërthen dy elemente të rëndësishme që i duhet kompozicionit të një libri: përmbajtjen dhe strukturën. Autori ka përdorur me mjaft mjeshtëri referenca, rrëfime të të afërmeve dhe shokëve, dhe burimeve arkivore të rëndësishme që ndriçojnë fatin tragjik të martirit Nela. Havzi Nela, personazh i këtij libri, ashtu si në jetën e përditshme veçori dalluese e veprimtarisë së tij, ishte guximi dhe sakrifica në jetësimin e pikëpamjeve dhe ideve të tij kundër sistemit të egër komunist, të cilët në fund në shenjë hakmarrje e dënuan me varje në litar.

Image result for Kryqëzimi i Havzi Nelës

Sipas shkrimtarit Palushi, martiri Nela, u sakrifikua për dinjitetin njerëzor dhe, “si i tillë, ai në vetvete, mbeti triumfi i moralit të njerëzishëm në një kohë të pamoralshme dhe vrasëse njëkohësisht. Ai gjithashtu paraqiti anën më fisnike dhe sfidoi kohën e vet”. Palushi, në këtë libër fatin e Havzi Nelës, e paraqet të nëpërkëmbur deri në skajshmëri. Poeti dhe mësuesi nga fshati Kollovoz i Kukësi të Shqipërisë, Havzi Nela, në vitin 1988 u ndëshkua politikisht prej pushtetarisë komuniste shqiptare. Krimi ndaj Nelës, që shkrimtari Palushi, në mënyrë estetike përshkruan në librin, “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, është një nga dëshmitë më tronditëse se si komunistët kishin vepruar mbi njeriun që nuk kërkonte asgjë më shumë se sa lirinë e shprehjes dhe të vendit të tij.

Gjykata e Kukësit më 24 qershor 1988, kishte marrë vendim për varjen në litar të tij. Me 10 gusht 1988, kryen ekzekutimin në Kukës, përkatësisht te sheshi i agjencisë së udhëtarëve. Autori në libër arrin të sjellë fakte konkrete dhe rrëfime të dëshmitarëve për këtë ekzekutim që sistemi komunist kishe bërë ndaj martirit Nelës. Në bazë të dosjeve që autori ka arritur t’i zbulojë dhe botojë në këtë libër rreth këtij ekzekutimi del se Presidenti i vendit, Ramiz Alia kishte mundur të parandalonte marrjen e jetës së H. Nelës, biografia e të cilit për shkak të mospërshtatjes me regjimin u paraqit e errët dhe armiqësore. “Por, R. Alia nuk lëvizi asnjë hap prej çatisë së dikurshme të monstrës Hoxha”, shkruan autori Palushi.

Në këtë vorbull, R. Alia, firmosësi përfundimtar i ndëshkimit të H. Nelës, dy vjet pas asaj firme ndëshkuese, në korrik të 1990-s (kur 5800 shqiptarë u futën nëpër ambasada të huaja dhe 3200 prej tyre në territorin e ambasadës gjermane), deklaroi se “Njerëzit që kërkojnë strehim në ambasadat e huaja s’janë patriotë, as njerëz të ndershëm të këtij vendi”, si një dëshmi se ai kërkonte ende të ruhej izolimi i Shqipërisë.

Çeshtja Nela rishqyrtohet në të njëjtën frymë ashpërsie edhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (16 korrik), që lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Kukësit, ndërsa pesë ditë mbas kësaj (21 korrik), kryetari i Gjykatës së lartë, A. Çela, përcjell materialin përmbledhës të Kolegjit Penal në Presidiumin e Kuvendit Popullor, Presidium i cili, edhe pse më pak se i përgjysmuar, miratoi vendimin për ekzekutimin e H. Nelës; me 9 gusht Ministri i Brendshëm (Hekuran Isai), ngarkonte Degën e Punëve të Brendshme Kukës për zbatimin e atij vendimi frymëmarrës, duke saktësuar edhe orën kur do të realizohej marrja e frymës së H. Nelës.

Me 10 gusht 1988, në orën 3.30, urdhërzbatuesit, tepër përpiktas, kur duheshin rreth dy orë të çelte mëngjesi, kryejnë ekzekutimin në Kukës, mu te sheshi i agjencisë së udhëtarëve. Pavarësisht se fati i jetës së tij kishte mbetur në duart e një vendimi kriminale, martiri Nela vazhdonte të shprehte urrejtjen e tij ndaj komunizmit. “Sa për Enver Hoxhën, balta e zezë shumë shpejt ka me ia mbulue emnin, edhe në rast se ia përmendë kush, ka me ia përmendë me përbuzje. Punët janë për mirë.

Ky regjim do të përmbyset fort shpejt… Do të hyjmë shpejt në Bashkimin Evropian. S’do ketë ma kufij, por do jenë vetëm formalë. Edhe në Kosovë kemi me hy shpejt lirisht”, qe shprehur Nela. Edhe pse kërkonte që t’i jepej drejtësia që i takonte, Nela nuk i kishte shpëtuar varjes në litar. Në përshkrimin që i bënë veprës së Nelës, autori Palushi, po ashtu tregohet tepër i kujdesshëm në shpalosjen e fakteve dhe rrëfimin e banorëve të Kukësit , të cilët kanë përjetuar dhe parë me sytë e tyre varjen në litar të bashkëvendësit, Havzi Nela.

Varjen në litar të mësuesit dhe poetit H. Nela, shkrimtari Palushi e përshkruan si një lajm të keq, “ i rëndë, i ftohtë si mortja vetë”. Mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, sipas autorit të librit,Palushi, qe një prej akteve më cinike të regjimtarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët. Festa mortore e varjes së Nelës, u krye sipas të gjitha riteve komuniste. “Ne ta hëngrëm kryet dhe ti s’je as i pari dhe i fundit që po e provon këtë gjë, prandaj kush del kundër rrjedhës e ka stë rezervuar fatin e vet. Njëlloj si fatin tënd dhe mos më keq. Si shumë e shumë të tjerëve që s’ka për t’u mbetë as nami as nishani në këtë botë. Ashtu siç mund të zhduket bryma në mëngjes”.

Varja e Nelës, po merrej si shembull i ndëshkimit ndaj të gjithë atyre të cilët kërkojnë lirin e shprehjes dhe integrimin e vendit. Autori Palushi, për këtë krim të komunizmit, ka arritur të shfletojë dosjet hetimore dhe gjyqësore, dhe të mbledhë rreth 500 dëshmi të njerëzve që e njohën Nelën.

Në bazë të dosjeve dhe rrëfimeve, H. Nela ishte kryqëzua në krejt jetën e vet mu për shkak të mospërshtatjes me regjimin, të refuzimit dhe reagimit sistematik ndaj atij regjimi të jashtëkohshëm, ndërsa dënimi i tij i mbramë (me lak në fyt) qe mbyllja e dramës fizike. Mospërshtatja me regjimin dhe dëshira që të bëhej zëdhënës i fjalës së lirë, martirit Nela i kushtojë me jetë. Ai qe familjarizuar prej kohësh me vdekjen dhe tashmë s’i bënte më përshtypje as vdekja.

Dënimi i katërt i pushtetarisë komuniste, qe fatal për Nelën , dhe që nga vera e vitit 1988-s, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve. I varur në litar trupin e pajetë të Nelës regjimi komunistë e lë që të ekspozohej në diell dhe të kundrohej prej shikuesve. Mizoria e regjimit komunistë në Shqipëri, nuk kishte përfunduar vetëm me varjen në litar. Trupin e pajetë të Nelës, e përplasin në tokë dhe e fusin në një gropë të hapur për shtyllë betoni. Për këtë krim regjimi komunist nuk kishte lejuar që të jepej asnjë njoftim në mediumet e shkruara dhe në ato elektronike… Pesë vjet më vonë mbas marrjes së frymës së tij, në gusht të vitit 1993, kur Shqipëria kish nisë shëndoshjen e plagëve të rënda të kohës së diktaturës komuniste, vendi i fshehtë ku e kishin hedhë trupin e tij do të dilte në dritë. Ai vend gjendej vetëm pesë kilometra larg vendit ku qe ekzekutuar i ndjeri pesë vjet më parë.

Më parë se ta gjenin vendin ku qe hedhë trupi i tij, u detyruan të hapnin dy a tri gropa atyrrotull dhe mbas një kohe bukur të gjatë, ia dolën mbanë.

Në librin “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, autori Petrit Palushi, trajton edhe poezitë që martiri Nela ka lënë në dorëshkrim. H. Nela nëpër burgje ka vazhduar të krijojë, por çdo varg duke e mbajtur natyrshëm brenda në tru, pa pas mundësi ta hedhë në letër. Kur ka gjetur mundësinë t’i hedhë vargjet në fletore, sikur është liruar prej etheve të gjata dhe të stërlodhshme të krijimit, por është mbushur me një ndjenjë gëzimi për materialin që po gjente mundësinë të shpëtonte. Sipas autorit te librit, Nela sikur e pati parandie se në një Shqipëri normale, do të kishte njëfarë mundi të gjendej varri i tij:

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: “Ai urreu mizorin”,

Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”.

“Vargjet është përpjekur t’i rimojë me anë të gishtave. Kur ka gjet mundësinë t’i hedhë vargjet në fletore, sikur është liruar prej etheve të gjata dhe të stërlodhshme të krijimit”, vlerëson Palushi. Për Havzi Nelën, Naim Frashëri ishte vëllai shpirtëror i Fishtës, dy vëllezër këta që formonin shtyllat kryesore të kombit. E vetëm pas tyre vinin Çajupi, Mjeda, Noli, Konica, Asdreni, etj. H.Nela, edhe nëpërmjet poezisë shpreh vuajtjen e tij nëpër burgje dhe urrejtjen ndaj sistemit komunist të Shqipërisë.

 

Më Shumë

Qeveria vendos për shpronësimin e pronave për dy projekte në Shtime e Prizren

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy propozim-vendimet preliminare për shpronësim të pronave të paluajtshme në interes publik, në mbledhjen e sotme më 13.03.2024. https://www.flybileta.com/ Prona e...

Katër ndeshje interesante këtë vikend në basketbollin vendor

Takime interesante do të ketë ky vikend, përballje të fuqishme në xhiron e 25-të të këtij sezoni. Në kuadër të Prince Caffe Superligë, të shtunën...

Zotërit e fjalës

Lajmet e Fundit