11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Kleanthi Koçi, kush ishte avokati i Ramiz Alisë, që u vra 20 vjet më parë

SOTIR MANTHO/ KIÇO KAPETANI/ Këndohet një këngë në Zagori: Kleanthi, bir i Zagorisë,/Matej me ajkën e mençurisë,/Në biseda e në kuvende,/Shquhej për fjalë e për mendje. Me pak fjalë jepet portreti i një njeriu të shquar dhe me vlera. Kleanthi Koçi ka lënë gjurmë të pashlyera në drejtësinë shqiptare. Ai ka qenë edhe avokat i ish-Presidentit Ramiz Alia, kur ky u burgos nga regjimi i Sali Berishës. Këtë vit, ai do të ishte 80 vjeç, ndërkohë që u mbushën edhe 20 vjet nga vrasja e tij, shkruan Panorama.

kleanthi1

* * *

 

Cili ishte Kleanthi Koçi? Në një nga ditët e fundjavës së parë të korrikut, një grup burrash e grash gjirokastrite të moshës së tretë, u mblodhën në një nga lokalet, buzë liqenit artificial të Tiranës, për të përkujtuar 80-vjetorin e lindjes së tij. Më shumë se 63 vite më parë, ata kishin qenë, të gjithë së toku, maturantë në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Në një atmosferë të thjeshtë festive, u përjetuan momente të gëzueshme. U riprodhuan dhe u këmbyen kujtime të shumta nga ato vite të hershme e mbresëlënëse, të shoqëruara këto edhe me këngë, shaka e dolli të ndryshme. Ndonëse në atë event mungonin jo pak bashkëmoshatarë (të tillë të vendosur me banim në zona e qytete të ndryshme të vendit, apo në emigracion), intensiteti dhe jehona gazmore ishin mjaft të larta, thua se mes tyre të ishin edhe të munguarit. Në mënyrë të natyrshme, u riprodhuan dhe u shkëmbyen mbresa e kujtime edhe për të ndarët nga jeta. Dhe, më impresionante ishin ato për më të mirin e më të mirëve – të ndjerin Kleanthi Koçi, i cili u vra në mënyrë të pabesë, nga një dorë e zezë, 20 vite më parë, në shkurt të vitit 1999.

LICEU I GJIROKASTRËS – VATËR E EDUKIMIT KULTUROR E ATDHETAR PËR DISA BREZA

Gjimnazi “Asim Zeneli”, ose Liceu njihej në ato vite të hershme (para e pas viteve të Luftës Antifashiste), si një nga vatrat më të rëndësishme të arsimit e të kulturës në rrafshin kombëtar. Ai Lice i çeli dyert e dijes rreth një shekull më parë, në nëntor të vitit 1923. Shumë nga figurat e atij Institucioni janë të gdhendura në faqet e historisë së arsimit e kulturës sonë kombëtare. Të tillë kanë qenë edhe mësuesit e atij Liceu, të cilët, me përkushtim e dashuri të pastër me nxënësit, por edhe me marrëdhënie të ngrohta me prindërit, u bënë misionarë të atdhedashurisë e të kulturës kombëtare. U jemi mirënjohës mësuesve të nderuar e patriotë, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, si: Arta Franja nga Shkodra, Vjollca Tafaj nga Tirana, Mikel Koka nga Durrësi, Marie Papajani nga Elbasani, Shkëlqim Gjergjani nga Berati, Niko Mongoleci nga Korça, Kristaq Loli Suli nga Vlora (por me origjinë nga Zagoria), Petro Zheji nga Tirana (edhe ky me origjinë nga Zheji i Zagorisë) e shumë të tjerë, që, së bashku me gjirokastritët Basho Thoma Papapano, Muntaz Bakiri, Muzafer Asllani e Muharrem Gegën, në atë Institucion “Pishtar të Diturisë”, që nuk u shua kurrë… Ata meritojnë një obelisk, ende të munguar, për punën e madhe që kanë bërë në atë shkollë, në ato vite të errëta…

kleanthi2

Gjimnazi i Gjirokastrës në vitet dyzet-pesëdhjetë të shekullit që lamë pas, ka qenë në ballë të shkollave më të mira në Shqipëri. Kur ishim ende të vegjël dhe në vitet e para të shkollës, me kureshtje, por edhe me guxim, i binim rreth e qark gjimnazit dhe kënaqeshim me bukuritë e tij. Me ato pamje madhështore nga të katër anët, me ndriçim të njëllojtë nga të katër faqet, me korniza bardhë e zi, por mbresëlënëse dhe me çatinë e kuqërremtë, ajo godinë qëndronte si “dy kurora” (tok me kalanë) në mes të qytetit të gurtë të Gjirokastrës.

Gjimnazi ishte ndërtim i një stili të ri, i harmonizuar me kujdes me ndërtimet e traditës. Shikonim nxënësit konviktorë, që na dukeshin disi ndryshe me sjelljet, kulturën dhe veshjet që mbanin… Hynin në godinën e Liceut edhe mësuesit e moshuar me syze, me çanta e kapërdina, gjithë seriozitet dhe ne, me droje, pyesnim veten: “Vallë, do të arrinim edhe ne të bëheshim të mirë, si ata?!”. Duke u rritur, mësuam historinë e ndritur të atij Liceu, që ishte nga të parët në vendin tonë, ku mësonin bashkë djem e vajza, nga qyteti e nga fshati, nga gjithë jugu i vendit, pa dallim feje e krahine! Liceu rrezatonte njëherazi kulturën franceze e perëndimore në tërësi, për sa u përket programeve mësimore dhe ndizte në zemrat e në vetëdijen tonë dëshirën për më shumë dije e për një jetë më të mirë!

Në ato vite, nxënësit e atij Liceu ishin “simboli i qytetit”! Gjirokastritët i përshëndesnin çdo ditë nxënësit dhe konviktorët me fjalën:

“Mirëmëngjesi!”, ndërkohë që nxënësit konviktorë, me këngë në gojë dhe librat nën sqetull, i binin mes përmes qafës së pazarit! Nxënësit e atij Liceu ishin “shtyllat kryesore” dhe “brumi” i gjithë veprimtarive artistike, kulturore e sportive të atij qyteti. Ishin ata që gjallëronin jetën artistike e sportive jo vetëm të qytetit, por edhe të fshatrave të rrethit. Ishin ata që i dhanë gjallëri gjithë Gjirokastrës dhe që e nxorën nga letargjia mesjetare, njëherazi që shpunë dritën e diturisë në të gjitha shkollat e qarkut të Gjirokastrës. Ishin ata, që, me dinjitet mbushën jetën shoqërore, kulturore, artistike e shoqërore, deri edhe të Shqipërisë.

kleanthi2

KUSH ËSHTË KLEANTHI KOÇI DHE SI BËRI FERK NË VITET E SHKOLLIMIT TË MESËM E TË LARTË

Në një mjedis të tillë, u rrit, u edukua dhe brumosi personalitetin e vet edhe Kleanthi Koçi. Erdhi nga Zagoria, një krahinë e thellë malore kjo, duke bartur edukatën e një familjeje të nderuar e arsimdashëse, me zakonet e traditat e bukura të asaj krahine, si dhe me gjuhën e kulluar zagorite.

Liceu, aq krenar në pamje, me klasat e mirorientuara, me korridoret plot dritë dhe fotografitë e 40 dëshmorëve në hyrjen kryesore, të impononin, si pa kuptuar, jo vetëm një detyrim moral individual, por edhe përgjegjësi kolektive për të mësuar për vete dhe për të ardhmen e vendit.

Përpjekjet për dituri e përparim ishin të pandërprera nga ana e pedagogëve. Nuk bëhej fjalë për mbetës në klasë. Kishte veçse konkurrencë për mesatare të lartë, jo vetëm midis nxënësve, por edhe midis klasave.

Ky formim cilësor i gjithanshëm dha frytet e veta. Gjimnazistët ishin të shquar në disa fusha. Kleanthi ishte ndër më të shquarit. Jeta dhe veprimtaritë e nxënësve gjirokastritë, por edhe i atyre konviktorë ishin të mbingarkuara në volum, por edhe në intensitet. Shkencat shoqërore, aq të dashura për Kleanthin, por edhe letërsia, skalitën tek ai ndjenjat e respektit, të mirënjohjes e të humanizmit, më shumë se çdokush tjetër. Kleanthi nuk dinte të urrente. Ai e dënonte dhunën, sido që të shfaqej ajo. Nuk i qaste dhe i përçmonte diferencimet klasore e ekstremiste të të “revoltuarve revolucionarë”!

Korriku i vitit 1956 ishte “muaji i etheve”, sepse priteshin njoftimet për vazhdimin e shkollave të larta. Të parat ishin bursat për studime jashtë atdheut. Ishin të tilla 13, si asnjëherë më parë… Por, për çudi dhe ironi të së drejtës, nuk përfituan nxënësit ekselentë, ku ndër të parët ishte Kleanthi Koçi. E ashtuquajtura “luftë e klasave” bëri punën e vet! Kësisoj, rrugët e jetës u përforcuan me “diferencime klasore”. Por, miqësia dhe dashuria e viteve të rinisë shkollore nuk u cenua. Nuk u ndanë me kandarin famëkeqës të asaj lufte. Ato u ruajtën si gjeja më e çmuar e jetës!

Qysh atëherë kanë rrjedhur shumë vite, por miqësitë rinore kanë mbetur të pastra e ruhen thellë në vetëdijen e secilit. Ishte pikërisht kjo miqësi që na bashkoi edhe në takimin e fillimit të korrikut të këtij viti dhe që do të na mbajë të palëkundur gjithë jetën.

FENOMENI I LICEUT Fjala e mençur dhe e ngrohtë e Kleanthit na ka prirë sa e sa herë, në rrugën e së drejtës, larg gabimeve e rrëmbimeve rinore. Ishte i matur, i qeshur e fjalëmbël. I tillë ishte dhe mbeti gjatë gjithë jetës së vet. Mbarti e kultivoi vlera e cilësi të larta morale, shoqërore, profesionale e intelektuale.

Gjashtëdhjetë e tre vite më parë, në korrik të vitit 1956, drejtori i shkollës, i ndjeri Vangjel Kostaqi, duke i dhënë në prani të të gjithë nxënësve të Liceut Dëftesën e Pjekurisë, me të gjitha notat maksimale, ndër të tjera i tha këto fjalë: “Kam nderin që, në emrin e Drejtorisë dhe të të gjithë trupës pedagogjike të gjimnazit, të të citoj vendimin unanim të tyre për t’u cilësuar Fenomeni i Liceut ‘Asim Zeneli’ të Gjirokastrës. Ky vlerësim mbështetet në rezultatet e tij të larta, në të gjitha lëndët mësimore e në të katër vitet, si nxënës primar i Liceut”.

Ishte ky një vlerësim i lartë dhe i merituar, që rrallë kishte ndodhur në historinë e Liceut. Në të gjitha lëndët mësimore e në të katër vitet e shkollimit të tij, ai kishte siguruar notat maksimale jo vetëm në lëndët e shkencave natyrore e shoqërore, por edhe në ato të shkencave ekzakte, deri në ato të edukimit fizik e qytetar. Ishte gjithë veprimtaria e tij e shquar në të gjithë veprimtarinë shkollore, brenda e jashtë saj; ishte sjellja e tij miqësore me këdo: Ai ishte i thjeshtë, i sjellshëm, i vëmendshëm dhe i dashur me të gjithë shokët e shoqet e Liceut, nga viti i parë deri në të katërtin. Ishte inkurajues dhe i qasur me të gjithë! Me gjithë ato arritje të larta, ai nuk u dekurajua kur nuk iu dha bursa për të studiuar jashtë vendit për jurisprudencë, të cilën e ëndërronte. Ndjekja e studimeve jashtë shtetit ishte e vetmja degë që kërkonte. Ishte dëshira e tij, njëherazi do të ishte edhe fat për Drejtësinë Shqiptare.

U SHQUA SI STUDENT EKSELENT EDHE NË UNIVERSITETIN E TIRANËS, POR DHE NË KARRIERËN PROFESIONALE PAS TYRE

I tillë, si student Kleanthi kreu edhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Gjatë katër viteve universitare, ai nuk u nda kurrë nga shokët e shoqet e gjimnazit, me të cilët kalonte rregullisht fundjavat. Kleanthi ishte nismëtar për takime e biseda shoqërore, për vizita në qendra kulturore, në stadium e në sallat sportive të Tiranës, si tifoz i “Partizanit”; në plazhin e Durrësit, apo si vizitor në qendrat historike në Krujë, Vlorë, Apolloni, Butrint etj. Ndonëse i kreu shkëlqyeshëm studimet e larta dhe pedagogët e Fakultetit Juridik kërkuan me insistim që ta mbanin në katedër, ai nuk e dha veten asnjëherë. Në ato dy vite të para në Shkodër, Tepelenë, Përmet, Sarandë e Gjirokastër, Kleanthi përfitoi edhe nga përvoja e juristëve të vjetër, të cilët e admironin për aftësitë dhe intelektin e lartë. Shumë shpejt u emërua në Gjykatën e Qarkut të Gjirokastrës. Për aftësitë e larta profesionale, u bë i njohur e popullor në të gjitha krahinat e jugut të Shqipërisë. U bë më i preferuari i njerëzve të thjeshtë, të cilët kërkonin drejtësi. Nevojtarët nga zonat e jugut vinin në Gjirokastër për konsultime. Na e rrëmbenin nga shoqëria jonë në orët e lira pas punës. Mërziteshim që na linte ta prisnim me orë të tëra, por njëherazi kënaqeshim për simpatinë masive që kishte fituar cep më cep zonave të Qarkut të Gjirokastrës. E admironim për zgjidhjet profesionale, të drejta e të shpejta të çështjeve të koklavitura civile dhe për personalitetin në rritje nga dita në ditë. Një specialist të tillë e pikasën drejtues në Tiranë dhe e tërhoqën në Gjykatën e Lartë. Falë aftësive e potencialit të tij profesional, u emërua Nënkryetar i Gjykatës së Lartë dhe pas pesë vjetëve u emërua Kryetar i asaj Gjykate, post që Kleanthi e meritoi plotësisht, deri në vitet e para të demokracisë, që doli në pension.

VEPRIMTARIA PAS VITEVE ’90-TË, DERISA U VRA PABESISHT E MIZORISHT NË SHKURT TË VITIT 1999

Pas viteve ’90-të, me gjithë ofertat e shumta, Kleanthi zgjodhi rrugën e avokatisë dhe u bë Kryetar i denjë i Shoqatës së Avokatëve të Shqipërisë. Ishte nga të paktët që nuk hapi studio. Studioja e tij ishte atje ku ndodheshin njerëzit e thjeshtë, që kërkonin drejtësi: në rrugë, në shtëpi, në kafe, në park etj. Kleanthi ishte i papërtuar, i afruar dhe i duruar, i vëmendshëm dhe punëmbaruar, me të gjithë; nga orët e para të mëngjesit deri në ato të vona të mbrëmjes. Zakonisht lokalet BarDardha e Bar-Çaplini ishin vendet ku hallexhinjtë prisnin në radhë të gjata.

Kleanthi kurdoherë u thoshte nevojtarëve: “Ju lutem, më tregoni të vërtetat lakuriq, në mënyrë që të mundem t’u përcjell vetëm të drejtën e ligjshme”. Kësisoj, ai çelte një rrugë të re komunikimi me njerëzit e thjeshtë, të lodhur nga “drejtësia nepotike e politike të asaj kohe”! Me karrierën e vet të suksesshme, me vëmendjen dhe korrektësinë karakteristike që tregonte, Kleanthi Koçi ishte cilësuar me të drejtë: “Orakulli i së Drejtës Civile”. * * * Në vitet e para pas përmbysjes së regjimit komunist, Kleanthi mori përsipër një nga detyrat më të vështira. Pavarësisht se nuk kishte qenë asnjëherë komunist, por një profesionist i nivelit të lartë, ai mori përsipër mbrojtjen ligjore të pasardhësit të Enver Hoxhës, ish-Presidentit Ramiz Alia.

Këtë detyrë ai e kreu maksimalisht mirë, pavarësisht nga kontestimet e regjimit të atëhershëm. Por kjo me sa duket kishte qenë e pamjaftueshme për t’i mundësuar atij një vazhdimësi normale në profesionin e tij të dashur të avokatit… Kleanthi Koçi iku papritur nga jeta. Një dorë e zezë e tinëzare i mori jetën. Një yll në qiellin e drejtësisë shqiptare u shkëput shpejt, në kulmin e kapacitetit të tij të lartë intelektual e profesional, kur i duhej drejtësisë Shqiptare. Kleanthi ishte një intelektual vizionar, për një shoqëri njerëzore të lirë, të ndërtuar mbi humanizmin, solidaritetin dhe drejtësinë e barabartë, njëlloj për të gjithë; jo mbi paranë dhe interesat personale të një pakice të korruptuar mbi shumicën popullore e në dëm të saj!

Më Shumë

Lajmet e Fundit