22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

26 vjet nga vdekja e Martin Camajt

Sot bëhen 26 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza.

Martini u lind në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet.

Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj.

Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Ai themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.

Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet derisa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me At Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetash. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviq.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoratës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor.

Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Munih.

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

Një përzgjedhje e poezive të tij u përkthye në gjuhën angleze nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.

Më Shumë

Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka deklaruar se nëse qeveria aktuale në vend nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë,...

Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin...

Dhimbja

Lajmet e Fundit