11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Albulena Misini, fituese e festivalit “Kosovarja këndon”

Edicioni më i ri i Festivalit Tradicional “Kosovarja këndon”, i 43-ti me radhë, i cili është mbajtur në Ferizaj, ka sjellë emra të rinj të interpretuesve të këngës popullore shqipe.

Në një konkurrencë prej 13 solistesh sa ishin pjesëmarrëse, të përcjella nga Ansambli i Këngëve “Kastriotët”, juria profesionale në përbërje: Fahri Beqiri, Sami Piraj dhe Lindita Isufi, vendin e parë ia ka ndarë këngëtares Albulena Misini nga Vitia për interpretimin e këngës “Po ti çka i ke thanë dikujt”, vendi i dytë dhe çmimi i publikut i është ndarë Diellza Zenunit nga Shtimja, e cila ka interpretuar këngën “Unë biri yt Kosovë”, ndërsa vendi i tretë i është ndarë këngëtares nga Gjilani, Diellza Zymberi, për interpretimin e këngës “Kënga Arbëreshe”. Çmimi i medieve, të cilin e ka ndarë Klubi i Gazetarëve “Haki Braha” nga Ferizaj, i është dhënë këngëtares nga Gjilani Yllka Frangut për interpretimin e këngës “Bishtalecat palë-palë”. Juria profesionale me çmimin “Nexhmije Pagarusha” e ka nderuar interpretuesen ferizajase Kadrie Karaliti, e cila para publikut solli këngën “Marxhello”. Me mirënjohje në këtë festival është nderuar edhe këngëtarja e njohur shkodrane Mukadese Çanga, e cila ishte mysafire e festivalit dhe grupi i valltarëve “Ilirida” nga Shkupi. Me mirënjohje post-mortum është nderuar edhe muzikologu shqiptar Isak Muçolli, i cili ka ndërruar jetë para pak ditësh.

Hapjen e festivalit “Kosovarja këndon” e ka bërë kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili ka theksuar se një festival i këngës në Ditën e Flamurit e ka simbolikën e vet domethënëse.

“Nëse kemi kënduar përgjatë shekujve në festa e në vuajtje, atëherë sot kemi arsye të shumëfishtë të këndojmë me zë edhe më të fuqishëm, sepse shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë, më afër njëri-tjetrit dhe me mundësi më të mëdha për t’i shfaqur mundësitë e tyre krijuese. Ky çlirim nuk ka të bëjë vetëm me heqjen qafe të të huajve, që na kanë shtypur e terrorizuar tepër gjatë. Ka të bëjë edhe me çlirimin nga mendësia totalitare, e cila i kishte robëruar artin dhe kulturën tonë për dekada me radhë. Sot, arti, kultura, sporti, idetë, mallrat dhe njerëzit qarkullojnë më lirshëm se kurrë. Në këtë komunikim intensiv të paparë, populli shqiptar e ka shansin që nuk e ka pasur kurrë më parë që të këmbejë e të konsolidojë, përveç të tjerash, edhe vlerat e veta kulturore e arsimore. Kjo është një arsye më shumë që të festojmë e të jemi të gëzuar”, ka thënë kryetari Svarqa, duke vlerësuar se “Kosovarja këndon” është një festival që ka ndjekur rrugëtimin tonë jo vetëm muzikor, përgjatë gati pesë dekadave, sidomos rrugëtimin e femrës shqiptare të Kosovës, duke u bërë një tregues i përparimit dhe emancipimit të saj hap pas hapi.

“Sot ky festival natyrisht se ka objektiva të tjerë, që kapërcejnë përpjekjet për barazi gjinore të femrës kosovare. Para këtij festivali qëndrojnë objektiva artistike, objektiva interpretimi me cilësi e mjeshtëri sa më të lartë të këngëve të traditës popullore, ashtu si edhe zbulimi i zërave të rinj, që do të mund të bëheshin pjesë e botës artistike në të ardhmen. Unë uroj që këta objektiva të realizohen sa më mirë”, ka thënë kryetari Svarqa.

Njohës të rrjedhave të muzikës popullore kanë thënë se Festivali “Kosovarja këndon” është gjurmë e mirë në kohë, është vlerë e traditës mbi 40-vjeçare si dhe vlerë e brezit të sotëm të krijuesve. /Epoka e Re

Më Shumë

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë pranë Pazarit të Ri, më 22 prill 1924. Atentati ndaj tij u krye më 20 prill,...

Lajmet e Fundit