14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Amerikanët në 1913: Vjena do lidhet me hekurudhë me Shqipërinë

DerSpiegel-gazeta-gjermaneDihet se kontributi i Perandorisë Austro-Hungareze në kohën e shpalljes së pavarësisë, por edhe më parë, ka qenë jo vetëm evident, por edhe përcaktues në fatin e Shqipërisë. Kjo përsa i përket aspektit politik, ku ajo spikati më shumë. Por një dimension tjetër i rolit të saj në Shqipëri, është edhe ai ekonomik. Kështu, perspektiva që i ofrohej shtetit të ri për të thithur investime madhore prej monarkisë dualiste – të cilat, nëse do të ishin realizuar do bënin që Shqipëria të mos ndjehej aspak inferiore në aspektin infrastrukturor në përballje me fqinjët e saj – në vitin 1913, ishte mëse konkrete.

Për më tepër, kur statistikat e nxirrnin zhvillimin e industrisë e ekonomisë në mbarë hapësirën që zotëronte kjo perandori e famshme, në kuota shumë pozitive, duke favorizuar dëshirën për investime afatgjata e madhore në mbarë hapësirën ballkanike, pavarësisht se në krahasim me fuqi të tjera të kohës, ajo sigurisht se zinte tashmë një vend më modest. Një vektor shumë i rëndësishëm për ekonominë botërore të kohës ishin edhe investimet në hekurudha, ku sidomos Vjena kishte vepruar me kohë dhe planifikonte të “hidhej në sulm”, për të marrë plotësisht në dorë përfitimet afatgjata që vinin si pasojë e ndërtimit të rrjeteve që i siguronin asaj akses nga Alpet në Egje, nga Danubi në Adriatik e më tej, për të përfunduar pastaj deri në Oqeanin Indian.

Sigurisht, këto duhej të ishin veçse elementë të veçantë të planeve megalomane që ajo ushqente për momentin, pas saldimit të një aleance “për jetë a vdekje”, në dukje vërtetë ngadhënjimtare, me Kaizerin Gjerman. Një artikull i një gazete amerikane (“Balkan Rail Lines”, Akron Weekly Pioneer Press, 17 tetor 1913, fq. 6) na rrëfen në detaje se cilat ishin linjat që pritej të ndërtoheshin në mbarë Ballkanin, sa shkonte vlera e këtij projekti madhor dhe në ç’mënyrë do të financohej projekti? Sa gjatë në kohë do të shtrihej zbatimi i këtij plani dhe tek e fundit: çfarë do të përfitonte shteti i ri shqiptar, vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe pak muaj pas njohjes ndërkombëtare, nga e gjitha kjo ndërmarrje?

Gjithashtu, një tablo shumë interesante të planeve (gjithsesi të dështuara e të pavëna kurrë në jetë) për ndërtimin e hekurudhave në hapësirat mbarëshqiptare të kohës, na e jep edhe një artikull shumë më i vonshëm (“Lok auf See”, Revista “Der Spiegel”, 26.4.1982, fq. 178-181), i cili në një shumicë pasazhesh na rrëfen hollësira për atë që mendohej të lidhte shqiptarët me kohë në një mënyrë moderne, qysh prej 100 vjetësh. Diku, aty theksohet se paskëshin qenë madje vetë shqiptarët, të cilët për shkak të thashethemeve dashakeqe të xhonturqve, paskëshin bërë që të mos merrte udhë një ëndërr që akoma dhe sot e kësaj dite ka mbetur e parealizueshme.

Duket se gjithçka paska qenë destinuar të mbesë vetëm një utopi mjerane, nëse kujton se çfarë rezervuan kohët e mëvonshme e për më tepër, se cila është gjendja e hekurudhave sot e kësaj dite në vendin tonë. Fati e desh që Austro-Hungaria të dështojë në “Luftën e Madhe” -siç quhej Lufta e Parë Botërore deri në kohën që vendin ia zuri e Dyta – e bashkë me të edhe të gjitha idetë e saj madhore, në atë që ishte projektuar si domen i saj: Ballkanin, në të cilin sigurisht se Shqipëria, do të kishte hisen e vet, për kohën tejet pozitive.
Plane madhore për ndërtimin e hekurudhave në Ballkan

Në materialin e botuar nga gazeta amerikane në vitin 1913, gazetari qysh në fillim të herës citon nga Vjena një zyrtar të lartë të bankës austro-hungareze, një institucion i madh shtetëror në këtë vend, prej të cilit ai kishte marrë disa detaje rreth ndërtimit të një numri të madh hekurudhash të reja dhe përmirësimit të atyre ekzistuese në vendet ballkanike, sidomos në ato në të cilat Austro-Hungaria ka interesa. Më tej ai shkruan se: “Megjithëse monarkia dualiste nuk është e pasur në kapitale, krahasuar me disa vende të tjera, ajo do të ndërmarrë një hapje të konsiderueshme investimesh në ndërtim veprash madhore.
600 milion dollarë USA

Në lidhje me shifrën totale të investimit, autori theksonte se ajo nuk do të ishte më e vogël se 600 milion dollarë amerikanë, një shumë kjo stratosferike për kohën. Po kështu, periudha kohore që i parashikohej projektit për zbatim ishte ajo pesëvjeçare, por ndoshta edhe më shumë. “Këto para do të përfitohen në formën e kredive dhe ato do të lëvrohen në Paris, Vjenë, Berlin dhe Londër. Të gjitha vendet ballkanike, duke përfshirë edhe Bullgarinë dhe Shqipërinë, do të përfitojnë kredi të tilla.
Linjë direkte Vjenë-Shqipëri

Më tej, në lidhje me përfitimet konkrete të palës shqiptare, autori shkruante: “Linjat e reja të Shqipërisë – të parat që ky vend pritet të ketë – do ta lidhin atë me Greqinë dhe Serbinë; një linjë prej tyre do të nisë nga Manastiri drejt Durrësit, dhe tjetra do të përfshijë linjën nga Vlora deri në Janinë”. Por në artikull megjithatë hidheshin dyshime nëse do të mjaftonte kapitali austriak për vënien në jetë të projektit që do të lidhte kësisoj Danubin me Adriatikun, pasi sipas autorit, nuk do të mjaftonin vite të tëra për të shlyer kreditë. Por, theksonte më tej autori, “nëse realizohet, atëherë do të ketë një lidhje direkte hekurudhore mes Vjenës dhe Shqipërisë”.
“Transballkanika” qysh në 1913

Më tej në shkrim flitej për linjat që preknin territoret e Bullgarisë, Rumanisë e Greqisë, duke i cilësuar si një projekt madhor transballkanik. Kështu për shembull, Bullgaria do të merrte përsipër ndërtimin e linjës nga Dedeagaçi (qyteti i Aleksandropullit, sot në Greqi) në Egje, që do lidhej më pas me linjat rumune, gjë e cila do t’i jepte Bullgarisë një sistem perfekt hekurudhor. Sipas autorit, për Greqinë, tashmë do të dilte pak problematike sigurimi i fondeve për të shtrirë rrjetet e saj hekurudhore në territoret e reja që ajo sapo i kishte përfituar, pas vendimeve të Konferencës së Londrës. Kurse për ndërmarrjet hekurudhore serbe, thuhej se “do të kapitalizohen nga Franca”.

 

Synimet afatgjata të austriakëve

Në lidhje me përfitimet afatgjata të këtyre investimeve, pretendohej se: “këto projekte për ndërtim linjash hekurudhore, do t’u mundësojnë eksporteve austriake e hungareze një akeses më të madh e më alternativ drejt detit Egje, Adriatik, atij të Zi dhe Oqeanit Indian”. Po ashtu, në fund nxirrej në pah edhe stabiliteti ekonomik që po përjetonte ish-Perandoria dualiste, vetëm një vit para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe gjashtë vjet para shuarjes përfundimtare të këtij shteti nga harta e botës: “Evidencat tregojnë se është vënë re në të gjitha fushat një lulëzim i industrisë në qendrat kryesore të Perandorisë; Vjenë, Trieste, Fiume ( Rijeka e sotme në Kroaci), Lemberg ( qyteti i Lvivit në Ukrainën e sotme), Pragë, Krakov, Budapest, Grosswardein ( qyteti i Nagyváradit ose Oradeas, sot në Rumaninë Perëndimore)”.

 

“Der Spiegel” në 1982: Shqiptarët dikur i dështuan vetë planet austriake

“Ëndrra për një linjë hekurudhore ndërkombëtare ka qenë ravijëzuar në fakt qysh me lëvizjet e para për pavarësinë e Shqipërisë, rreth 100 vjet më parë. Patrioti Sami Frashëri, i biri i një familjeje feudale, i parashkroi popullit të vet mirëqenie dhe civilizim, nëse ndërtohej një e tillë. E për këtë të fundit, e interesuar asokohe ishte edhe Perandoria Austro-Hungareze që po hynte thellë në Ballkan. Por kur inxhinierët e Kajzerit ia nisën punës me matjet në terren në zonën e Kosovës, 20 mijë fshatarë të irrituar shqiptarë i penguan ata me armë. Oficerët xhonturq kishin hapur fjalë se Sulltani kishte rënë dakord me Kajzerin në Vjenë që toka e përdorur për hekurudhë të mos kompensohej, pra për fshatarët vendas nuk do të kishte asnjë të ardhur. Xhonturqit donin të ushtronin presion mbi sovranin e tyre: nga frika se kryengritja popullore në Kosovë mund të përhapej në mbarë Perandorinë Osmane, Sulltani u paraqiti rebelëve të tij një kushtetutë që parashihte reforma – duke shënuar kësisoj edhe fitoren e parë të lëvizjes së xhonturqve. Konsulli austriak në Mitrovicë, ndërkohë, e shihte ndryshe këtë punë: ai ia hidhte fajin – në një letër të dërguar prej tij për ministrin e Jashtëm në Vjenë, Kontin Lexa von Aehrenthal – agjentëve të Serbisë për dështimin e planeve për hekurudhën. Gjashtë vite më vonë nisi – e sigurisht edhe me ndihmën e kontributin e serbëve – ajo që njihet si Lufta e Parë Botërore. Me një lidhje hekurudhore mes zonës së banuar me shqiptarë të Kosovës dhe Shkupit maqedonas e duke vijuar deri në Selanik, shqiptarët qysh në atë kohë tashmë mund të thuhet se kishin lidhje me botën e jashtme – gjithsesi, me Orientin në fakt: ajo u shërbente turqve si një shembull, për të dërguar në vend ekspedita ndëshkimore për shqiptarët që nuk rrinin urtë. Në luftë për të poseduar këtë linjë, për herë të parë u ngrit flamuri kuqezi i indipendencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Kështu, ëndrra e një hekurudhe u ngjiz me frikën se në këtë mënyrë do të humbej edhe pavarësia. Kur Shqipëria në vitin 1912 u bë e pavarur, më shumë se gjysma e zonave të banuara me shqiptarë mbeti jashtë shtetit të ri, e para së gjithash ajo e Kosovës, të cilën sot e kësaj dite akoma e mban Serbia – me të vetmen linjë hekurudhore që të shpie në botën e jashtme. Importet drejt vendit të padepërtueshëm të shqiptarëve, e para së gjithash drithi, dhe madje edhe një pinjoll me gjak gjerman, Princi Vilhelm Vid, erdhën nëpërmjet detit. Fqinji Serbi dëshironte të ndërtonte një hekurudhë që do të kalonte nëpër Veri të vendit – për t’u lidhur kësisoj me pjesën e mbetur të Shqipërisë. Por shqiptarët vlerësuan se ishin italianët ata që kishin të drejtë, ndërsa e pretendonin për vete një gjë të tillë. Në vitin 1925, Kryeministri shqiptar, Ahmet Zogu, i dha kompanisë italiane hekurudhore “Ferrovie dello Stato Italiano” një koncesion. Por kjo e fundit nuk shtroi asnjë metër binarë, por u përqendrua në nxjerrjen e naftës në zonën që iu dha për përdorim”./dita/

Shkëputur nga Revista “Der Spiegel”, 26.4.1982, fq. 178-181

Më Shumë

Mot me diell dhe i ngrohtë

Për sot parashihet të mbajë mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë. Era do fryjë nga jugperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë...

8 dhe 11 milionë euro, mbërrijnë dy oferta për Rrahmanin

Albion Rrahmani duket se do të largohet këtë verë nga Rumania për një hap më cilësor në karrierën e tij. Dhe, ofertat tashmë kanë...

Lajmet e Fundit