13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Anës lumenjve

Poezi nga FAN NOLI

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjer-mileti
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur?

Se ç’e shëmpnë derbederët,
Mercenarët dhe Bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës!

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’ as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’ u-mpaka,
Se ç’ u-çora, se ç’ u-mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Endërronj pa funt, pa shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
Më bën djal’ e më bën trim,
Më jep forc’ e më jep shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur
Brohorit me bes’ e shpresë
Anës Elbës, anës Spree-së.

Më Shumë

58 aksidente trafiku për 24 orë në Kosovë

58 aksidente trafiku të ndodhura janë raportuar brenda 24 orëve. 15 nga to janë me të lënduar, ndërsa 43 me dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe janë...

Bayern Munichu me kërkesë të fundit për Alphonso Davies

Tani ose kurrë. Siç thuhet në Gjermani, Bayern Munich i ka dhënë Alphonso Davies një javë kohë për të marrë një vendim për të...

Lajmet e Fundit