16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Arti i shprehur nga duart e arta të prizrenasve

Tradita e punimit të tirqeve, xhubletave, xhurdive, qilimave, shtrojave, në Prizren është mjaft e vjetër. Në çdo shtëpi po të shkosh edhe sot sheh mjaft shtroje të tilla, të prodhuara në mënyrë artizanale, dhe habitesh me artin e të punuarit të tyre. Sot, në shumë shtëpi u kushtohet vëmendje shtrojave të leshta, si qilimave, velenxave.

“Pazari i Prizrenit në gjithë Arbërinë dikur ishte i njohur, tregtimi i leshit në vitet 1930 këtu ka qenë në kulm”, tregon profesor Mejdi Elezi, historian.

“Duke qenë pjesë e perandorive të ndryshme, por edhe traditës sonë kombëtare, kemi pasur të zhvilluar fort zakonin e ndenjes në shesh, duke u kushtuar rëndësi qosheve, çardakëve, oxhaqeve si pjesë e rëndësishme e arkitekturës popullore të shtruara me shtrojë leshi, pambuku, liri dhe jastëkë të qëndisur. Prodhimi i qilimave, velenxave dhe pastaj veshjeve si tirqet apo pantallonave, pastaj xhurdive, xhubletave, ka qenë një detyrë e grave të shtëpisë. Ato kryenin të gjitha proceset, si shprishjen, tjerrjen, ngjyrosjen e thurjen në kushte tepër artizanale e primitive”.

Procesi fillon me shprishjen me dorë të leshit, më pas leshi krihej me krehër dhe tirret me bosht e furkë.

“Tradita e punimit të tyre ka kaluar nga një brez në tjetrin. I gjithë procesi ka kaluar në një cikël të mbyllur brenda një familjeje, duke kryer të gjitha proceset nga shkrifja, krehja, tjerrja, ngjyrosja dhe thurja. Shtrojat e leshta në Prizren kanë pasur edhe termin e tyre”, është shprehur Elezi, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

Prizren-prodhime te leshit1 Prizren-prodhime te leshit2

Makina e leshit e familjes Kazazi ishte trashëgimi e rëndësishme për Dukagjinin e më gjerë

Tradita orientale e qëndrimit këmbëkryq, ulur në shesh, ka zhvilluar më tepër traditën e shtrojave.

Mirëpo, dikur, para 200 vjetësh, thuhet se familja e njohur Kazazi, e ardhur nga Gjakova, pati filluar punën me makinën e leshit që ishte më e njohura në gjithë Dukagjinin dhe rrethinë, e këtu përfshihej edhe Kukësi, pastaj Malësia e Shkodrës. Ishte familja Kazazi që e ruajti me fanatizëm këtë zeje. Mirëpo, me plakjen e Asllan Kazazit makina e leshit, që ishte prodhim mekanik i hekurit më të mirë në botë, para një dekade u mbyll, ngase mosha e Asllan Kazazit nuk lejoi më të mbahej gjallë ajo makinë. Kështu mbyllja e kësaj makine ndikon edhe në zvogëlimin e kësaj tradite madhështore në Prizren. Ai para një dekade e mbylli këtë zeje dhe për fat të keq makina u shit për skrap. Asllan Kazazi ndërroi jetë në vitin 2015, e pas vete la të birin, Avdylin, i cili nuk pati mundësi që ta vazhdojë këtë zeje kaq të këndshme.

Mirëpo, në Prizren traditën e kësaj zeje e vazhdoi familja e njohur Krasniqi.

Vlora Dullaj-prodhime te leshit ne Prizren

Sipas Vlora Dullajt, punëtore në punëtorinë e familjes së Delvina Krasniqit, këtë zeje për punimin e veshjeve kombëtare e trashëgoi kjo familje nga e zonja e shtëpisë Simija. Deshi fati që Delvina ka kryer Fakultetin e Etnologjisë dhe ka synim që traditën e kësaj familje ta vazhdojë tutje.

Dullaj shprehet për “Kosova Sot” se në këtë punëtori prodhohen punime dore, si rroba leshi që janë të zorshme.

“Të gjithë punëtoret sa jemi duhet një javë ditë për të punuar një palë rroba leshi për femra që janë origjinale. Më duhet të them se familja Krasniqi e ushtron tani këtë zeje për nderim të zonjës së shtëpisë, zonjës Simije”, tregon ajo.

Shton se kjo zeje nuk sjellë aspak përfitime.

“Në kohën e sezonit kur vijnë bashkatdhetarët tanë dhe blejnë rroba origjinale nisin përfitimet”, tregon ajo.

Shpjegon se me këtë punë fitohet një rrogë mesatare, e kaq fiton edhe familja.

“Kjo familje tani këtë zeje e bën me shumë nga përkushtimi dhe pasioni sesa përfitimi”, shprehet ajo.

Prizren-prodhime te leshit3

Xhubleta e ruajtur para 200 vjetësh

Në lokalin e traditës në rrugën “Remzi Ademaj” Dullaj thotë se ende punohet në vek. Veku është një makinë druri ku punohet pambuku e nga aty pastaj punohen fustanellat karakteristike të këtij qyteti. Po kështu tregon se këtu ruhet punimi i dorës i xhubletës prizrenase me motive nga Shqipëria e jugut që i ka jo më pak se 200 vjet. Familja Krasniqi tani këtë zeje e ka përkushtim familjar dhe nuk e ndërron me asgjë.

“E dinë se nuk fitojnë shumë, por përkushtimi është në maksimum”, tregon zonja Vlora Dullaj.

Ajo tregon se është përgjegjëse e prodhimeve vendore dhe të rrobave të bukura të leshtit që tashmë janë të rralla.

Dullaj tregon se janë të vetmit në Prizren që ende prodhojnë këto rroba leshi. Por, disa punime të hershme të leshit janë harruar.

“Nuk kemi si t’i punojmë ato. Mungon objekti, makinat. Tash po improvizojmë gjithçka. Mund t’u them se Delvina Krasniqi, që sot gjendet në Gjirokastër si etnologe dhe bijë e kësaj familje, do ta rimarrë këtë zeje dhe do ta perfeksionojë si zanat dhe traditë me vlerë”, shprehet Vlora Dullaj. /Kosova Sot/

Më Shumë

243 drunj në nderim të 243 të vrarëve në Krushë të Madhe

Shpimi i tokës duket jo i lehtë. Megjithatë në të po vendoset një dru dekorativ. Në parkun para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe...

Vetura godet një këmbësor në Prizren – arrestohet shoferi

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Prizren rreth orës 21:50. Policia ka njoftuar se me këtë rast ka arrestuar një...

Lajmet e Fundit