7.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Autorja e Vitit në “Pasdite”

Luljeta-LleshanakuVetëm disa ditë pas përfundimit të panairit të suksesshëm të librit në Tiranë, “Pasdite” në “Top-Channel” pati kënaqësinë që të ftonte në studion e saj një prej protagonisteve kryesore të këtij panairi nëpërmjet literaturës së saj, shkrimtaren Luljeta Lleshanaku.

Fituesja e çmimit “Kult” të “Autorit të Vitit”, me përmbledhjen e poezive “Pothuajse Dje”, Lleshanaku është një poete që ka arritur të tërheqë vlerësimet më të mira edhe nga kritika e “New York Times” dhe vlerësimin më të lartë prej publikut shqiptar.

E sapo kurorëzuar me atë që vetë 45-vjeçarja e cilësoi si çmimin më të rëndësishëm për të, Lleshanaku foli për momentin kulmor që ka arritur pena e saj dhe për shumë prej peripecive të tjera që ka përjetuar në rrugën e jetës për të mbërritur deri këtu.

“Librat, ashtu si edhe njerëzit kanë fatin e tyre. Mendoj se kam qenë me fat me këtë libër nga aspekti i vlerësimit në Shqipëri. Kam marrë edhe çmime të tjera, në të parin që mora në Prishtinë nuk munda të isha prezente, por ky çmim i fundit ishte më i rëndësishmi për mua. Edhe më i rëndësishëm është fakti që libri duket se ka lënë një shije me të vërtetë të mirë”, komentoi gjatë intervistës së saj shkrimtarja, e cila nuk është në gjendje të ofrojë një shpjegim të qartë për titullin e librit të saj.

“Është pak e vështirë që të shpjegohet titulli i një libri me poezi sepse çdo poezi ka një temë dhe fabul të ndryshme”, shprehet ajo.

Megjithatë, të qënit një shkrimtare e suksesshme nuk është e thjeshtë dhe ka koston e saj përkatëse. “Nuk mund ta quaj veten një nënë të përkryer, nuk mund të jem të gjithë kohës pranë fëmijëve të mi. Më kujtohet që kur isha e vogël më çonin tek mjeku se flija gjumë tepër, por tani kam vite që vuaj nga pagjumësia. Është diçka që shumë persona e shohin si një problem, por unë i kam idetë e qarta. Më krijohet stresi kur jam e mbingarkuar me punë, ka edhe arsye të tjera, por pjesa më e madhe e popullsisë vuan nga pagjumësia, ndonësie imja është kronike”, shton Lleshanaku, e cila është e vëtëdijshme që pagjumësia për të është një tjetër kosto e lidhurme profesionin.

“Është luks të gjesh mundësinë të jesh e përqendruar gjatë të gjithë kohës dhe unë i dua ato shkëputjet 24 orëshe, kur kam mundësinë t’I bëj. Gjatë atyre netëve nuk kam gjumë sepse është stërmundimi, përqëndrimi, por edhe shumë mendime që natën të vijnë natyrshëm. Kjo është në fund të fundit një zgjedhje, pastaj vjen nga ndjeshmëria që femrat e kanë më të madhe dhe stili i jetës që sot njerëzit mbingarkohen me punë, jo shumë nga nevoja, se sa për disa arsye të tjera, që kryesisht lidhen me nevojën thjesht për të pasur më pak kohë për t’u marrë me veten. Është një mani dhe obsesion për punën, shpesh përtej nevojave të vërteta që dikush mund të ketë”, thotë autorja.

“Fundja, unë jam e vetëdijshme edhe se për të punuar 12-14 orë në ditë, më duhet të konsumoj 6-7 kafe, që të më rrisin përqendrimin, por të shkatërrojnë nga nervat. Unë e di cili është shkaku i problemeve të mia, por kështu më pëlqen stili im i jetesës dhe ky është çmimi që duhet të paguaj”, shtoi 45-vjeçarja.

Në lidhje me peripecitë e ndeshura gjatë jetës së saj, kjo autore brilante ndau me publikun vështirësitë e jetës së saj që pas lindjes. “Lindja ime ishte e vështirë sepse për shkak të një operacioni në rininë e saj, nga peritoniti, probabiliteti i mamisë për të lindur ishte shumë i vogël dhe mjeku mbeti i befasuar kur mësoi se nëna ime ishte shtatzanë. Pastaj erdhi edhe motra tjetër, në një farë mënyre ishim të dyja mrekulli”.

Më pas, jeta e përballi Lleshanakun me shumë vështirësi, shumë të lidhura edhe me origjinën e saj, që gjatë regjimit komunist konsiderohej si nga një familje armike e popullit. “Jeta është e paparashikueshme. Prindërit e mi u ndanë kur unë isha 3 vjeç, pas 5 vitesh martesë. Unë u ktheva në Krujë, atje ku mami kishte lindur. U rrita në një shtëpi të madhe, me shumë meshkuj e gra rrotull, një eksperiencë që ia uroj gjithkujt në disa aspekte, por jo në shumë të tjera. Ne ishim një familje politike, Abaz Kupi ishte vëlla me gjyshin tim, ndaj që fëmijë ishte paracaktuar në një farë mënyre fati politik i im, jo sa prindërit e gjyshërit e mi, por më takoi ta vuaja pasojat e atij sistemi deri në 1991 kur ndryshoi sistemi. Deri në 21 vjeç jetova në Krujë, deri kur u martova”…

E me origjinalitetin që karakterizon një autore të suksesshme, zonja Lleshanaku shpjegoi se gjëja që më shumë e goditi tek partneri i saj ishte aftësia për të komunikuar me të pa folur.

“E takova tim shoq në 1989-m. E lexoja në shkrimet e tij si gazetar në “Zërin e Rinisë”, më dukej shumë i veçantë dhe kurajoz nga shkrimet, por nga emri mendoja se do të ishte më i madh në moshë. Rastësisht, gjashtë muaj më pas e njoha përmes një mike, Albana Shalës që ka qenë edhe ajo në studion tuaj. U njoha përmes saj me Gazin dhe që në takimin e parë, në 23 maj, gjëja më e veçantë që më ndodhi ishte që arrita të komunikoja me sy. Rrallë më ndodh të komunikoj me njerëzit pa folur. Kjo më ndodhi me Gazin. Besoj se mund të quhet një dashuri me shikim të parë”, tha Lleshanaku gjatë intervistës së saj eksluzive në “Pasdite” në “TCH”. / Top Channel

Më Shumë

Hilë Mosi, poeti dhe luftëtari i çlirimit të trojeve shqiptare

Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më...

Tri përballje interesante në Albi Mall Superliga – vëmendja në Suharekë

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë në Suharekë, pasi Ballkani është nikoqir i Dritës për...

Lajmet e Fundit