8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Demaçi, vertikalja shpirtërore

(“Demaçi, aromë atdheu”, poezi të përzgjedhura kushtuar Adem Demaçit, përgatiti: Selatin Novosella, botoi SHBPK, Prishtinë, 2015)

Prend Buzhala

Vepra poetike “Demaçi, aromë atdheu”, në përgatitje të Selatin Novosellës, është një përzgjedhje lirikash. Janë 79 krijime, ndër to me dy shkrime të karakterit diskursiv… Janë pesë autorë të panjohur me krijimet e tyre lirike, 72 autorë të tjerë që i kanë kushtuar poezi Adem Demaçit… që simbolikisht shënon 79-vjetorin e lindjes së Bacës Adem. Të shkruara e të krijuara në kohë të ndryshme, prej viteve +60 të shekullit të kaluar e deri në vitin e fundit, të shkruara në të tjera kohë e të publikuara, po ashtu, shumë kohë më vonë, vepra poetike, si e tillë, na e paraqet dramën tonë që e përjetuam nëpër kaq e kaq dekada, na e paraqet vertikalen tonë shpirtërore të përbashkët nëpërmes figurës së Adem Demaçit, si figurë që tashmë ka hyrë për të gjallë të tij në memorien tonë letrare dhe jo vetëm letrare.

1. Biografia shpirtërore poetike me përmasat shumëdimensionale të personalitetit

Tradita e tillë e këndimit dhe e lirikës përkushtimore, na vjen që nga poezitë e tilla te vepra e Bogdanit. Mund ta përkujtojmë librin me lirika kushtuar Naimit që e botuan studentët e Vjenës. Vargjet te kjo përmbledhje poezish, vijnë nga të katër anët e planetit dhe nga të gjitha copat e Atdheut. Vijnë këtu, si BASHKËNDJESI, si një ndërkomunikim i bukur poetik. Nëpër këtë vëllim të përbashkët poetik, parakalojnë gjenerata të ndryshme krijuesish, veprimtarësh a atdhetarësh, madje dhe luftëtarësh të lirisë e deri tek studentët e sotëm, që nga ata më të moshuarit, si Agim Gjakova, Adem Zaplluzha, Ali Podrimja, Arif Bozaxhi, Behram Hoti, Demir Behluli, Gani Xhafolli, Hakif Bajrami, Jonuz Fetahaj, Martin Çuni, Namik Selmani, Naxhije Doçi, Nezir Prokshi, Nuhi Vinca, Qerim Pllana, Sadri Fetiu, Avni Dehari, Kadri Rexhaj, Sylejman Qyqalla, Sylejman Pireva, Zeqir Gërvalla, Murteza Xajë Nura, Abdullahu, Mexhid Mehmeti, Beqir Musliu etj. Agim H. Berisha, gjeneratës pasuese që përjetoi të gjitha vlimet shoqërore, historike e letrare të pas luftës së Dytë Botërore, si Agim Spahiu, Abdullah Konushevci, Faik Beçaj, Gëzim Ajgeraj, Gjon Gjergjaj, Hajdin Abazi, Hydajet Hyseni, Teuta Hadri, Ibrahim Skenderi, Mehmedali Rexhepi, Nexhat Rexha, Riza Greiçevci, Rrahim Sadiku, Sabile Keçmezi-Basha, Shaip Beqiri, Shaqir Foniqi, Shqipe Hasani, Veli Veliu, Xhevë lladrovci et e deri tek të rinjtë, si Egzona Konushevci, Ruzhdi Berisha, Zgjim Veliu, etj.
Janë një buqetë e ardhur artistike në këtë ditëlindje që e kremton familja e përbashkët shqiptare, sepse, datat e tilla, për personalitete të veçanta, janë si vera e rrushit: sa më e vjetruar bëhet, aq më shumë i shtohen cilësia dhe vlera. Mu ashtu, kur, sa herë burgosej, aq herë dyfishohej të qenët udhëheqës shpirtëror i shqiptarëve nëpër dekada nën ish Jugosllavi, sikur theksonte një gazetë kroate. I shumëfishuar si udhërrëfyes i tillë, na vjen edhe në këtë libër poetik, me përmasat shumëdimensionale të personalitetit… Pikërisht pse jeta e një njeriu ka kaq shumë sfida, sprova, dhimbje, vuajtje, përkushtime, pikërisht për këtë arsye njeriu i tillë nuk i merr si barrë vitet e moshës së shtyrë, nuk jeton nëpër numërimin e viteve që i ka kaluar, sikundër do të thoshte Abraham Linkoln; por nëpër angazhime, nëpër të arriturat e fryteve të mendjes, të atdhesisë, të humanizmit dhe të krijimtarisë; pikërisht asisoj, sikur mu tash të fillonte gjithçka nga dita e parë, si një ditë e amshueshme e gjallimit me elegancën e moshës, zemrës së çelur, me linjat e pafund që ringjallen me hirin e ringjallur të feniksëve të kujtimeve, me modelin e shembullin e madh të njeriut që qëndron gjithnjë aty diku, duke na ligjëruar e vigjiluar, duke na i treguar drejtimet dhe kahet:
Në çeli të gjithë kapakët duket se lëshojnë rreze,
Poeti ngrihet nga betoni
Këndon poeti Agim Gjakova te poezia kushtuar Demaçit, e shkruar në Shqipëri më 1965. Prandaj, sot, e tillë mosha e Demaçit, vetëm sa na dhuron më shumë dritë, më shumë shpresë në kohë ende të liga… Nuk është e habitshme, prandaj, përse poetët, kur shkruajnë për Adem Demaçin, ndalen për t’i zgjedhur fjalët më të epërme, tufëzat më të bukura metaforike, epitetizimet më të stolisura të urtisë së shquar e të guximshme, pa kurrfarë mbufatjesh a emfazash krijuese. Sepse janë pikërisht poetët, ata që e kanë mbajtur gjithmonë të ndezur këtë dritë të nderimit të thellë nëpër kohë, duke e çuar nga brezi në brez stafetën idealiste të kohëve dhe të traditave më të çmuara liridashëse. Ishte i ri dikur, dhe i riu është i lumtur, sepse që arrin ta shohë bukurinë e jetës.
Nga cila çeli, nga ç’vend, nga ç’vit, nga ç’ditë, nga ç’terr e ferr
I nisi Beogradi? Më thuaj, më thuaj, vëlla, Adem Demaçi!
Ishte djalë me fytyrë të paqtë e këmishë të bardhë, ishte djalë dhe pe larg… ky ishte faj?
Janë vargje të poezisë vlerash të amshueshme antologjike të Agim Spahiut. E pra, me prirjen e tillë, për ta parë gjithnjë e gjithnjë këtë bukuri të gjallimit, me madhështinë e shpirtit idealist, e bën njeriun gjithnjë të ri. Thuhet se njeriu asnjëherë nuk është aq i vjetër, mbasi përsëri e përsëri i vë vetes synime e caqe të reja jete… Njeriu ia vë vetes në tryezën e jetës mundësitë e pafund në çfarëdo kohe e në çfarëdo rrethanash. Poetët e ndiejnë veten të lumtur që kanë arritur ta shkruajnë vargun e tyre përkushtimor për Adem Demaçin, sepse ata e dinë që lumturia ndahet me tjetrin, me lexuesin dhe me të gjithë të tjerët. E pra, 79 shkrime poetike e letrare këtu, janë shkrime të jetës së jetuar vullkaneve të ekzistimit për ta mundur e mposhtur edhe vetë kohën.

2. Poetët, këta mbretër të shpirtit

Poetët janë mësues të energjisë jetësore dhe mbretër të shpirtit… Po qe se përgjithësisht frymën shpirtërore e kuptojmë si një unitet të mendimit, vullnetit, përqendrimit dhe intuitës, atëherë kjo do të thotë se një biografi e tillë poetike shpirtërore nuk mund të shkruhet për secilin, shkruhet vetëm për ata njerëz që kanë dhunti të jashtëzakonshme shpirtërore, dhe të cilët kanë vepruar e veprojnë që kjo dhunti e brendshme të zhvillohet dhe të realizohet, qoftë në veten e tyre, qoftë në marrëdhënie me botën e jashtme. Ndriçimi i këtij personaliteti, pra, bëhet nga një kënd i veçantë, nga ai i këndimit lirik, e ku perceptohet vetëm bota e atyre njerëzve me mendjen e përkushtuar e me jetën e përkushtuar e të cilat shfaqen në momente historike për t’u dhënë rrjedha e kahe vetëdijes së përbashkët kombëtare e njerëzore. Te ky këndvështrim lexuesit e ajgëtojnë personalitetin e Demaçit se si ai perceptohet në imagjinatën e krijuesve letrarë, si e realizojnë frymëzimin e tyre këta krijues për momentet e ndryshme të kthesave historike e jetësore, që nga burgjet e rënda, lëvizjet revolucionare e deri te lufta e fundit çlirimtare… Mbase, më shumë se për Demaçin, poetët meditojnë për qenien e ekzistencën tonë, për ta gjetur veten mu te ai thelb qëndrese, idealizmi e madhështie të qëndresës:
Sa më shumë pika AD
Nuk e shihni se na ranë këmbët
Duke ecur në gjunj
(Abdullah Konushevci)
Së këndejmi, poezitë e tilla ngërthejnë dhe mprehtësinë a rreptësinë e thënies lirike, diku tjetër ashpërsinë e kohëve të kreshpëruara, ashtu sikundër më tutje spikatet dramaciteti i mendimit, diku tjetër lexojmë prirjen e protagonistit lirik për t’u identifikuar me kërkesat e secilës kohë e me tragjiken e moteve, poezi që emblematizojnë përvojën e jashtëzakonshme personale, shoqërore e kombëtare… si një thesar i të madhërishmes së qenies sonë:
Jo, qelia s’është e vogël
Është e madhe, e stërmadhe…
s’mund të jetë diç e vogël,
që një zemër aq të madhe
aq shumë mall e dashuri,
aq dhembje, ëndrra e ideale. . .
(Hydajet Hyseni)
Aty janë koordinatat e kohës e të hapësirës sonë etnike, gjeopoetika jonë e atdheut, një atdhe i bërë e ribërë për një kohë aq të gjatë, aq gjatë i ndërtuar e i thurur në ëndrra, në ideale, në sakrifica, nëpër çeli burgjesh, nëpër dhimbjet e lindjeve historike e shoqërore, nëpër veprat e mëdha të mendjes e të shpirtit, nëpër shtigjet e jetës që nisin nën regjimin e Krajlit serb, nëpër vitet e përgjakshme të Luftës së Dyfë Botërore, nëpër vitet e rënda të regjimit të përgjakshëm rankoviçist, nëpër tri burgjet e pushtimit sllavo-komunist, nëpër dekadat e shthurjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë… dhe nëpër vitet e luftës çlirimtare e nëpër ato të pasluftës… T’i përjetosh të gjitha këto kohë dramatike, me kaq shumë kthesa e ngjarje historike, dhe në secilën kohë të jesh zëri i saj, të mbetesh vetvetja, të mos thyhesh. . .

3. Vepra në shumës: shumëzimi biografike shpirtëror

Vepra në shumës: është një shumëzim biografik e shpirtëror, një dëshmi për vetveten, janë reminishenca kohësh, sikurse na shqiptohen vargjet e Beqir Musliut, Shaip Beqirit a të Xajë Nurës… Në këtë aspekt, edhe tipologjia e poezive të tilla del e larmishme… ku vjen një mirënjohje thellësisht e shqiptuar me mjete poetike e ku pason një panagjerikë lirike, ku e lexojmë një poezi të adhurimit përkushtimor e ku atë të reminishencës artistike, ku atë të nderimit e ku lirikën e apologjisë artistike… Janë vargje që nuk janë shkruar, sikundër thuhet, në kohë të lirë a të lirshme, por në kohë të rënda, madje nëpër burgje a në ilegalitet të thellë, tek e angazhojnë përkushtimin e tyre atdhetar, apo angazhimin e guximin e tyre emocional, pjekurinë e tyre reflektuese, kujdesin e tyre në realizimin artistik në thurjen e poezisë dhe, nga ana tjetër, si një fill i kuq, krijimet e tilla i përshkojnë vlerat origjinale dhe autoktone të humanizmit. Me anë të dialogut poetik, ndonjë krijues vë në pah vlerën ndërvepruese të artit, për të ndikuar në ndërgjegjen e zgjimit kombëtar nëpër kohë e rrethana të ndryshme, tjetri thur një solilok poetik përkushtimor për të bashkëbiseduar me kohët dhe historinë…
Më mirë se poezitë e tilla, asnjë këndvështrim tjetër nuk do të mund ta paraqiste këtë biografi mbresëlënëse shpirtërore të kohëve dhe të shtigjeve jetësore të Demaçit, aty ku ligjëron e vërteta për ne, për realitetin dhe për ekzistencën tonë të cenuar dhe për ripërtëritjen nëpër kohë, si një feniks mitik.

Më Shumë

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit