21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Dënimet për “grupin e naftës”, Koço Plaku e priti ekzekutimin duke kënduar

Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli dënohen me vdekje me pushkatim, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit me nga 25 dhe 23 vite burg. Aktakuza për secilin dhe refuzimi i kërkesës për faljen e jetës nga Kuvendi Popullor

Nga Shpëtim Koli

Në përfundim të procesit, pasi ishin përdorur edhe të tjerë dëshmitarë të rremë për të provuar akuzat e ngritura, trupi gjykues ishte gati për të marrë vendimin që e kishte caktuar Partia e Punës qysh me aktivin e Patosit, pikërisht aty ku nisi kjo ngjarje. Dështimet e politikës së kësaj partie në drejtim të ekonomisë, natyrisht nuk do t’i faturoheshin udhëheqjes, e cila nuk gabonte kurrë, por njerëzve që punonin. Aspekti tjetër i këtij rasti është se ata që drejtonin procesin e kanë futur atë në llogoret agjenturore, d.m.th. jo vetëm që kishim të bënim me sabotim, por kishim të bënim edhe me përzierje të agjenturave të huaja, të cilat kishin njerëzit e tyre edhe në naftë. Natyrisht për gjykatën nuk kishte fare rëndësi që Koço Plaku nuk pranonte akuzat apo se deklaronte se nuk donte mëshirë, pasi nuk ishte agjent i të huajve. Gjithçka ishte caktuar të ndodhte dhe do të ndodhte. Nëse më 17 qershor Gjykata e Lartë jepte vendimin më 28 qershor 1976 Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’ua falte jetën. Ekzekutimi me vdekje i Koço Plakut dhe Milto Gjikopullit u krye në periferi të Tiranës, “në vendin e caktuar”. Koço Plaku edhe ekzekutimin e ka pritur duke kënduar, i bindur deri në fund se vetëm të mira i kishte bërë këtij vendi, me shpresën se një ditë e vërteta do të dilte e do mësohej.
Kështu e shpërbleu regjimi pasionin e njerëzve të talentuar, që me studimet dhe shpikjet e tyre i dhanë ekonomisë së këtij vendi miliona e miliona dollarë naftë apo gaz.

*
Pjesë nga pretenca e prokurorit dhe diapozitivi i vendimit të gjykatës për dënimet e “grupit”

Prokurori bën pretencën dhe tha:
Me aktakuzën tonë ju kemi dërguar për gjykim të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e sabotimit në industrinë e naftës dhe të gazit, krim ky i parashikuar nga neni 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. Këta të pandehur, me përjashtim të Nuredin Skraparit, kanë kryer edhe krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor, të parashikuar nga neni 73 të K. Penal. Të pandehurit Koço Plaku e Milto Gjikopulli kanë kryer edhe krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit të parashikuar nga neni 64 të K.P. dhe të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija kanë kryer edhe krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare të parashikuar nga neni 199/II të K.P.

*
Trupi gjykues
Vendosi:
1. E deklaron fajtor të pandehurin Filip Nashi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e dekoratave e titujve që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Filip Nashi për krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I e 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në bazë të nenit 199/II të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë.
Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Filip Nashi me 25 (njëzet e pesë) vjet heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e titujve e dekoratave që mban.

2. E deklaron fajtor të pandehurin Beqir Alija, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve dhe dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Beqir Alija për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në bazë të nenit 199/II të K.P. e dënon me 6 vjet heqje të lirisë. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Beqir Alia me 25 (njëzet e pesë) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e titujve e dekoratave që mban.

3. E deklaron fajtor të pandehurin Koço Plaku për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64 të K.P. e dënon me vdekje me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Koço Plaku me vdekje me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së tij, me heqjen e titujve e dekoratave që mban dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

4. E deklaron fajtor të pandehurin Milto Gjikopulli për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64 të K.P. e dënon me vdekje me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban.
E deklaron fajtor të pandehurin Milto Gjikopulli për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 te K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në baze të nenit 29 te K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Milto Gjikopulli për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e titujve e dekoratave që mban. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Milto Gjikopulli me vdekje me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së tij, me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

5. E deklaron fajtor të pandehurin Protoko Murati, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 23 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Protoko Murati për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Protoko Murati me 23 (njëzet e tre) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

6. E deklaron fajtor të pandehurin Jani Konomi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 23 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Jani Konomi për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Jani Konomi me 23 (njëzet e tre) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë së tij, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

7. E deklaron fajtor të pandehurin Dhimitër Stefa, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 22 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban. E deklaron fajtor të pandehurin Dhimitër Stefa për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/I në kombinim edhe me nenin 12 të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe në bazë të nenit 29 të K.P. me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.
Përfundimisht, në bazë të nenit 48 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon të pandehurin Dhimitër Stefa me 22 (njëzet e dy) vjet heqje të lirisë, konfiskimin e pasurisë, me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe me heqjen e gjithë titujve e dekoratave që mban.

8. E deklaron fajtor të pandehurin Nuredin Skrapari, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 12 të K.P. e dënon me 20 vjet heqje të lirisë dhe konfiskimin e pasurisë së tij. Në bazë të nenit 28 të K.P. me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Përfundimisht, duke qenë se i pandehuri Nuredin Skrapari vuan dënimin për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor në bazë të nenit 49 të K.P. duke bërë bashkimin e dënimeve, e dënon me 20 (njëzet) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e pasurisë së tij dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

Detyrohen të gjithë të pandehurit që solidarisht të shpërblejnë dëmin e shkaktuar në industrinë e naftës dhe gazit në shumën 891.876.800 lekë.
Në veçanti i pandehuri Filip Nashi të shpërbleje dëmin prej 5.944.400 dhe i pandehuri Beqir Alija dëmin prej 384.800 lekë.
Iu tha të dënuarve me vdekje, kanë të drejtë t’i drejtohen me lutje Presidiumit të K. Popullor për faljen e jetës brenda tre ditëve.
Vendimi është i formës së prerë.
U shpall në Tiranë sot më datën 17 qershor 1976.

Më Shumë

Hamza: Qytetarët e dinë, kur unë them diçka, e realizoj

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se përkrahja e tij për këtë post do të jetë nga...

Rikthehet Superliga, vëmendja tek Malisheva–Drita

Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, këtë vikend rikthehet Superliga me xhiron e 27-të. Këtë javë na presin dy ndeshje shumë interesante....

Lajmet e Fundit