9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Dështon ngrohja në disa shkolla të Prizrenit

Gjysmëvjetori i dytë në Prizren ka filluar mbarë, megjithëse në disa shkolla ka pasur probleme me ngrohje, si në rastin e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren dhe në shkollën e fshatit Zhur. Në këto dy shkolla nuk ka nisur fare procesi mësimor në ditët e para të këtij gjysmëvjetori. Ndryshe, në ditën e dytë, për shkak të mungesë së ngrohjes dhe ujit, edhe shkolla “22 Dëshmorët” në Randobravë u detyrua ta ndërpresë procesin mësimor. Edhe në shkollat ku është duke u zhvilluar mësimi ka ankesa se nxënësit kanë të ftohtë. Prindi Bajram Krasniqi u ankua se në shkollën ‘Lidhja e Prizrenit’ bën shumë ftohtë nëpër klasa, shkruan gazeta Kosova Sot

Vonohet furnizimi me naftë

Nga ana tjetër, zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në Prizren thanë për “Kosova Sot” se nuk ka më probleme me ngrohjen në asnjë prej shkollave. Drejtori Zehadin Shemsedini madje kërkon më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e shkollave. Sipas tij, në të gjitha shkollat në territorin e komunës së Prizrenit ka filluar me kohë procesi mësimor, përpos në gjimnazin “Gjon Buzuku”, ku ka pasur avari të pompave të ujit.

“Po kështu edhe në Zhur ka pasur një prishje, por tashmë atje është stabilizuar gjendja dhe mësimi ka nisur sot”, është shprehur Shemsedini. Ai konfirmon se ndërprerje të procesit mësimor ka pasur edhe në fshatin Randobravë, pasi që atje kompania e Ujësjellësit “Radoniqi” nuk ka arritur ta bëjë eliminimin e disa avarive.

“Kemi pasur probleme me këto tri shkolla dhe tashmë në të tria këto shkolla është rregulluar çështja e ngrohjes dhe tashmë ka filluar i rregullt procesi mësimor”, është shprehur drejtori Shemsedini. Ndryshe ankesa të reja kanë lindur në shkolla të tjera. Disa prindër kanë bërë ankesë se në klasat e SHFMU “Abdyl Frashëri” po ka probleme me ngrohje. “Nëpër klasa nuk ka ngrohje të mjaftueshme që nxënësit të mësojë si duhet”, thonë ata. Gazeta është përpjekur të kontaktojë me drejtoreshën e kësaj shkolle, por nuk ka pasur asnjë përgjigje. Nga ana e tij, drejtori Zehadin Shemsedini shpjegon se atje ka pasur një problem me furnizimin me naftë. “Por, tashmë kjo çështje është rregulluar, sepse mbrëmë vonë kemi arritur që atë shkollë ta furnizojmë më naftë të mjaftueshme. Ka mundësi të ketë ngrohje, por jo sa duhet, por ajo vjen sot gjatë ditës besojmë se normalizohet”, ka thënë ai.

Prapë më sigurt me dru

Ndryshe një ditë më herët drejtoria e SHFMU “22 Dëshmorët'” në Randobravë kishte njoftuar nxënësit, arsimtarët, prindërit dhe DKA-në se mësimi nuk do të zhvillohet në këtë shkollë për arsye të mosfurnizimit me ujë nga sistemi i “Radoniqit”.

“Në mungesë të ujit nuk mund t’i ndezim ngrohjen qendrore dhe mbajtjen e higjienës”, kishte deklaruar drejtori Hazër Shala. Por, drejtori i Arsimit në Prizren, Zehadin Shemsedini, me këtë rast ka kërkuar një përgjegjësi më të madhe nga drejtorët e shkollave. “Ata janë që qeverisin me shkolla dhe përkujdesjen duhet ta shtojnë sidomos në stinën e dimrit, kur nevoja për ngrohje është e domosdoshme për mbarëvajtje të procesit mësimor”, ka thënë Shemsedini. Ai është përgjigjur edhe në ankesat e disa prindërve se drejtori i Gjimnazit, Shaip Budurri, gjatë kohës së pushimeve nuk ka treguar interesim për të rregulluar avaritë atje, prandaj atje s’ka filluar procesi mësimor me kohë.

“Ju them se ato janë insinuata aq të pabaza, saqë vërtet s’ka as kuptim të merren parasysh, ngase kjo mund të dokumentohet në shumë forma se unë kam ardhur rregullisht në shkollë për të përgatitur nismën e gjysmëvjetorit shkollor me kohë. Por, avaritë kanë qenë të rënda dhe ka ndodhur që procesi i mësimit nuk arriti të fillojë”, ka thënë Shemsedini. Ai shprehet se kanë kontaktuar me të gjithë drejtorët për t’u njoftuar me situatën e ngrohjes nëpër objekte shkollore. “Disa thonë se ulja e temperaturave ka ndikuar që të kemi klimë të freskët në shkolla, por jo mungesë ngrohjeje. Ndryshe ngrohja më mirë ende vazhdon të jete me dru edhe pse nuk është e pëlqyeshme, për shkak të higjienës”, ka thënë Shemsedini.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Totaj pret U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të ASK’së, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati. Siç bëhet e...

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Lajmet e Fundit