13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dhimbja e ndarjes

Ushtria e admiruesve nuk ishte e vetmja që e vuajti ndarjen e The Beatles.

Në një rrëfim të çiltër për shpërbërjen e grupit legjendar, Paul McCartney tregon se si kishte kaluar pas atij momenti në depresion, e madje kishte menduar edhe të hiqte dorë krejtësisht nga muzika.

Në programin “Mastertapes” të Radio BBC, artisti kujtoi sesa i humbur ishte ndierë pas asaj shkëputjeje të hidhur në 1970.

“Ishte e vështirë të dije se çfarë do të bëje pas The Beatles. Si mund të vazhdohej më tej. Isha i dëshpëruar. Po largohesha nga shokët e një jete”, tha Sir Paul McCartney.

Ai moment i vështirë, siç pohon më tej, e shtyu drejt alkoolit.

Zyrtarisht, The Beatles u ndanë në 1970, pasi publikut iu ofrua edhe kënga e tyre e famshme “Let it be”, por fara e përçarjes ishte hedhur që një vit më parë, kur përkundër dëshirës së Sir Paulit, grupi caktoi Allen Kleinin si menaxher të tij.

Edhe pse Klein ndihmoi në ristrukturimin e biznesit të “Apple Corps”, që i kishte sjellë bandës sa fitime, aq edhe humbje, ai mori një pjesë të bëshme të fitimeve të tyre dhe i kaloi kompanisë së vet të drejtat e regjistrimit të The Beatles në Amerikë.

Për t’u shkëputur nga influenca e menaxherit përfitues, McCartneyt iu desh të hidhte në gjyq shokët e grupit, çfarë dëmtoi përfundimisht lidhjen e tij të ngushtë me John Lennonin.

Më Shumë

Lajmet e Fundit